Mëse 600 punëtorë operativë të Ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës SH.A”, sportelistë e postierë, ende nuk i kanë marrë pagat e tyre për muajin e fundit, shkruan Gazeta Sinjali.
Një sportelist në kushte anonimiteti ka thënë për Gazetën Sinjali se ata ende nuk i kanë marrë pagat, pavarësisht se posta veç kësaj ndërmarrja ka shpallur edhe konkurs për rekrut të rinj.
“S’i kanë qit rrogat hiq rrogat Posta e Kosovës që nëntë ditë. Edhe, çka o ma e forta ata kanë qelë konkurs edhe nja 30 vende me i shti në punë, punëtorë të ri. Këta s’di qysh ia kanë qit terezinë. Unë punoj në sportel. Kurrkujt hiq s’ja kanë qit rrogat. Deri në të pestin i kanë pagu vetëm shoferat”, tha punëtori i Postës për Sinjalin.
Ai thotë se hall nuk kanë gjetur as te menaxhmenti pavarësisht kërkesave të tyre.
Kurse kryeshefi i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi ka thënë për Sinjalin se gjendja e rënduar me financa tek Posta nuk është një gjë e re dhe për vonesat në ekzekutimin e pagave, fajin po ia lë borxhit që atyre ua ka Telekomi.
“Gjendja në Postën e Kosovës është me vonesa të pagave dhe mosmundësi të ekzekutimit me kohë qysh para pandemisë. Edhe në vitin 2018 ka pas vonesa në ekzekutimin e pagave. Edhe e kam trashëgu një borxh prej ATK-së prej 1.5 milionë euro i cili është dashtë m’u riprogramu dhe është bë barrë edhe për shkak të vështirësive që i ka sjell pandemia, nuk është përmbush biznes plani.
Ndërsa vonesat janë për shkak se Posta e Kosovës nuk po mund t’i sigurojë borxhet që ia ka Telekomi. Telekomi nuk po mund të i përmbushë obligimet që i ka ndaj qerasë dhe shërbimeve në Postën e Kosovës që e kap shumën mbi 2 milionë euro sipas faturave të shkurtit”, ka thënë Smakiqi.
Sipas tij, paga për punëtorë operativë pritet të dalë nesër teksa ajo për pozitat menaxheriale, pritet të vonohet deri pas javës së tretë të muajit.
“Pagat për postierë dhe sportelistë kryesisht i kemi ekzekutu më datën 5 por për mars i kemi paralajmëru edhe punëtorët edhe sindikatat sepse është muj më sfidues. Unë jam në transparencë të plotë me sindikatat. Punëtorët operativë që punojnë direkt me konsumatorë do t’i marrin pagat nesër, pra sportelet dhe postierët. Aty hyjmë mëse gjysma e punëtorëve, 600-700. Për punëtorët menaxherialë pritet të ketë vonesa”, ka shtuar Smakiqi.
Teksa sa i përket konkursit, Smakiqi ka thënë se është bërë për shkak të lënies së punës, vdekjeve e daljes në pension të mëse 100 punëtorëve.
“Të gjitha këto pozita janë të parapara me Planin e Biznesit 2021-2023 dhe do të angazhohen sportelistë e postierë, në mënyrë që të përmirësojmë shpërndarjen e dërgesave të punëtorëve dhe ofrimin e shërbimeve në përgjithësi”, ka shtuar Smakiqi.
Që nga 1 gushti 2012 Posta e Kosovës është Ndërmarrje Publike Qendrore. /Gazeta Sinjali/