17.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Qeveria nuk është as muzgut e as pizhameve, por është qeveri pa kravatë!

LutfiHaziri5-30Anëtari i Kryesisë së LDK-së, njëherësh kryetar i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka vlerësuar të vështirë 100-ditëshin e parë të punës të Qeverisë së Kosovës, e cila udhëhiqet nga koalicioni PDK-LDK.

Në intervistë për “Epokën e re”, Haziri ka thënë se në këto 100 ditë Qeveria Mustafa është ballafaquar dhe sfiduar me protesta të dhunshme dhe kërkesa sindikale.

“Ky 100-ditësh ka qenë jashtëzakonisht i vështirë dhe nuk ka lejuar shumë të fokusohet në ndërtimin e planeve dhe projeksioneve qeveritare”, ka deklaruar Haziri, duke shtuar se dinamika e kësaj qeverie është sinonim i LDK-së. “Dinamika e qeverisë është sinonim i LDK-së, e cila duket në vete se është e ngadalshme, por as nuk vonohet e as nuk ngutet, asnjëherë”.

Ndërsa duke iu referuar kritikave të opozitës, rreth 100 ditëve të para të qeverisë Mustafa, Haziri ka thënë se kjo qeveri nuk është as vazhdimësi e qeverisjes Thaçi e as qeveri e muzgut apo pizhameve. Sipas tij, kjo qeveri është pa kravatë.

“Nuk është as qeveri e muzgut, as e vazhdimësisë e as pizhameve, por qeveri pa kravatë, e cila është duke punuar shumë dhe në heshtje. Kjo qeveri është duke u angazhuar që problemet që ka Kosova t’i kthejë në prioritete sepse Kosova nuk mund të udhëhiqet me politika ad-hoc, personale dhe rajonale”, ka vlerësuar Haziri.

Për dallim nga qeveria Thaçi II, Haziri ka thënë se kjo qeveri është më premtuese dhe më shpresëdhënëse sepse, sipas tij, bashkon dy rivalët më të mëdhenj politikë.

“Qeveria aktuale është më premtuese dhe shpresëdhënëse sepse bashkon dy rivalët më të mëdhenj politikë në Kosovë, të cilët janë bashkuar për ta zhvilluar Kosovën dhe për t’i përballuar sfidat që kanë të bëjnë me përmbylljen e tranzicionit politik dhe kalimin në atë ekonomik”, ka thënë ai.

Më Shumë

Lajmet e Fundit