-0.7 C
Prizren
E enjte, 16 Janar, 2025

Refuzohet kërkesa për hudhjen e aktakuzës ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit në Prizren, Nijazi Kryeziu

Gjykata Themelore në Prizren e ka refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës në rastin ku ish-drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Nijazi Kryeziu, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Nijazi Kryeziu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar–dhjetor 2015, se në mënyrë të kundërligjshme ka lidhur kontratë me televizionin lokal, TV Opinion, për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës  Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Refuzimi i kërkesës për hudhjen e aktakuzës, është bërë në seancën e së mërkurës, pasi paraprakisht mbrojtësi i tij, avokati Arben Shala, pas pranimit të ekspertizës së ekspertit Agim Sheqiri, ka parashtruar një kërkesë të tillë.

Avokati Shala, ka thënë se pas leximit të ekspertizës vërehet qartë se eksperti vetëm ka bërë ndarjen në kolona nga ekspertiza e mëhershme e vitit 2017, dhe ka bërë përshkrimin e ekspertizës së mëhershme, sipas tij, pa i marrë rrethanat dhe pa analizuar delegimin e kompetencave shtesë që burojnë nga ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Sipas tij, në këtë ekspertizë nuk argumentohet me prova bindëse shuma prej 200 euro, ku nuk ekziston kontrata, prandaj ai ka thënë se mbetet në tërësi pranë kërkesës për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Nga ana tjetër, prokurori i rastit, Mehdi Sefa, ka kërkuar që aktakuza të pranohet, pasi që sipas tij, ka mbështetje në provat që janë siguruar në mënyrë të ligjshme dhe se fajësia e të akuzuarit, siç ka deklaruar ai, do të vërtetohet gjatë procesit gjyqësor.

Pas kërkesës së avokatit mbrojtës, Arben Shala, që aktvendimi për refuzimin e kërkesës për hudhjen e aktakuzës t’i dorëzohet me shkrim, gjykatësja Raima Elezi, ka thënë se një gjë të tillë do ta bëjë në afatin e paraparë ligjor.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 14 tetor të këtij viti, Kryeziu ishte deklaruar i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 2 gusht 2019, i pandehuri Nijazi Kryeziu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Nijazi Kryeziu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2015, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kryeziu, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapsinor të Komunës  Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Kryeziu, gjatë periudhës kohore 01 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV Opinionin, në vlerë prej 600 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 7200 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të KPRK-së.

Ndryshe, Kryeziu është i akuzuar edhe në rastin e njohur “Pronto”, së bashku me ish-shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputetin aktual të PDK-së, Zenun Pajaziti, e të tjerë.

Kurse, muaj më parë, Kryeziu ishte shkarkuar edhe nga posti i tij si këshilltar i kryeparlamentarit Kadri Veseli, pas vendimit të këtij të fundit për shkarkimin e zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që kanë aktakuza. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Limaj shkon në zonën industriale në Suharekë: Qeveria i la pas dore bizneset, kjo është shqetësuese

Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka vizituar sot gjatë ditës biznese në zonën industriale në Suharekë, për të cilat ka thënë se janë shembuj...

Zhduket një vajzë në Malishevë

Një vajzë është zhdukur në Malishevë. Më saktë, vajza është nga fshati Drenoc i Malishevës. Policia e Kosovës ka njoftuar se tashmë rasti është nën hetime. “PERSON...

Lajmet e Fundit