Edhe këtë vit në Prizren do të shënohet “Java e Distrofisë Muskulare” që organizohet nga Organizata e Personave me Distrofi Muskulare të Kosovës dhe përkrahet financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Aktivitetet publike të “Javës së Distrofisë” organizohen më 3 dhe 4 qershor 2016 në Prizren.
Një pjesë e aktiviteteve të “Javës së Distrofisë” organizohet në bashkëpunim me EC Ma Ndryshe, në kuadër të projektit “Prizreni, qytet pa pengesa”, që përkrahet financiarisht nga USAID nga programi E4E dhe mbikëqyret nga ATRC.
Një aktivitet tashmë tradicional, “Java e Distrofisë Muskulare” do të jetë pjesë e veprimeve të OPDMK edhe në të ardhmen. Ditët që i dedikohen këtij grupi të shoqërisë kanë për qëllim sjelljen e sfidave të personave me distrofi muskulare në vëmendjen e shoqërisë në tërësi dhe institucioneve të shtetit në veçanti. Programi i “Javës së Distrofisë Muskulare” do të përbëhet nga aktivitete sensibilizuese, të realizuara në formë të aktivizmit kulturor në hapësinën publike.
Këto aktivitete do të realizohen gjatë këtyre dy ditëve:
1. Pengesat në institucione dhe hapësira publike – vendosja e siluetave para instiucioneve publike dhe në disa hapësira publike.
2. Zyra – një hapësirë e improvizuar si zyrë pune në Sheshin e Lidhjes.
3. Lidhur për karrocë – disa persona do të ulen në karrocë dhe do të jenë të lidhur me shirit me mbishkrime vetëdijësuese.
4. Kafe për të gjithë – vendosja e rrotave të karrocave nga kartoni në karriget e kafiterive.
5. Një përqafim për mua – shëtitja e personave me nevoja të veçanta me bluza që bartin këtë porosi.
6. Izolimi – improvizimi i një hapësire të mbyllur ku do të ftohen të qëndrojnë qytetarët.
7. Zyrtarë me kufizime – zyrtare të institucioneve do të realizojnë performancë.
8. Ekspozita – ekspozimi i fotografive dhe punimeve të realizuara nga anëtarët e organizatës.
9. Pikturim – dy anëtarë të organizatës do të pikturojnë në Sheshin e Lidhjes.
10. Parashuta – fëmijët do të socializohen përmes lojës parashutë. /PrizrenPress.com/