Pesë raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar mbrëmë në Prizren. Të gjithë të infektuarit janë familjarë të personave që kanë dal pozitiv ditë më parë dhe vijnë nga fshati Skorobishtë. Nga kjo komunë sot do të testohen edhe 10 persona të tjerë të cilët kanë qenë në kontakt me të infektuarit, rezultatet e të cilëve do të dalin në mbrëmje, raporton Express.
Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Prizrenit, Visar Shehu i ka thënë Gazetës Express se të gjitha rastet që u konfirmuan mbrëmë janë familjarë të të infektuarve nga fshati Skorobishtë.
Shehu ka treguar se sot nga kjo komunë pritet që të bëhet testimi i së paku 10 personave, që kanë qenë në kontakt me të infektuarit.
‘Mbrëmë prej rreth 15 mostrave që janë testuar, kanë rezultuar pozitivë pesë persona. Të gjithë ata që kanë dal pozitivë janë familjarë të personave që janë infektuar më herët. Janë nga fshati Skorobishtë. Sot bisedova me të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe sipas informatave do të testohen së paku 10 persona, edhe pse kjo shifër mund të rritet”, ka thënë Shehu për Express.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike mbrëmë ka konfirmuar 37 raste të reja me COVID-19. Rastet pozitive janë raste kontakti nga Lipjani, Peja, Prishtina, Prizreni, Podujeva, Zubin Potoku, Shtimja, Vitia dhe Zveçani.
‘Sot më 20 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 353 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e shtatë (37) raste”, ka njoftuar Instituti.
Me këto raste, numri i të infektuarve në gjithë vendin shkon në 598. Në mesin e tyre, 123 pacientë janë shëruar, ndërsa 16 persona kanë vdekur.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill. /Gazeta Express