31.8 C
Prizren
E diel, 21 Korrik, 2024

Prokuroria bënë ndryshimin e aktakuzës në rastin e ish-drejtorëve të Prizrenit

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, prokurori Metush Biraj ka bërë ndryshimin e aktakuzës, ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ganimete Babuna, Ares Shporta, avokatët Asman Hoxha, Betim Kadolli, Ardian Morina, Vigan Rogova dhe Brahim Sopa kanë kërkuar kohë për përgatitje të mbrojtjes.

Në këtë rast, të akuzuarit Kasemi, ish- drejtor i Shërbimeve Publike, Kabashi, ish- drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Shaqiri ish-drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Prizrenit, ish-asamblistja e Kuvendit Komunal të Prizrenit, Babuna, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Shporta, po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, prokurori Biraj ka deklaruar se ka marrë njoftimin nga përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Komuna e Prizrenit mbi lartësinë e dëmit që ka pësuar kjo komunë, si rezultat i dallimit në çmim në mes të ofertuesit, palës së dëmtuar Albert Doqi dhe përfitueses së ankandit dhe se do të bëjë precizimin e aktakuzës.

Biraj ka thënë se të akuzuarit Kasemi, Kabashi, Shaqiri, Babuna dhe Shporta në cilësi të anëtarëve të komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës kanë tejkaluar detyrat e tyre zyrtare.

Asociation “Loyola–Gymnasium” shpall konkurs për regjistrimin e nxënësve të rinj

Sipas tij, të njëjtit pas vlerësimit të ofertave në kundërshtim me nenin 5 paragraf 3 të Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës, kanë shpikur edhe kritere tjera shtesë dhe kanë eliminuar fituesin real, të dëmtuarin Doqi, i cili ka ofertuar me çmim më të lartë prej 25 euro e 20 centë, duke përzgjedhur ofertuesen Fatmire Berisha e cila ka ofertuar çmimin më të ulët prej 20 euro e 60 cent.

Biraj tha se me këtë rast përveç që i dëmtuari Doqi është dëmtuar për fitimin e humbur për katër vite, për këtë periudhë kohore i është shkaktuar dëm financiar edhe Komunës së Prizrenit në shumën prej 5 mijë e 740 euro e 80 centë.

Për këtë, Biraj tha se të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragraf 1 i KPRK-së.

Tutje, prokurori Biraj i ka dorëzuar fjalën përfundimtare dhe të njëjtën e ka elaboruar me gojë, mirëpo për këtë ka reaguar avokati Rogova i cili precizimin e prokurorit e ka konsideruar si ndryshim të aktakuzës, ngase sipas tij, në aktakuzën fillestare i dëmtuar ka qenë vetëm Doqi.

“Lidhur me precizimin e aktakuzës konsiderojmë se e njëjta kualifikohet si ndryshim i aktakuzës pasi që kemi të bëjmë me ndryshim të aktakuzës nga ana e prokurorit të shtetit, meqënëse në aktakuzën fillestare i dëmtuar ka qenë vetëm Albert Doqi, ndërsa sot prokurori e ka kualifikuar si të dëmtuar edhe Komunën e Prizrenit, meqënëse dëmi është element esencial i veprës penale me të cilën akuzohen të akuzuarit, konsiderojmë që kemi të bëjmë me ndryshim të aktakuzën dhe në këtë drejtim nuk janë ekzaminuar prova gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor”, ka thënë Rogova.

Ai ka shtuar se, dëmi financiar për të cilin pretendon prokuroria nuk ka asnjë bazë materiale ose ekspertizë financiare që do ta vlerësonte të njëjtin.

Tutje, mbrojtësit i të akuzuarit Kasemi, avokati Hoxha tha se në rastin konkret kemi tërësisht ndryshim të aktakuzës, i njëjti ka propozuar që seanca të ndërpritet me kusht që të pajisen me aktakuzë të ndryshuar me qëllim që mbrojtja dhe të akuzuarit të kenë mundësinë të përgatiten për mbrojtjen e tyre.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Kabashi, avokati Kadolli ka thënë se i duhet kohë për tu përgatitur nga fakti se aktakuza po ndryshon dhe se do të propozojnë edhe prova të cilat nuk janë ekzaminuar deri më tani e që do të ndërlidhen drejtpërdrejtë me dëmin e supozuar.

Qëndrime të njëjta kanë paraqitur edhe mbrojtësi të akuzuarve Shaqiri dhe Babuna, avokatët Morina dhe Sopa të cilët kanë kërkuar kohë për përgatitje.

Gjithashtu, avokati Sopa ka shtuar se për ta pranuar a ekziston ky dëm apo jo, duhet një analizë nga eksperti financiar i cili do ta vlerësoj këtë dëm konkret.

Përfaqësuesja e Komunës së Prizrenit, Florentin Çoçaj ka deklaruar se, pas të gjitha provave të administruar gjatë këtij procesi gjyqësor Komuna e Prizrenit në këtë rast është dëmtuar sa i përket diferencës së çmimit.

E njëjta tha se, lidhur me lartësinë e dëmit nuk mund të deklarohet pasi që përmes kërkesës që i ka bërë Zyrës për çështje pronësore të deklarohen lidhur me dëmin dhe lartësinë e tij, të njëjtit kanë theksuar se kjo zyrë nuk është kompetente për vlerësimin e dëmit.

Tutje, prokurori Biraj ka shprehur pakënaqësi lidhur me mënyrën dhe kohën e reagimit të avokatit Rogova për vërejtjet sa i përket aktakuzës dhe ka propozuar që seanca të vazhdoj.

E për këtë, avokati Rogova ka reaguar duke shtuar se nga ky ndryshim i aktakuzës do të rrjedhin vonesa dhe prolongim.

Deklarimet e mbrojtësve të tyre, i kanë mbështetur të akuzuarit Kasemi, Kabashi, Shaqiri, Babuna dhe Shporta.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha ka obliguar prokurorin Biraj që në afat prej 8 ditësh të dorëzoj aktakuzën e ndryshuar në formë të shkruar.

E njëjta tha se, nëse ky afat nuk respektohet nga prokurori Biraj, çështja do të vazhdohet me aktakuzën e mëparshme.

Në këto rrethana, gjykatësja Krusha, seancën e sotme e ka ndërprerë dhe të radhës e ka caktuar më 25 maj 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2019 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, të pandehurit Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ares Shporta dhe Ganimete Babuna akuzohen se më 18 mars 2019, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Siç thuhet në aktakuzë, duke qenë pjesë e komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje, me dashje kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik, gjegjësisht nenin 5, paragrafi 3 të ligjit nr.04/L-144, ku theksohet se procedura për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale bëhet përmes Ankandit Publik, dhe akteve nënligjore, dhe se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar.

Në aktakuzë thuhet se duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doqi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese ofertuesen Fatmire Berisha, përkundër faktit se i dëmtuari Doqi kishte kuptuar çmimin më të lartë, gjegjësisht shumën 25 euro e 20 centë për m2, për lokalin nr.29, i cili gjendet në sheshin “Shatërvan”, por i njëjti lokal i është dhënë në shfrytëzim ofertueses Berisha, me çmim prej 20 euro e 6 centë për m2.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja Fatmire Berisha nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, të njëjtën e ka poentuar me pikë maksimale.

Sipas aktakuzës, më pas komisioni për ankesa pranë Kuvendit Komunal në Prizren, e kishte aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar, ku më 28 shkurt 2019 ka anuluar vendimin e këtij komisioni duke e dërguar çështjen në rishqyrtim, por përkundër këtij fakti, komisioni përmes njoftimit të datës 1 prill 2019 ka potencuar se qëndrojnë pranë njoftimit të datës 17 janar 2019, ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve-pronë komunale.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, pika 2.6, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Radhë të gjata të kamionëve në hyrje të Kosovës në Vërmicë

Vendimi i qeverisë së Kosovës për të ndaluar qarkullimin e automjeteve të rënda në orët e pikut të temperaturave të larta, për të ruajtur...

Mbappe: Ëndrra ime u realizua, u bëra lojtar i klubit më të mirë në histori

Kylian Mbappe u prezantua sot zyrtarisht si futbollist i Real Madridit. Para tribunave të mbushura në “Santiago Bernabeu”, francezi është shfaqur për herë të...

Lajmet e Fundit