-0.3 C
Prizren
E diel, 29 Dhjetor, 2024

Premtimet boshe të kryeministrit Kurti

Shkruan: Fahri Musliu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para plot tre vitesh, më 1 qershor 2021, në ditëlindjen e 85-të, mbajti një fjalim shumë frymëzues për Bekim Fehmiun, atë që nuk e ka bërë asnjë pushtetar para tij. Dhe ky fjalim me shumë premtime më vonë doli të ishte vetëm edhe një premtim bosh apo ta quaj mashtrim. Sepse për plot tri vjet as Qeveria Kurti, as Ministria e Kulturës nuk kanë bërë asgjë për t’i përmbushur premtimet e dhëna nga Kryeministri. Përkundrazi, edhe Qeveria edhe MKRS refuzuan ta financojnë filmin dokumentar Bekim Fehmiu, përkthimin e monografisë “BEKIM FEHMIU – Odiseu i Kosovës” në anglisht, librin autobiografik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”, librin “Filmografia e Bekimit” të autorit Edmond Isufi, dhe shumë propozime të tjera.

Mashtrimi është edhe më i madh sepse ministri i kulturës formoi Grupin e punës për hartimin dhe propozimin e projekteve për ta shënuar, ruajtur, kultivuar e avancuar figurën dhe veprën e Bekimit. Grupi, pas tri takimeve dhe debateve, e miratoi tekstin e propozimeve dhe në vjeshtë të vitit 2021 ia dërgoi ministrit Çeku, por ai dokument sot e kësaj dite nuk është miratuar nga ministri, që do të thotë se është punuar kot nga 10 anëtarë të Grupit.

Duke e parë këtë sjellje vitin e kaluar, kur ministri më njoftoi se ende nuk e ka miratuar propozimin (as që e kishte lexuar), i njoftova anëtarët e grupit me vendimin për tërheqjen e nënshkrimit tim nga ai dokument, sepse nuk dua të jem pjesë e lojërave të pista, gënjeshtrave e mashtrimeve. Këtë nuk ma lejon edukata familjare, kodi etik njerëzor, profesional e intelektual.

Më vjen keq që i kam marrë 500 Euro që MKRS na i pagoi në xhirollogari në emër të punës tonë të kotë. Madje MKRS këtë vit nuk e ka ndarë Çmimin Bekim Fehmiu për vepër jetësore në artet pamore, me çka ka bërë shkelje të Ligjit mbi Çmimet, i cili duhet të jepet çdo qershor në ditëlindjen e aktorit.

Pra, figura dhe vepra e Bekimit të madh nuk ruhet as kultivohet me fjalë boshe e premtime të kota, por me veprime konkrete.

P. S. Ju lutem dëgjojeni fjalën e kryeministrit në linkun e poshtëm.

https://www.facebook.com/share/v/NpGmicyxH3aabGMv/?mibextid=oFDknk

 

Më Shumë

Çerdhja e re në lagjen “Ortakoll”, hapësirë moderne për fëmijët e Prizrenit

Komuna e Prizrenit ka përfunduar rikualifikimin e ambienteve të pashfrytëzuara në lagjen "Ortakoll", për të krijuar kushte për ndërtimin e një çerdheje moderne për...

Bashkimi dhe Peja ndeshen sot në Prizren në përballjen e fundit të vitit

Superliga e Kosovës në basketboll vazhdon sot me ndeshjet e javës së 14-të, e cila është edhe java e fundit për vitin 2024. Ndeshja...

Lajmet e Fundit