Nga: Mr.Sc Shaban Osmanollaj – Has
Ndërtimi i rrugës që lidh Gorozhupin e Hasit të Kosovës me Pogajn e Hasit të Shqipërisë nuk është vetëm një projekt infrastrukturor. Është një premtim që vjen nga thellësia e brezave, një urë që lidh jo vetëm dy shtete, por dy zemra të një populli të vetëm. Për hasjanët, kjo rrugë është më shumë se asfalt e rruge, është kujtim, dashuri dhe amanet.
Nëpër kodrat e Pashtrikut, nën hijen e Drinit te Bardhe, e nën erën që vjen nga Pogaj, janë endur rrëfime të pafund për ndarjen e vëllezërve e motrave, për kufirin që dikur ndante sofrat, por jo shpirtin. Hasi ka qenë gjithmonë një, në këngë, në zakone, në gjak e lufte e në besë. Dhe tani, me ndërtimin e kësaj rruge, ajo njësi shpirtërore po merr trajtë fizike, po rilidhet si dikur.
Në këto kujtime gjallon edhe rrëfimi për gjyshen time, Shkurte Pogaj, një grua e fortë nga Pogaj i Shqipërisë. Pleqtë dhe familjare në lagje tregonin me dashuri për të, si për një grua që nuk njihte pengesa kur bëhej fjalë për lidhjet me të afërmit e saj përtej kufirit. Thoshin se sa herë mblidheshin gratë te Kroni i Gorozhupit, ajo bashkohej me to – rrinte dy ditë andej, lante dhe shpërlante teshat e prindërve të saj, Taf Pogaj e Fatime Pogaj, e më pas, me mall në zemër, kthehej sërish përmes kodrave në anën e burrit të saj ne fshatin Gjonaj, permes Gorozhupit.
Kjo histori e thjeshtë, që unë vetë e kam dëgjuar vetëm në rrëfime, më kujton se sa shumë kanë vuajtur e sa fort kanë dashur brezat tanë. Kufiri s’mundi kurrë ta ndante dashurinë e një bije për prindërit e vet, as mallin e një populli për tokën e vet. E gjyshja Shkurte, me duart e saj që lanin teshat në ujin e kronit të përbashkët, ka larë në të vërtetë ndarjet e një kohe, duke ruajtur bashkimin në shpirt e zemer.
Në vitin 2014, së bashku me ish-Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Qemajl Minxhozi, e që dua të shpreh mirënjohje të veçantë patëm fatin dhe nderin të nisim një nismë për ta parë këtë rrugë të bashkimit si një projekt të mundshëm. Atëherë inspektuam terrenin, biseduam me banorët dhe e besuam fort se një ditë kjo rrugë do të bëhej realitet. Dhe sot, ajo që dikur ishte ëndërr, është bërë rrugë e gjallë, e cila po hapet dita-ditës, me shpresën që të vazhdojë më tutje deri në qytetin e Krumës.
Si stërnip i Pogajve, ndjej krenari që jam pjesë e kësaj treve që gjithmonë ka ruajtur shpirtin e bashkimit dhe dashurinë për vendlindjen. Kjo rrugë është një trashëgimi për të gjithë ne, për bijtë dhe bijat e Hasit që kurrë nuk e harruan njëri-tjetrin, pavarësisht kufijve.
Ky projekt është më shumë se ndërtim, është ringjallje e historisë sonë. Ai është një përkulje para brezave që e ruajtën identitetin edhe në kohët e ndarjes, dhe një falënderim për të gjithë ata që dhanë kontribut në liri, luftëtarët dhe dëshmorët e UÇK-së, falë të cilëve sot ecim të lirë nëpër këtë rrugë.
Rruga që është ndërtuar sot është amaneti i brezave tanë, që të jemi bashkë, të ecim drejt njëri-tjetrit, pa frikë e pa pengesa, ashtu siç e kanë ëndërruar gjithmonë bijtë e këtij dheu.
Marketing
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren