Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Asgjë e re që nuk ishte dëgjuar më parë: Më në fund doli një propozim i emisarëve të kancelarit Sholc dhe presidentit Macron që më parë e dorëzuan në adresë të Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiq gjatë vizitave në Prishtinë dhe Beograd. Kishte paralajmërime se do të ishte një propozim i modeluar sipas dy gjermanive, pas përfundimit të luftës së dytë botërore. Realisht, ky model përfundoi me bashkimin e dy gjermanive prandaj ishte i pranueshëm për gjermanët në ndërkohë që me këtë propozim ka të ngjarë, jo që Kosova të njihet nga Serbia si shtet i pavarur dhe sovran, përkundrazi, lehtësisht mund të përfundojë në një lidhje me Serbinë, federative apo konfederative, nuk ka shumë rëndësi. Nëse drafti i propozuar e që është bërë publik në AP është i vërtetë atëherë, me siguri mund të thuhet se asnjë pikë e propozuar nuk është e mirë për Kosovën, nuk ofron asnjë zgjidhje përfundimtare dhe, pa asnjë dyshim është një zgjidhje që lirisht mund të konsiderohet si një “dhuratë e bekuar” për Serbinë aq më parë që pikërisht Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit i sjellë fitore përfundimtare dhe të pamohueshme, prej një situate kur përfundimisht e ka humbur Kosovën (në qershorin e vitit 1999), realisht e mban Kosovën në një gjendje të përhershme jofunksionaliteti.
Ky ishte qëllimi i Serbisë që nga fillimi e jo marrja e një pjese të Kosovës. Serbia angazhohet që veriun e Kosovës ta ketë nën kontroll e që edhe e ka dhe, në të njëjtën kohë përmes zonave të mbrojtura dhe kishës të ushtrojë pushtet paralel në komunat që do të ishin nën sovranitetin e Zajebnices. Ky propozim është bërë për Serbinë dhe, ka të ngjarë që Serbia është bashkautore e këtij propozimi. Franca tradicionalisht është në anën e Serbisë kurse Gjermania, në përpjekje të marrë rol udhëheqës në Ballkan dhe Evropë, po e luan një rol oportunist kurse, që nga koha e kancelares Merkel është rreshtuar krah Serbisë duke e fuqizuar ekonomikisht dhe politikisht. Ishte i famshëm propozimi gjerman që pasuritë e Kosovës në veri të vendit të administrohen për një periudhë 20-vjeçare nga ndërkombëtarët (fuqitë e mëdha) e që, pastaj, populli (serbët e veriut) të vendosë me një referendum për ato prona dhe me kë duan të jetojnë.
Të gjitha përpjekjet e ndërkombëtarëve, thuaja pa përjashtim janë që të formohet Zajebnica e komunave serbe (e Serbisë) në Kosovë para se të nënshkruhet një marrëveshje përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve. Nëse Zajebnica, në këtë format e sidomos me këtë përmbajtje (me kompetenca ekzekutive apo si pushtet i tretë) do të themelohej, atëherë Kosova do të ikën për lesh, si shtet i pavarur dhe sovran! Drafti gjermano – francez i përshtatet Serbisë dhe e dekompozon Kosovën. Është i pakrahasueshëm dallimi midis dy gjermanive dhe ai midis Kosovës dhe Serbisë. Ka qenë e sigurt se Gjermania, e ndarë dhunshëm në dy shtete pas përfundimit të luftës së dytë botërore, me kalimin e kohës pashmangshëm do të bashkohet andaj ka qenë e panevojshme dhe e palogjikshme njohja recioroke midis dy (një) shteti të njëjtë në masën 100%. Në vend të një zgjidhjeje të shpejtë dhe të imponuar ofrohet një perspektivë hipotetike që kjo mund të përfundojë në vitin 2033, nëse BE-ja do të jetë e gatshme të integrojë 6 vendet e Ballkanit.
Po, nëse në ndërkohë do të dalin probleme të parashikueshme dhe të paparashikueshme, kjo mund të shtyhet deri në vitin 2043 2053 e deri në 3033. Nuk e besoj se dikush do të merret me Kosovën në vitin 2033.., përveç Serbisë. Joshjet se Kosovën do ta pranojnë 5 shtetet e mbetura të BE-së, pas një kohe janë joserioze, shantazhuese dhe se nuk ka asnjë siguri për këtë. Pranimi i Serbisë se do të luaj rol pasiv gjatë anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare është legalizim i heshtur për aktivitetet minuese që Serbia po i zhvillon tani kundër Kosovës. Nuk thuhet shprehimisht se Serbia do të sanksionohet nëse lobon (qoftë edhe në mënyrë pasive) kundër anëtarësimit të Kosovës. Përmendet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës (Kosova ka aplikuar për anëtarësim), më vonë anëtarësimi në Interpol, shqyrtimi i mundësisë për anëtarësim në NATO, kurse anëtarësimi në OKB mbetet në mëshirën e Kinës dhe të Rusisë. Kjo është perspektiva që i ofrohet Kosovës ose, më mirë të thuhet favoret që i bëhen Serbisë me këtë propozim kushtëzues. Ndërsa, pranimi i gjendjes ekzistuese zëvendësohet me njohjen reciproke të cilën Serbia nuk do ta bëjë, së paku në një të ardhme të afërt, 100, 300 apo 500-vjeçare!
Serbisë i ndahet posti apo detyra e kryexhandarit të Ballkanit dhe bartësit kryesor të kuletës në Ballkan. Këtë propozim në Kosovë do ta pranonte vetëm një politikan batakçi që me çdo kusht përpiqet të mbesë në pushtet ose një politikan batakçi që me çdo kusht ka për qëllim të marrë pushtetin dhe që tërë kohën ka qenë pjesë e kënetës politike, duke mbijetuar në të gjitha regjimet.
Kosova ka nevojë për një zgjidhje radikale që njëherë e mirë i ndanë rrugët me Serbinë, si kushti kryesor për normalizim të vërtetë dhe të qëndrueshëm të marëdhënieve midis dy shteteve. Çdo shtyrje e kushtëzuar vetëm sa për sy dhe faqe, jo që nuk e zgjidhë këtë problem shekullor por vetëm sa e bënë më të ndërlikuar dhe më të pazgjidhshëm. Kryeministri Albin Kurti para se ta takojë urgjentisht kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, është dashur të takojë opozitën kosovare dhe të ndërtojë një qëndrim të përbashkët për këtë propozim. Qartazi, Kurti po e shpërfillë keq opozitën dhe kjo do t’i hakmerret kur duhet të marrë vendime të vështira që po dalin nga aktgjykimi politik shantazhues i Macronit dhe Sholcin. Është e palogjikshme dhe idioteske që e njëjta letër (me të njëjtën përmbajtje) t’i dorëzohen Serbisë dhe Kosovës sepse në këtë mënyrë po barazohet përgjegjësia, si nga e kaluara ashtu edhe kjo e sotmit. Njeriu nuk do ta bënte këtë aq më parë nëse seriozisht mendon ta bëjë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme!
Gabimi më i madh i opozitës do të ishte nëse të ardhmen e saj politike do ta ndërtojë në situatat e vështira me të cilën do të përballet Albin Kurti dhe qeveria që e udhëheq e sidomos nëse e merr ndonjë për rrëzimin e qeverisë Kurti 2. Premtimi se Kosovës do t’i liberalizohen vizat është joserioz dhe me afat të skaduar aq më parë që ky liberalizim kushtëzohet me nënshkrimin e marrëveshjes, nëse marrin garancione nga qeveria se do të jetë konstruktive në bisedime, liberalizohen vizat. Ky liberalizim i kushtëzuar dhe shantazhuar po ndërlidhet me afatet e Macronit dhe Sholcit në aktgjykimet që iu dorëzuan Kurtit dhe Vuçiqit, pa të drejtë apelimi. Çka të duhen vizat kur as në Pejë nuk mund të shkosh, pa e tronditur buxhetin familjar?! Dhe, në fund të fundit Gjermania dhe shtetet tjera po i japin vizat për kuadro të reja dhe profesionale kosovare sepse kanë nevojë për to, pa investuar as edhe një cent të vetëm në shkollimin e tyre. Në ndërkohë ne po importojmë kuadro intelektualisht dhe profesionalisht impotentë dhe të rrjedhur duke ua besuar përgjegjësi që as në ëndërr nuk do t’i merrnin në mend. Në mungesë të kokave të mençura duhet të llogarisim dhe shpresojmë në gabimet e Serbisë, sikur në rastin e mosnënshkrimit të Marrëveshjes në Rambuje. Mirëpo, duket se Vuçiqi ka marrë mësim nga pësimi i Millosheviqit dhe se do ta luaj lojën: “tërhiq e mos e këput”. Ndërkaq, pala kosovare e ka vështrë ta pranojë këtë propozim sikur që e ka edhe më vështirë ta refuzojë!
Sindikalistët (s) ka kush t’i thyej: SBASHK-u e nisi vitin shkollor me greva, sikur edhe në vitet e mëparshme. Më herët greva përfundonte, kryesisht në favor të SBASHK-ut kurse tani, kryeministri Kurti, bashkë me kamarillën qeverisëse bëri e ç’nuk bëri për ta dobësuar dhe për ta përçarë grevën. Dhe duket se e arriti këtë qëllim. Tash, për ta ruajtur grushtin e qeverisë dhe nderin e Rrahman Jasharajt, u angazhua si ndërmjetësues Avokati i Populli për të: “larë m.. me sh..ë”. Është e qartë se SBASHK-u, plumbin për derra të egër e harxhoi duke gjuajtur lepuj andaj po e paguan një çmim, dorëzimi i ndershëm para një terrori mediatik linçues të eksponentëve të qeverisë apo stalinistët – enveristët e thekur nga Tirana, Elvis Hoxha dhe Hysamedin Ferraj sikur edhe Babushka e Stalinit në Tiranë, sigurimsja Mihali. Nuk mbahet mend se dikush i ka luftuar më shumë sindikatat se qeveria aktuale e cila, e gjetur nën presion të sindikatave evropiane dhe të botës, pas reagimeve të shumta, po përpiqet të gjejë një strategji dalëse nga kjo situatë. Pas ndërprerjes së grevës do të kërkohet që Arbërie Nagavci t’ia dërgojë kokën (postin) e Rrahman Jasharajt kryeministrit Albin Kurti për ta kënduar këngën: “trupi në Pejë o Rraho, koka në Prishtinë, të prenë o të grinë o Rraho, në Gjakovë dhe Prishtinë…”. Divide et impera, përçaj dhe terrorizo është mënyra më e mirë për të vendosur rregull duke i treguar muskujt pushtetor sindikatës. Rrahman Jasharaj është dashur ta bëjë vlerësimin real të situatës para se të hyjë në grevë dhe të ketë përkrahje të plotë të anëtarësisë. Së fundi, nuk dihej kush ishte përfaqësues i vërtetë i sindikatave, Rrahman Jasharaj apo Arbërie Nagavci! Nëse Rrahman Jasharaj do ta kishte përkrahjen e plotë dhe efektive të BSPK-së, roli i Arbërie Nagavcit do të vendosej në kornizat e reales apo që e meriton, një korriere e vogël partiake, ma shall të kuq rreth qafe. Në tërë botën sindikata është për të “krijuar probleme” kurse qeveria për të zgjedhur probleme. Ndaj Rrahman Jasharajt kishte një trajtim sadist dhe mazokist nga segmente të caktuara të qeverisë. Po ta kishte quajtur brate në vend vëlla, Rrahman Jasharaj do të trajtohej më dinjitetshëm. Rrahman Jasharaj mund ta ketë ngulur një gozhdë në arkivolin e Arsimit kosovar por, Arbërie Nagavci do ta varrosë këtë arkivol – arsim, edhe pa atë gozhdën e Rrahman Jasharajt.
Konspiracione dhe përralla në It’s Kosova: Partia e famshme Guxo mbajti Kuvendin ku u zgjodhën dy kryetarë, ka katër deputetë, një presidente dhe 12 anëtarë që garantojnë se lirisht, deri në pëprfundim të mandatit do ta kalojnë pragun e Zyrës së Presidencës së Kosovës. Për zgjedhje kandidon si bisht i LV-së ndryshe, edhe pragu më i ulët për ta kapërcyer do të jetë i lartë sa Mont Everseti në Himalaje.
U përhap, pas hakimit të faqeve të Ministrisë për Punë të Brendshme të Shqipërisë, një lajm se ndaj Izet Haxhës, Xhavit Halitit dhe kryeministrit Kurti qenka bërë gati një atentat zinxhiror dhe se këtë do ta bënte një snajperist nga rrethi i Shkodrës. Pastaj doli një informatë se edhe ndaj Fatmir Limajt dhe 6 politikanëve kosovarë kishte planifikim për atentat. Prej këtyre atentateve, të gjitha kanë qenë vetëm si projekt, si ide ndërsa i vetmi atentat që ka dështuar në Kosovë e që edhe ngjau ishte sulmi me bomba mielli të tipit 500 ndaj ministrit Murati. Krejt të tjerat janë p…ë të ftohta. Xhavit Halitin po e vrajnë që 40 vite dhe nëse Xhaviti do t’i kishte 7 shpirta (si macja), nuk do t’i mjaftonin të mbetej gjallë. Izet Haxhën e futën në burg më heret kurse Albin kurti u blindua nga rojet e shumta. Personalisht, aspak nuk besoj në këto të dhëna që janë deshifruar pas hakimit të dokumeneteve të ndjeshme. Izet Haxha nuk është atraktiv për atentat, Xhaviti po hynë në listën ku më parë do t’i bëhet atentat biologjik (për shkak të moshës) kurse Albin Kurtin nuk ta prekë askush, nuk ka pse! Por ne jemi të tillë, nuk merremi me gëra të vogla prandaj edhe kapemi për konspiracione të mëdha, jo Veton Surra është mason, jo Besnik Bislimi është inteligjent, jo grupi Teknik për bisedime pëprbëhet nga patriotë e jo mercenarë, jo Danimarka po e pezullon marrëveshjen me Kosovën për trafikim me qenie njerëzore (me të burgosur), jo Gjeti po bëhet kryetar i Tanzanisë etj. It’s Kosova, kjo është Kosova. Për fat të keq.