Paul Pogba ka dhënë një intervistë të gjatë për emisionin francez “Sept a Huit”, ku ka rrëfyer peripecitë e tij mes dëmtimeve të vazhdueshme dhe pezullimit për doping.
Mes rrëfimit, ai ka drejtuar gishtin nga ish-klubi i tij, Juventus.
Në intervistë, Pogba foli edhe për ngjarjen tronditëse të rrëmbimit me tentativë zhvatjeje, të organizuar nga njerëz që i njihte prej kohësh.
Ai përmendi edhe përfshirjen e vëllait të tij të madh, Matias, i cili është dënuar me tre vite burg për këtë çështje. Megjithatë, Pogba thekson se lidhjet familjare mbeten të forta.
“Jemi në kontakt. Kemi folur, midis nesh, me familjen. E dini, lidhjet e gjakut janë lidhje gjaku. Ka një shenjë, sigurisht, por ne ecim përpara. Vetëm koha do të japë përgjigje, më vonë. Sot, e tëra çfarë duam është që familja të mbetet gjithmonë e bashkuar. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Është e vështirë, nuk do të gënjej. U lëndova. Jam një qenie njerëzore. Nuk është si më parë, por jemi në kontakt. Kur të ndalojnë dhe ke armën përpara, nuk ke kohë të mendosh, thjesht thua po për gjithçka”, tha ai ndër të tjera.
Mes fjalëve të tij, futbollisti francez reflektoi mbi plagët emocionale që i ka lënë kjo përvojë dhe sfidat që e presin në të ardhmen. /Telegrafi/
Marketing