13.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Prizren/ Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarit se goditi me thikë viktimën, i cili më pas ndërroi jetë në QKUK

Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, është dhënë fjala përfundimtare në rastin kur Avni Selamanaj po akuzohet se me dorezë të thikës e kishte goditur në fytyrë D.M., e që si pasojë e këtyre lëndimeve i njëjti më 29 prill 2018, ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Prokurori Genc Nixha në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se nga provat e administruara është vërtetuar se i akuzuari Selmanaj ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet dhe se nga dëgjimi i dëshmitarëve është vërtetuar se i njëjti ka pasur thikë në dorë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Asociation “Loyola–Gymnasium” shpall konkurs për regjistrimin e nxënësve të rinj

Po ashtu, Nixha tha se nga dëgjimi i dëshmitarëve është vërtetuar se ka pasur konflikt fizik mes të akuzuarit Selmanaj dhe tani të ndjerit D.M.

Ai ka shtuar se në veprimet e të akuzuarit janë formuar elementet e veprës penale për të cilën akuzohet dhe ka propozuar që i njëjti të shpallet fajtor sipas ligjit.

Ndërkaq, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokat Aman Hoxha tha se qëndron pranë fjalës përfundimtare të dhënë më 21 korrik 2022. I njëjti ka shtuar se nga grupi i ekspertëve është konstatuar se vdekja e D.M është e dhunshme dhe si pasojë e dy thyerjeve veç e veç.

Hoxha ka kërkuar që të akuzuarin Selmanaj gjykata ta shpall fajtor sipas ligjit.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Selmanaj, avokat Besnik Berisha në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se prokuroria i referohet dëshmitarëve gënjeshtarë të shantazhuar nga Faruk Muça.

Berisha pretendimin e palës së dëmtuar se kanë të bëjnë me plagë shpuese e ka cilësuar si jo të vërtetë, ngase sipas tij eksperti ka konstatuar se plaga e shkaktuar anash syrit të majtë nuk shoqërohej me thyerje të kockës dhe se nuk ka qenë e lidhur drejtpërdrejtë me gjakderdhjen e masës trurore.

Tutje, Berisha ka thënë se thyerjet e shkaktuara në pjesën e pasme të kokës janë thyerje të shkaktuara nga Muça dhe se i njëjti i ka pranuar veprimet që i ka shkaktuar të ndjerit D.M.

Në fund, ai tha se çdo vendim tjetër për të mbrojturin e tij përveç lirisë pa kushte, nuk do të e përmbushte misionin e as obligimin e gjykatës.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Artan Sejrani shqyrtimin gjyqësor e ka përfunduar dhe shpalljen e aktgjykimit u caktua më 12 maj 2023.

Ndryshe, në këtë rast së bashku me të akuzuarin Selmanaj, për vdekjen e D.M është ngarkuar edhe i akuzuari Faruk Muça, mirëpo i njëjti pas pranimit të fajësisë, më 1 mars 2023, nga Gjykata Themelore në Prizren është dënuar me 7 vite burgim efektiv.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren më 24 gusht 2022 kishte shpallur aktgjykim dënues, ku të akuzuarin Faruk Muça e kishte dënuar me 10 vite burgim, ndërsa të akuzuarin Avni Selmanaj më 13 vite burgim. Mirëpo, Gjykata e Apelit, e kishte kthyer rastin në rigjykim më 15 dhjetor 2022.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren, thuhet se i akuzuari Avni Selmanaj më 7 prill 2018, në kafenenë “Wullkani” në fshatin Gjinoc të Komunës së Suharekës, në gjendje të dehur pas një fjalosje brenda në lokal përleshet me të ndjerin D.M., e pasi që tani i ndjeri del jashtë dhe arrin te automjeti tij, i akuzuari Selmanaj e godet me një dorëz të thikës një pjesën e përparme të fytyrës, në anën e majtë të kokës, i cili më pas vdes më 29 prill 2018 në QKUK.

Për këto veprime, i akuzuari Selamanaj po ngarkohet me veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 189, paragraf 5 lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.1 të KPRK-së.

Ndërsa, dispozitivin i dytë i aktakuzës e ngarkon të akuzuarin Faruk Muça, se në kohë dhe në vend të njejtë, ndërhyn në ndërmjetësim, me ç’rast kishte goditur tani të ndjerin fuqishëm me grushte dhe i cili nga pjesa e pasme e kokës kishte rënë në beton, ku i shkakton thyerje viezore në regjionin zverkor të anës së majtë, regjionit të pasëm të kokës, ku tani i ndjeri D.M ndërron jetë më 27 prill 2018.

Për këto veprime, i akuzuari Muça po ngarkohet me veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 189, paragraf 4 lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Familja e 71 vjeçarit të vdekur akuzon urologun në Prizren për neglizhencë

Urologu Fatos Shukriu është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Prizren për veprën penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”. Kjo pasi që familja e...

Deputeti i VV-së, opozitës: Pallavrat anash, niseni mocionin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, i ka kërkuar opozitës që t’i mbledhë nënshkrimet për mocion mosbesimin ndaj Qeverisë Kurti. Abrashi ka ironizuar me opozitën...

Lajmet e Fundit