Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore të Prizrenit vendosi që ndaj të pandehurve, Palë Morina, Engjëll Thaqi, Nue Karrica, Fadil Selimi, Fatmir Selimi të gjithë nga Prizreni të caktohet masa e arrestit shtëpiak në bazë të akuzës, detyrim në bashkëkryerje, fajdeja, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
“Të pandehurve iu caktua masa e arrestit shtëpiak prej 1 muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit me 14.07.2014 dhe do të zgjasë deri me datën 14.08.2014, gjatë së cilës kohë pritet që të pandehurit të dalin në gjykim para Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore”, njofton zëdhënësja e Gjykatës në Prizren, Afërdita Kicaj.
Gjyqtari i Procedurës Paraprake e refuzoi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren e cila kërkoi mbajtjen në paraburgim të pandehurve.
“P.Morina, E.Thaqi, N.Karrica, F.Selimi, F.Selimi u arrestuan më datën 14.07.2014, në ora 09:00. Të pandehurit u akuzuan për shkelje të Kodit Penal. Duke marrë parasysh peshën e veprave penale, rrezikshmërinë e veprave penale lidhur me veprimet e të pandehurve të cilët kanë përdorur kanosje, ndërsa nga kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prizren del se nuk ka prova të cilat arsyetojnë se në çfarë forme është kanosur personi i dëmtuar, është potencuar se duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit I.K., mirëpo nga shkresat e lëndës del se i dëmtuari nuk është i gjendjes së rëndë financiare sepse ai është biznesmen, dhe me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren nuk janë bashkangjitur fakte prova të cilat e arsyetojnë veprimet e kanosjes së të pandehurve ndaj të dëmtuarit, që të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tij. Që nga viti 2010 deri më 14.07.2014, prej tij i kanë marrë shuma të hollave mbi 150.000,00 euro, po ashtu në të njëjtën kohë të dëmtuarit i kanë shkaktuar humbje financiare mbi 25.00, euro duke kontraktuar shuma dukshëm jo proporcional të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, gjithashtu të pandehurit E.Thaqi dhe F.Selimi kanë mbajtur në pronësi armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm.Dënimet e parapara me ligj për veprat e lartcekura penale për të cilat të pandehurit dyshohet se i kanë kryer, në shkelje të Nenit 340 par.2 të KP-së, të neni 343 par.3 lidhur me nenin 31 të KP-së, dhe të nenit 374 par.1 të KP-së, Gjykata iu cakton masën e arrestit shtëpiak prej 1 muaji”, thotë Kicaj. /PrizrenPress.com/