Rahovecianët kanë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës peticionin e nënshkruar nga qytetarët, për fatin e Ukshin Hotit. Ky peticion që ka marrë mbi 11 mijë nënshkrime është dorëzuar në Kuvend, me qëllimin që të merren masa më të shpejta dhe angazhim më i madh për zbardhjen e rastit Hoti.
Iniciuesit e peticionit thanë se mungesa e Ukshin Hotit po vërehet çdo herë e më shumë. Nehat Fetoshi, një nga iniciuesit e këtij peticioni, tha se kjo ishte edhe një ndër arsyet kryesore, që të bëhet ky peticion.
“Sigurisht koha e ka bërë të vetën, iniciativa ka qenë gati hyjnore që mos të shprehem konkretisht, prandaj malli i njerëzve në përgjithësi i anës tonë, kjo është një nga arsyet kryesore e cila sigurisht më vonë do të dëshmohet e cila që ka qenë iniciativë hyjnore dhe kemi kërkuar ndihmën e qytetarëve, qytetari ka qenë i gatshëm ta nënshkruaj peticionin, ka tejkaluar numrin e nevojshëm. Dhe çka presim ne? Sigurisht presim fjalën e parlamentit të cilën ne e besojmë, pavarësisht se ne jemi ata që e votojmë, dhe duke dhënë votën duke dhënë besimin tonë, presim kthimin e besimit ndaj qytetarit, pra vullnetit tonë qytetarë”, ka thënë Fetoshi.
Ky peticion, mori nënshkrime edhe më shumë se sa që është e paraparë.
Fetoshi bëri me dije se janë mbledhur mbi 11 mijë nënshkrime dhe u shpreh i lumtur që këtë vullnet e shprehen qytetarët e Komunës së Rahovecit.
“Kjo është iniciativë qytetare. Jemi disa shokë të Rahovecit që kemi marr vendim pas bisedave që ky njeri po na mungon mjaftë. Një fjalim shumë të përmalluar, edhe ana fizike edhe ana psikologjike po na mungon. Prandaj kemi marr vendim në Rahovec të dalim pikërisht me qytetarët tanë fillimisht të Rahovecit, por fatmirësisht mbaroji i tërë numri dhe e ka tejkaluar numrin vetëm në qytetin e Rahavecit me rrethinën e tij. I kemi numëruar deri në 11 mijë e më tepër, pastaj si kemi numëruar pjesën tjetër, sepse përfundojë peticioni suksesshëm. Jemi shumë të lumtur që kemi mundur ta arrijmë që qytetarët tanë të Rahovecit me shpreh vullnetin e tij për fatin e Ukshin Hotit, përmes peticionit për t`ju drejtuar institucionit më të lartë tonin që e kemi kuvendit të republikës së Kosovë”, tha Fetoshi.
Ndër iniciatorët tjerë të këtij peticioni, ishin edhe Gazmend Iska, Aziz Amza, Mllagjan Gerkoviq, të gjithë nga komuna e Rahovecit. Kjo nga Ukshin Hoti është nga kjo komunë.
Ukshin Hoti ishte personalitet i jetës politike. Ai, në vitin 1981 u burgos për herë të parë. Më pas në vitin 1993 ishte i burgosur për herë të dytë dhe për herë të tretë u burgos në vitin 1994. Që nga vitin 1999, atëherë kur edhe u ‘lirua’ nga Burgu i Dubravës, nuk është ditur më për fatin e tij.
Ndryshe, sipas Kushtetutës së vendit, Neni 79 ku flet për Nismën Legjislative, thuhet se nismën për të propozuar ligje, mund ta marrë Presidenti i Republikës së Kosovës nga fushëveprimtaria e saj/tij, Qeveria, deputetët e Kuvendit, ose më së paku dhjetëmijë qytetarë, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj. /Telegrafi/