17.8 C
Prizren
E enjte, 9 Maj, 2024

Seanca konstituive me 12 shtator

Brovina-Rugova(E plotësuar) Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila ka nisur më 17 korrik do të mbahet më 12 shtator.

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, në të cilën do të zgjedhet kryetari dhe nënkryetarët, do të mbahet më 12 shtator në orën 10:00.

Kështu u vendos në takimin e sotëm të thirrur nga Flora Brovina me partitë parlamentare.

Ftesës së kryesues së seancës konstitutive i janë përgjigjur përfaqësuesit e PDK-së dhe minoriteteve. PDK-ja është përfaqësuar nga nënkryetari Enver Hoxhaj. Në këtë takim nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e bllokut LDK-AAK-Nisma dhe as ata të Lëvizjes Vetëvendosje!

Kryesuesja e seancës konstituive, Flora Borvina pas takimit me përfaqësuesit e partive të pakicave dhe PDK-në, caktoi vazhdimin e seancës konstituive me 12 shtator.

Brovina nuk ka dashur të flas shumë rreth bojkotimit të bllokut LDK-AAK-Nisma, por ka bërë thirrje që në seancën konstituive të marrin pjesë të gjitha partitë politike duke thënë se seanca do të vazhdoj në piken ku ajo e ka ndërprerë më 17 korrik.

“Ne u konsultuam së bashku sepse këtë na obligon edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtuese , si kryesuese e kësaj seance. Seanca konstituive ka mbetur pa përfunduar dhe ajo duhet të vazhdojë në pikën e fundit që është zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Ne u morën vesh për datën 12 shtator që të mbajmë vazhdimin e seancës konstituive”, tha ajo.

Ndërsa përfaqësuesi i PDK-së, Enver Hoxhaj u bëri thirrje të gjitha partive politike që ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se PDK mbi të gjitha e ka interesin shtetëror. Ai është shprehur i bindur se institucionet e Kosovës do të krijohen nga PDK.

“Ajo që ka nevojë Kosova është që pas tre muajsh të ketë institucione që të tejkalohet ngërçi politik, por mbi të gjitha të respektohet vullneti i qytetarëve i cili është vendosur me 8 qershor. Institucionet e Kosovës do të dalin fal rezultatit të zgjedhjeve dhe këto institucione do t’i formoj PDK-ja e cila është parti fituese e këtyre zgjedhjeve, por natyrisht në sistem parlamentar ne do të gjejmë dhe krijojmë partnerë me të cilët do t’i ndërtojmë institucionet tona”, tha ai.

Hoxahj tha se ata të cilët nuk iu përgjigjen këtij takimi, e kanë lënduar Kushtetutën e Kosovës.

“Mendoj që çdo kush i cili sot nuk ka marr pjesë në këtë takim e ka lënduar Kushtetutën e Kosovës, nuk e ka respektuar vendimin e Gjykatës kushtetuese dhe ne i bëjmë ftesë çdokujt i cili është në jetën politike parlamentare që ta ruaj traditën e mirë që kemi pasur, që vendime e Gjykatës të respektohen dhe çdo herë forcat politike kanë pasur madhësi shpirtërore, vizion politik, dhe interesin e shtetit, qytetarëve para interesave personale të liderëve të caktuar të partive politike”, theksoi ai.

Hoxhaj nuk e ka bërë publike emrin e kandidatin për kryeparlamentar duke thënën se kryesia do të vendos në fillim të javës që vjen.

Përfaqësuesi nga radhët e minoriteteve, Nenad Rashiq, ka thënë se ata janë neutral dhe se do ta respektojnë vendimin e gjykatës kushtetuese. Ai ka thënë edhe nëse ndodhë skenari i 17 korrikut ata do të qëndrojnë në salle për të votuar kryetarin.

Më Shumë

Lajmet e Fundit