12.8 C
Prizren
E diel, 15 Shtator, 2024

Për Therandën

Burim Ramadani AAKBurim Ramadani
I njoh të dy. Edhe Bali Muharremajn. Edhe Sali Asllanajn. Që të dy janë në balotazh për Kryetar të Komunës së Therandës. Që të dy janë deputetë të Kuvendit të Kosovës. Që të dy kanë qenë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Madje, që të dy janë nga i njëjti fashat: Gjinoci.
Unë jam për dhe me Bali Muharremajn, kandidat i Aleancës për kryetar të Therandës. Dhe, jo vetëm për shkak sepse i takojmë të njëjtës parti. Jo vetëm sepse e kam kryetar të Degës së Aleancës, në të cilën jam anëtar i Kryesisë. Jo vetëm sepse e kam mik të afërt.
Janë një mijë e një arsye përse besoj fuqishëm se Bali Muharremaj është kandidati më i mirë për të udhëhequr komunën time për katër vjetët e ardhshme.

Dallimi mes Baliut dhe Saliut është substancial. Është dallim koncepti menaxherial. Është dallim sikurse dita me natën.
Bali Muharremaj është menaxher i klasit të parë në standardet e menaxhimit në Kosovë. Është i dëshmuar për më shumë se njëzet vjet se arrin të menaxhojë secilën situatë që ka përpara.

Edhe në aspektin ekonomik që të dy dallojnë shumë. Bali Muharremaj ka koncept të detajuar për zhvillimin ekonomik lokal. Është i njohur në Komunën e Therandës për ekonomi. Është i njohur për angazhim të pandalshëm. Është i njohur për disiplinë në punë.
Plotësisht e kundërta është për Sali Asllanajn. Është i njohur që nuk ka bash asnjë lloj koncepti për ekonominë. Është i njohur për neglizhencë dhe dembellëk në punë. Është i njohur për mungesë disipline në ekip dhe në punë.

Që të dy kanë qenë në udhëheqje të komunës së Therandës vite më parë. Bali Muharremaj ka qenë dy herë nënkryetar i Komunës së Therandës, në vitet 1999-2001 dhe në vitet 2010-2011. Pikërisht këtu ka dëshmuar angazhimin e plotë dhe të pandalshëm në punë. Ka qenë çdokund dhe çdoherë. Sikurse thuhet hapur në Therandë, Bali Muharremaj të lajmërohet në telefon dhe në gjysmë të natës dhe është afër qytetarit në çdo kohë.
Sali Asllanaj ka qenë kryetar i Komunës së Therandës shtatë vjet (2002-2009). Aty ka dëshmuar pazotësinë e tij në punë. Është një byrokrat klasik. Në orën 16:00 ka mbyllur zyrën e kryetarit, ndërsa pasditen e ka kaluar duke luajtur letra në Mushtisht. Kjo është tepër e njohur në gjithë komunën e Therandës.

Si deputetë, që të dy kanë reflektuar dallimin substancial që e kanë. Bali Muharremaj ka qenë i lidhur jashtëzakonisht shumë me qytetarët e komunës së Therandës. Ka pasur një zyre të deputetit në Therandë, në të cilën çdo të hënë ka pasur pritje dhe takime me qytetarët gjatë tërë ditës. Ka qenë afër qytetarëve në çdokohë. Veç një shembull konkret, në vitin 2012, kur pati rënë borë shumë e madhe, deputeti Bali Muharremaj ka qenë në bundozherë për të pastruar rrugët në fshatrat malore të komunës së Therandës.

Në anën tjetër, Sali Asllanaj ka qenë një prej deputetëve më pasiv të Kuvendit të Kosovës. Nuk i ka interesuar fare Theranda, madje për më keq, ka qenë mjaft destruktiv kur bëhej fjalë për fondet qeveritare për komunën e Therandës.
Derisa Bali Muharremaj ka qenë deputeti kryesor që ka lobuar dhe insistuar për të dërguar në Therandë rreth 5 milionë euro investime kapitale nga Qeveria e Kosovës, deputeti Sali Asllanaj jo vetëm që ka votuar kundër, por, për më keq, ka tentuar të bllokojë sa më shumë këto investime.
Rasti tjetër i rëndësishëm është momenti kur patëm inicuar të formojmë Grupin Jo-Formal të Deputetëve nga Theranda. Sali Asllanaj ka qenë më këmbëngulësi kundër një iniciative të tillë. Si e tillë, ajo iniciativë pati dështuar.

Kur Blerim Kuçi, kryetari i Komunës së Therandës, u pat burgosur për shkak të një procesi politik që udhëheqte EULEX-i për të ashtuquajturat krime lufte, kam pasur përvojë jashtëzakonisht të keqe me Sali Asllanajn. Edhe pse ishte e qartë se ajo që bëri Blerim Kuçi ishte një vepër plotësisht patriotike dhe në mbrojtje të vlerës së UÇK-së, Sali Asllanaj jo vetëm se nuk u solidarizua me të, por shpërndante thashetheme nga më të ndryshmet në Komunën e Therandës.

Me thashetheme dhe me shpifje deri në nivelin më të ndyrë, Asllanaj filloi edhe fushatën për zgjedhjet e vitit 2013. Derisa, e kundërta ndodhi edhe gjatë këtyre javëve me kandidatin Bali Muharremaj, i cili gjatë tërë fushatës reflektoi respekt të plotë për kandidatët e partive tjera. Shpifjet e vazhdueshme dhe denigruese që bëri dhe po bën Sali Asllanaj nuk i bëjnë nder as atij, dhe as ekipit të tij. Shpifjet nuk janë karakteristikë për njerëzit e ndershëm. Shpifjet nuk janë elemente të njerëzve të sinqertë.
Definitivisht, Theranda do të vendos në balotazh mes fuqizimit të zhvillimit dhe ngecjes. Do të vendos mes punëtorit dhe dembelit.
Tek e fundit, një fakt tepër domethënës është votimi në fshatin e dy kandidatëve: në Gjinoc. Bali Muharremaj ka fituar bindshëm në krahasim me Sali Asllanajn. Ky rezultat ka mesazh të qartë dhe domethënës.

Më Shumë

Sfidat e pushtetit në botën bashkëkohore dhe rreziku për Kosovën

Haxhi FERATI Këndvështrim përballë ripozicionimeve të shtetit dhe pushtetit Nevoja për një fuqi të organizuar për njeriun, shoqërinë dhe shtetin ka qenë një nevojë e kahmotshme...

Hidhet poshtë kërkesa e Haxhi Shalës për mbrojtjen e ligjshmërisë lidhur me mbajtjen në paraburgim

Paneli i Gjykatës Supreme të Dhomave të Specializuara të Kosovës e ka hedhur poshtë kërkesën e Haxhi Shalës për mbrojtje të ligjshmërisë lidhur me...

Lajmet e Fundit