16.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Shkuarja e fshehtë e Rugovës në Romë, si u fotografua nga SHIK-u (Foto)

Në fillim të prillit 1999, ndërsa sulmi i NATO-s mbi ish-Jugosllavi i pati mbushur dy javët e para, u përhapën fjalë se Ibrahim Rugova ishte vrarë në selinë e tij në Prishtinë.

Në një rast u tha se vetëm ishte plagosur.

Gjithkund vëzhguesit e huaj politikë shfaqnin merakun se në rrethanat e bombardimeve masive dhe të hyrjes në Kosovë jo vetëm të ushtrisë jugosllave apo të policisë speciale, por sidomos depërtimi deri aty i grupeve paraushtarake serbe, veprimet e të cilave gjithkush në Beograd bënte be se nuk kishte fuqi t’i vinte nën kontroll, e kishte shtuar mjaft rrezikun për jetën e tij.

Ibrahim Rugova1

Këtë ndjesi pasigurie e pati shumuar edhe vetë Rugova, duke i deklaruar në Prishtinë një medie të huaj se ai po rrinte në shtëpinë e vet si miu me macen.

Ndërkaq, ishte përhapur nëpër kontinent një deklaratë e shkurtër e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naim Jerliu, sipas të cilit, “Ibrahim Rugova nuk është në gjendje tani për tani të kryejë detyrën e kryetarit”. Për ta bërë më të qartë idenë e vet, ai pati shtuar se “Rugova nuk është i lirë”.

Në ambasadën shqiptare në Romë, këtë kohë me një personel diplomatik dhe konsullor që nuk i kalonte të tetë vetët, ndjekja e këtyre zhvillimeve kishte përparësi absolute. Lufta e Kosovës kishte përfshirë në një devocion e patos të madh, në një gëzim dhe frymë solidariteti tërë shqiptarët ku ndodheshin.

Me një ritëm që nuk e kishte provuar kurrë më parë punonte edhe shteti i Shqipërisë, pjesë modeste e të cilit ishte edhe përfaqësia diplomatike e tij në Romë, e drejtuar prej Leontiev Çuçit.

Në ambasadë dihej fare hollësisht se komuniteti i Sant Egidios, bashkësi pranë Vatikanit, ndërmjetëse e njohur kohë më parë mes Presidentit kosovar dhe Sllobodan Millosheviçit për një marrëveshje shkollimi të lirë të shqiptarëve, pati ndërhyrë sërish mes të dyve. Përfaqësues të saj kishin shkuar posaçërisht në Beograd dhe i patën propozuar Presidentit të Jugosllavisë së mbetur që ta ndihmonte Ibrahim Rugovën të dilte nga vendi.

Sipas tyre, ai duhej të strehohej në një kryeqytet të Perëndimit.

Millosheviçi pati pranuar.

Një jetëhumbje e Rugovës, e provokuar marrëzisht prej ultraradikalëve paraushtarakë dhe qëllimisht nga ndonjë agjenturë e huaj jodashamirëse, atij do t’i kushtonte shumë. Do t’i jepte shkas Aleancës Atlantike dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të justifikonin para opinionit publik botëror një intensifikim edhe më të madh të bombardimeve, në mos edhe fillimin e një ndërhyrjeje ushtarake nga toka.

Ndërkaq ai ishte i bindur se Ibrahim Rugova, i nxjerrë jashtë Jugosllavisë, ishte shumë më i vyer për të: mund të përdorej për diversion. Të paktën në dy drejtime kryesore.

I pari ishte për të përçarë Perëndimin.

Ky në çështjen e zgjedhjes së rrugës së luftës kundër Millosheviçit nuk kishte qenë aq fort unik dhe shtetet, partitë politike, institucionet apo grupet dhe individët e ndryshëm që kërkonin me forcë ndërprerjen e sulmit të NATO-s, përditë e më shumë shtoheshin. Një Rugovë i njohur për pacifizmin e tij do të shkaktonte rritjen e kësaj fryme.

I dyti diversion kishte të bënte me UÇK-në. Alternativa e saj e luftës, të paktën jashtë vendit, do të vihej në vështirësi. Imazhi i saj po ashtu, do të ngarkohej me fajin se ishte në mos një bandë terroriste apo ekstremiste marksiste-leniniste, patjetër një grup islamik.

Ndërkohë Sllobodani shihte mirë edhe një të çarë tjetër, ku mund të mësynte me Ibrahim Rugovën të lënë të lirë të vepronte në Perëndim sipas doktrinës së tij pacifiste.

Ibrahim Rugova2

Dinaku i Beogradit shenjë të goditjes diversioniste kishte edhe Italinë.

Këtu, Kryeministri Masimo D’Alema i ish-komunistëve, këmbëngulës për rrugën e luftës me armë ndaj Millosheviçit, gjithsesi në këtë përzgjedhje mezi e mbante në fill të perit qeverinë e vet. Në parti kishte mjaft kundërshtarë, përditshëm në presion ndaj tij për ndërprerjen e menjëhershme të bombardimeve.

Ja pse një Rugova në Romë mund të nxiste tërthorazi provokimin e një krize qeveritare. Pastaj “tullat” do të binin njëra pas tjetrës. Italia ishte baza kryesore, më e madhe dhe më e afërta e NATO-s, prej ku niseshin më e shumta avionët luftarakë drejt Jugosllavisë së mbetur.

Loja me një pacifist në rastin e Presidentit kosovar, që kur kishin nisur bombardimet, do të ishte hera e dytë e manovrimit të tij për të përçarë aleancën perëndimore euroamerikane. Eksperimentin e parë me rolin shkurajues të tejpaqësorëve Sllobodan Millosheviçi sapo e pati përfunduar në mbyllje të ditës së 1 majit.

Ibrahim Rugova3

Në Beograd ai ishte takuar me referendin amerikan, ultrapacifistin e shumënjohur në botë, Xhesi Xheksën. Si shpërblim për imazhin pozitiv që me praninë e tij po i jepte, Presidenti jugoserb e pati njoftuar për vendimin e lirimit të tre ushtarëve amerikanë të zënë rob nga serbët plot një muaj më parë.

Xheksëni pati deklaruar para medias, se “ky veprim i Presidentit jugosllav ishte një hap pozitiv që duhej vlerësuar nga NATO”. Ai uronte që ajo t’i kthente reciprokisht, në shenjë hapjeje, edhe dy ushtarët serbë të kapur rob.

Millosheviçi i pati dhënë referendit Xhesi Xheksën edhe një letër personale të tij për Presidentin Bill Klinton. Këtë letër Xheksën e mori me vete.

Referendi amerikan ishte pa mbërritur ende në Shtetet e Bashkuara, kur u njoftua se Departamenti Amerikan i Shtetit i bënte të ditur opinionit publik se lirimi i tre ushtarëve amerikanë ishte një gëzim për familjet e tyre. Ndërkohë, shtonte se autoriteteve jugosllave të mos u shkonte ndërmend se ata do të përdoreshin si plaçkë tregu.

Refugjatet kosovare

Bombardimet do të vazhdonin intensivisht, 24 orë për 24 orë.

Vepron VOS (Vojna Oobavestajna Slluzhba)

Sulmet e pandërprera ajrore të NATO-s në 2 maj patën shkaktuar ndërprerjen e energjisë elektrike pothuajse në të gjithë Serbinë. Dritat në qendër të Beogradit u rindezën vetëm në mëngjesin e të nesërmes. Pastaj, pak nga pak, korrenti furnizoi disa prej qyteteve të tjera të Jugosllavisë.

Ndërkaq përtej, në gadishullin Apenin, opinioni publik italian ishte i ndarë në dy pjesë: pro dhe kundër luftës.

Në këto çaste, kur shumë njerëz të lëkundur dhe të gatshëm të mendonin shumë keq për UÇK-në, u përhap lajmi se dy shqiptarë nga Kosova, rezidentët në Itali, Agim G. dhe Ismet D., të arrestuar nga policia vendase, kishin pranuar në hetuesi fajin e tyre.

Fjalët e tyre pohuese qenë fare të qarta: “Po, kemi shpërndarë heroinë, por për çështjen e lirisë së Kosovës”.

Kjo shkaktoi zhgënjim të madh edhe tek ata italianë që ishin për rrëzimin e regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Madje përshtypja e keqe e pohimit se liria e një populli shkëmbehej me drogë shkoi dëshpërues deri te një militant i njohur i Partisë Radikale (Luço Berté), i cili kishte tri javë në një grevë urie, me kërkesë që Millosheviçi jo vetëm të hiqej nga pushteti, por edhe të çohej para Gjykatës së Hagës me akuzën për gjenocid ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

Sikur të mos mjaftonte kjo, pas dy avionëve amerikanë të goditur dhe të rrëzuar nga mbrojtja kundërajrore serbe, në mesditën e 2 majit pati rënë në Adriatik një bombardues tjetër, por në këtë rast për shkak të një defekti teknik.

Ishte e nesërmja, 3 maji, e hënë, kur ajo çfarë domosdoshmëria e aksionit të NATO-s kundër Sllobodan Millosheviçit humbi njëzet e katër orë më parë, e rifitoi këtë ditë.

NATO

Përballë publikut italian ishte shfaqur Ismail Kadare.

Ai i pati dhënë një intervistë gazetës “La Repubblica”. Ajo menjëherë e kishte vënë në faqen e parë. Titulli ishte “Sindroma e vjetër që trondit Ballkanin”.

Në të Kadareja thoshte se krimet e mëdha duan shumë kohë për t’u përgatitur. Shtypja e popullit shqiptar, ngulte këmbë ai, ishte një ëndërr e vjetër e Serbisë.

“Me të janë marrë, shkruante, klasa të tëra politike, akademikë, shkrimtarë, gazetarë e peshkopë. Deri sa ka edhe një akademik me emrin Vaso Çubrilloviç që në 1937 shkroi traktatin e tij kriminal”. Më pas Ismail Kadare përmendte nobelistin Ivo Andriç, i cili pati firmosur “Draft of Albania”, në të cilin shkruhej se “ndarja (zhdukja) e Shqipërisë nga harta e Ballkanit është një e keqe e nevojshme”.

Gjithë italianëve që këmbëngulnin për tërheqjen e menjëhershme të qeverisë dhe të vendit të tyre nga zgjidhja e krizës së Kosovës nëpërmjet ndërhyrjes së armatosur, Kadare u kujtonte se dhuna ndaj shqiptarëve qe përgatitur me një heshtje kriminale, se me këtë heshtje serbët ishin përpjekur që çështjen e Kosovës ta bënin të pandjeshme për ndërgjegjen europiane, madje ta vinin në gjumë që të mos zgjohej kurrë.

“Tani në Kosovë triumfojnë kriminelët”, shkruante Ismail Kadare. “Bota njeh vetëm majën e ajsbergut, vazhdonte ai, shumë shpejt do të mësohet e vërteta. Që nuk do të vonojë të arrijë dhe atëherë do të kenë shumë njerëz që nuk mund të flenë qetësisht”.

Në rreshtat e fundit të intervistës ai denonconte deportimin masiv të fëmijëve nga Kosova, “gjë që, theksonte, duket hapur në ekranet televizive”. Ishin 250 mijë që dhunoheshin, ngulmonte ai, “dhe akoma në disa qoshe të botës diskutojnë se fjala gjenocid është ende e shpejtuar”.

Por dita e 3 majit do të kishte edhe një lajm-bombë. Pacifistët e shumtë italianë, ata që manifestonin nëpër rrugë për ndalimin e bombardimeve të NATO-s, do të kishin një rrethanë shkurajuese. “Corriere della Sera”, më e madhja e vendit, do të publikonte një artikull të titulluar dukshëm me fjalët “Kundërzbuluesit italianë në gjurmim të terroristëve serbë në Veri”.

Me të gazeta njoftonte opinionin publik se agjentët italianë qenë mobilizuar në zbulimin e një grupi sabotatorësh serbë, të cilët kishin marrë urdhër të vepronin në veri të vendit. Sipas së përditshmes sabotuesit qenë dërguar nga Vos (Vojnaobavesajna Slluzhba) që në Jugosllavi merrej me operacionet jashtë vendit.

Shkrimi ngulte këmbë se diversionistët serbë kishin marrë detyrë ta dënonin me aksione destabilizuese një vend si Italia për mbështetjen që po i jepte UÇK-së. “Corriere della Sera”, nëpërmjet burimeve informative që zotëronte, ishte e bindur se kundërzbuluesit italianë, të vënë në alarm prej veprimtarisë së VOS në vendin e tyre, patën nisur që në ditët e para të bombardimeve të kontrollonin imtësisht refugjatët që hynin.

Sipas gazetës, spiunazhi serb ishte përqendruar sidomos në kontrollimin e aktivitetit të një diplomati europianoverior në Romë, identiteti i të cilit nuk zbulohej. Ky ishte personi kyç që organizonte pa rënë shumë në sy të gjithë furnizimin me armatim për UÇK-në, sasi e cila qe përherë në rritje.

“Corriere della Sera” qe e mendimit se agjentët italianë mobilizimin e tyre të posaçëm ndaj VOS e kishin edhe prej një rrethane tjetër: disa ditë më parë në Athinë ishte kryer një atentat, i cili ishte firmosur me autorësinë “Celula revolucionare”, çfarë vlerësohej prej tyre si terminologji e frymëzuar sipas propagandës serbe.

Dita e 3 majit 1999, e cila ishte e hënë, në Itali qe me të vërtetë mjaft e ndërlikuar. Në Portin e Ankonës, policia vendase kishte arrestuar një prift të Caritas, organizatë e njohur katolike e krishterë e profilizuar për ndihmë humanitare. Motivi i prangimit të tij ishte befasues. Ai mbahej përgjegjës se nuk merrej me misionin e vërtetë të shoqatës ku bënte pjesë, por krejt të kundërtën: furnizonte me armë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Si të organizuara prej tij, nën shënimin “Ndihmë për refugjatët”, qe një sasi e madhe armatimi e diktuar në portin e Ankonës mbi tre kamionë TIR, pikërisht në çastin ku këta po bëheshin gati të hynin në traget.

Bëhej fjalë për 30 tonelata bomba dhe raketa.

Saktësisht qenë 2.662 bomba për granatëhedhës, të gjitha prodhim ish-sovjetik dhe dikur jugosllav. Si edhe 352 granata të tjera. Këto të fundit ishin prodhim i standardeve të NATO-s. Në ngarkesën e kapur nuk mungonin edhe 18 antitanke, 8 raketa antiajrore, 30 raketahedhës si dhe municion tjetër më pak i rëndësishëm.

Sipas policisë italiane të tre kamionët qenë nisur nga Gjermania, më pas ishin ngarkuar në Sarajevë. Pasi patën bërë rrugëtim toke dhe hyrë në Italinë e Veriut. Prej Portit të Ankonës do të zbarkonin në Shqipëri. Armatimin po e prisnin persona të caktuar në një kamp refugjatësh në Shkodër.

Ndërkohë pikërisht në Ankona, Partia Radikale organizoi në mbrëmje një demonstratë. Bashkë me italianët qenë edhe shqiptarë kosovarë me banim në Itali, por edhe të tjerë të ardhur nga Europa Perëndimore. Ata hodhën pa pushim parulla për UÇK-në dhe kërkuan dënimin për krime të Sllobodan Millosheviçit.

Në mbrëmjen e 3 majit, kanali i parë i televizionit publik italian, Raiuno, në edicionin kryesor të lajmeve, në orën 20.00, bëri edhe një surprizë: Ai transmetoi për herë të parë nga Tirana një telereportazh ekskluziv të TV Klan-it. Në të tregohej se si një grup xhirimi shqiptar kishte depërtuar brenda Kosovës dhe qe takuar me një grup luftëtarësh të UÇK-së. Këta deklaronin se patën vrarë tre ushtarë serbë.

Raiuno tha se UÇK, pasi kohë më parë pati kapur rob një ushtar serb, atë ditë kishte zënë edhe një tjetër. Që të dy u qenë dorëzuar amerikanëve. Sipas këtij televizioni robërit i kapte ose UÇK ose më shumë gjasë trupa speciale britanike që hynin brenda territorit të Kosovës.

Një e martë plot ankth

Ishte 4 maji 1999, ditë e martë, ajo që mbante ngjarjen më të papritur dhe më të bujshme: mbartjen sekrete të Ibrahim Rugovës nga Prishtina në Beograd dhe pastaj në Romë

Sllobodan Millosheviçi, pas dështimit me referendin Xhesi Xheksën i nisi Perëndimit “dhuratën” tjetër. Me shpresë që këtë herë t’i ecte dhe flota e madhe ajrore e Aleancës Atlantike t’i ndalte reaktorët e avionëve.

Në Itali, superngjarja u ndje fillimisht vetëm tek një person: ministri i Jashtëm italian, Lamberto Dini.

Personi i dytë që u vu menjëherë në korrent qe kryeministri Masimo D’Alema.

Gjithçka e dukshme e kësaj befasie kishte nisur në pasditen e 4 majit, kur Millosheviçi telefonoi Dinin dhe u ofroi qeverisë italiane që në Romë të vinte Rugova. Presidenti jugosllav kishte shqiptuar saktësisht fjalët “Zoti Rugova është një njeri i lirë, ka kërkuar të vijë në Romë dhe ju prej kohësh keni kërkuar t’i garantoni lirinë. Në rast se e pranoni në Itali ejani ta merrni”.

Lamberto Dini i kërkoi Sllobodan Millosheviçit një kohë të mjaftueshme për t’i dhënë përgjigje. Pastaj njoftoi kryeministrin D’Alema. Por edhe ky, nga ana e vet, kërkonte kohë. Nuk e kishte në besë njeriun e Beogradit, çfarë qe edhe opinioni i ministrit të tij të Jashtëm Dini.

Kështu të dy u mblodhën, bashkë me disa këshilltarë të ngushtë, në një mbledhje urgjente. Në fund të saj vendosën ta “shohin” lojën e Millosheviçit.

Pra, Rugovën do ta pranonin.

Koordinimin e të gjitha veprimeve për këtë operacion që nuk ishte thjesht një lëvizje fizike personi shumë të njohur publik, por edhe gjeopolitikë delikate (prej vetëm një gabimi të vogël komprometohej një bashkësi e madhe shtetesh të Perëndimit) do ta bënte Masimo D’Alema.

Ky vuri kusht që ardhja e Ibrahim Rugovës të kryhej me shpejtësi: brenda 24 orëve.

Pastaj për çfarë do të ndodhte Kryeministri italian njoftoi sekretaren amerikane të Shtetit, Mejdlin Ollbrajt, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana, dhe kancelarin gjerman Gerhard Shrëder.

Për realizimin teknik të udhëtimit të fshehtë të Ibrahim Rugovës nga Beogradi në Romë u ngarkua nënsekretari kryeministror Marko Miniti si dhe Xhanfranko Batelli, shefi i SISM-it, Shërbimit Sekret Ushtarak Italian.

Pas kësaj iu kthye përgjigje Sllobodan Millosheviçit: Ok, e presim.

Zbuluesi amerikan telefonon në mesnatë

Rugova bashkë me familjen e tij dhe i shoqëruar nga policia serbe, në një operacion që e udhëhiqte një nënkryeministër jugosllav, mbërriti në Beograd në pasditen e vonë të 4 majit 1999.

U dërgua menjëherë në një rezidencë sekrete.

Këtë çast për të gjithë ata që kishin pasur për detyrë speciale të ndiqnin fatin e Presidentit të Kosovës, fillon një mbajtje fryme. Millosheviçi po kujdesej posaçërisht që fshehtësia e veprimeve rreth çfarë po ndodhte me Rugovën, të shkaktonte kaos dhe tension tek informatorët dhe zbuluesit e Perëndimit. Kjo psikozë do të përcillej edhe te politikanët, patjetër. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin vend qe tashmë në armiqësim të plotë, po ashtu.

Ishte një lloj hakmarrje e tij dëshpëruese, në pamundësi ta fitonte betejën në frontet e tjera.

Qe pjesë, ndoshta, e kësaj manovre, përhapja e vetëtimtë në Romë, në qytetin ku politikani shqiptar VIP, pra i një rëndësie dhe vlere tepër të veçantë, do të zbarkonte të nesërmen, e një lajmi konfuz, me as këmbë dhe as kokë, pa asnjë burim të sigurt, që nuk kishte me vete asnjë provë.

Në Ambasadën Shqiptare, pasi kishte qarkulluar furtunshëm nëpër zyra shtetërore italiane dhe përfaqësi të huaja diplomatike (por çuditërisht jo aq shumë nëpër redaksitë e gazetave) hyri në mbrëmjen e vonë të 4 majit fjalënaja se Ibrahim Rugova ishte parë të largohej nga Prishtina për në drejtim të Beogradit dhe se këtu kishte humbur krejtësisht gjurmët.

Mund edhe të qe vrarë.

Në orën njëmbëdhjetë të natës në celularin e konsullit Drini Bello, i cili realisht ishte punonjës i shërbimit të fshehtë civil shqiptar, ra një zile ngulmuese. Qe partneri i tij në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Romë, me të cilin kishte kohë që bashkëpunonte, madje prej kolegëve në përfaqësinë shqiptare jo vetëm ai.

Amerikani pyetjen e parë në atë orë të vonë ia bëri të drejtpërdrejtë: “Ku je?” Bello iu përgjigj: “Në shtëpi”. “Të lutem, foli shkurt tjetri, a vjen dot deri tek ambasada jonë?” “Po vij”.

Nga Viale Eritrea, ku diplomatët shqiptarë në Romë kanë apartamentet e tyre, deri në Via Veneto, në qendër të qytetit, atë natë kur po mbyllej 4 maji 1999, Drini Bello e bëri me makinën e tij personale në më pak se një gjysmë ore. Gjithë rrugën mendoi se për çfarë informacioni zbuluesi amerikan interesohej me aq ngut. Kishte merak se mos ajo çfarë i duhej atij nuk qe në dijeni të tij. Nuk pati ndodhur vetëm një herë kur gjendej pa asnjë informacion korrent. Ngjarjet rreth zhvillimeve në Kosovë dhe në Shqipëri ecnin marramendshëm. Me shpejtësinë e tyre të nxirrnin jashtë loje.

Pastaj vagëllimthi çoi nëpër mend një mbresë të bukur që e kishte pasur atë ditë që në mëngjes. Ismail Kadare njëherësh në të përditshmen franceze “Le Monde” dhe italianen “La Stampa” pati botuar një shkrim shumë të fortë në favor të qëndrimit të ashpër ndaj regjimit të Millosheviçit. Në të ai tërhiqte vëmendjen e Europës se e keqja e krijuar në Serbi nuk është vetëm për shqiptarët, por për të gjithë Perëndimin. Kadare në shkrimin e tij për tërë francezët dhe italianët, sillte në kujtesë të tyre një hollësi kuptimplotë: me masakrimet që serbët u bënin trupave njerëzorë të shqiptarëve provonin jo vetëm për egërsinë dhe primitivizmin e tyre, por edhe për faktin se kështu ata provonin që në gadishull qenë ardhës. Në traditë popujt e Ballkanit, theksonte ai, e kanë të ndaluar sakatimin e trupit.

Ismail Kadare me batarenë e artikujve dhe intervistave të tij ato ditë qe bërë po kaq mbrojtës i Kosovës sa edhe vetë flota ajrore e NATO-s.

Vetëm kur iu afrua kompleksit të shumë godinave të Ambasadës së SHBA në Via Veneto, Drini Bello, në përpjekjen e tij për të gjetur arsyen përse zbuluesi amerikan e kërkonte në mesnatë, shkoi ndër mend vizitën ato çaste të Bill Klintonit në Gjermani. Duke mos ua dhënë gjermanëve Ibrahim Rugovën, çfarë thuhej se qe një nga alternativat e dëshiruara të udhëheqësit kosovar, Sllobodan Millosheviçi, me ofertën për Italinë, i kishte bërë një sfidë Presidentit të SHBA.

Sapo u takuan, amerikani i tha shkoqur: “Shërbimi ynë është shumë i shqetësuar dhe duam patjetër informacion mbi gjendjen e Ibrahim Rugovës, pra është gjallë apo i ka ndodhur gjë jetës së tij”.

Bello u gjend i befasuar. Me një rrjet të gjerë dhe të përsosur për grumbullim informacioni, përfshi edhe ambasadën e tyre në Tiranë, përse ia kërkonin atij në Romë një të dhënë që mund ta merrnin prej kolegëve të tyre në kryeqytetin shqiptar? Ndoshta shefat e lartë të shërbimit të fshehtë amerikan të njëjtën kërkesë paralelisht ua kishin bërë të gjithë vartësve të tyre.

Kolegu rrinte në këmbë para tij dhe, duke e parë ngulshëm, priste përgjigje. Besonte se kolegu shqiptar duhej ta dinte të vërtetën. Kishin tërë Kosovën që e informonte shtetin e tyre.

Atëherë Drini Bello, i cili nuk dinte asgjë, por kishte besim se e vërteta duhej të qe ashtu siç mendonte ai, i tha amerikanit prerë: “Rrini të qetë se Rugova është gjallë”.

Tjetri e falënderoi dhe hyri në ambasadë.

Tashmë kishte kaluar mesnata. Bello e ngau me shpejtësi makinën drejt ambasadës së tij, në Via Asmara. E zgjoi shifrantin, i cili jetonte në ndërtesë bashkë me familjen dhe ky fillimisht i përgjumshëm, nuk po e pikaste çfarë i kërkohej me kaq shumë nxitim në atë orë tepër të vonë. Megjithatë pas një çerek ore, pasi u kodua, radiogrami u nis drejt shërbimit të fshehtë civil në Tiranë.

Në thelb në të thuhej çfarë kërkonin amerikanët e misionit partner. Përgjigjja nuk vonoi më shumë orë. Mbërriti dhe thoshte pak a shumë “Ke vepruar drejt. Ibrahim Rugova është vërtet gjallë. Mund ta konsumosh këtë fakt me kë të duash. Megjithatë ne nuk e dimë se për ku është drejtuar. Kjo e dhënë do të na interesonte”.

Fluturimi i avionit special “Falcon”

Në Beograd, Ibrahim Rugovën bashkë me familjen dhe këshilltarin personal e nxorëm nga rezidenca sekrete në mëngjesin vonë të 5 majit. Prej atje, nën masa të mëdha sigurie, ai shkoi në selinë e përfaqësisë diplomatike italiane. Aty e priti ambasadori Rikardo Sesa. Ky e qerasi dhe të dy biseduan për një kohë të gjatë.

Për në aeroport, ku e priste një avion special “Falcon” i Shërbimit të Fshehtë Ushtarak Italian, i ardhur që para se të vinte mesdita, Rugova dhe njerëzit e tij u gjendën në orën 15.00. Qe i pranishëm edhe Rikardo Sesa.

Në “Falcon”, grupi i shqiptarëve hipi menjëherë dhe avioni u nis drejt Italisë në 15.30. Fluturimi i tij u ndoq nga radarët e NATO-s. Në komandë të kësaj mbrojtjeje ishte gjenerali Dino Trikario, shefi i vëzhgimit ajror në Viçensa.

Ibrahim Rugova mbërriti në aeroportin e Çampinos, në Romë, rreth orës 17.00. U prit nga nënsekretari kryeministror Marko Miniti.

Pikërisht që prej këtij çasti, pra mbërritjes së sigurt të presidentit kosovar në tokën italiane, u ndërpre edhe regjimi i mbajtjes top-sekret të lajmit. Tashmë ai do të bëhej publik. Për këtë qëllim ishin marrë masa që në aeroport të pranishëm të qenë disa kanale televizive vendase.

Kështu mbërritja në Romë e liderit kosovar u bë në orën 20.00, lajmi kryesor i më të fuqishmëve stacione mediatike italiane: Raiuno dhe TG5. Në 20.30 e kumtoi me përparësi edhe Raidue. Më pas gjithçka qe vetëm hov i pandalur informimi rreth së papriturës që sapo kishte ndodhur. Gazetarët me këtë rast nuk harronin të thoshin se emri i bashkëshortes së Ibrahim Rugovës qe Fana dhe se të dy kishin ardhur në Romë bashkë me tre fëmijët e tyre. Shtonin se këshilltari personal i presidentit të Kosovës quhej Adnan Merovci.

Nga supernjoftimi i ri gjatë mbrëmjes dhe natës së 5 majit u fshinë nga kronikat dy lajme që në rrethana të tjera mund të jetonin shumë më gjatë. E përditshmja afër Partisë Komuniste, “Il Manifesto”, pati botuar një shkrim denoncues për 32 kamionë ushtarakë zviceranë të blerë nga qytetarë kosovarë, të cilët ishin bllokuar në portin e Barit. Autori pyeste me maraz se për ku qenë nisur ata kamionë. Dhe po vetë përgjigjej jo pa inat: për UÇK-në.

Lajmi tjetër kishte të bënte me një vendim të qeverisë italiane për të sjellë nëpërmjet ajrit, nga Maqedonia në Itali, 10 mijë refugjatë kosovarë. Pesë mijë prej tyre do të vendoseshin në ish-bazën ushtarake të Komizos, në Sicili.

Ndërkaq, Rugova dhe njerëzit e tij, nën masa shumë të forta sigurie, gjatë rrugëkalimit përfshirë edhe snajperë dhe madje autoblinda, prej aeroportit “Çampino” shkoi në rezidencën ku do të qëndronte për të gjithë kohën e mëpasshme: Villa Doria Pamphili.

Por kjo ato çaste nuk u bë e ditur për median. Masa e fshehtësisë së atij udhëtimi ende nuk ishte hequr krejtësisht. Ibrahim Rugova do të kishte edhe një takim sekret, atë me Kryeministrin D’Alema dhe ministrin Dini.

Kjo ndodhi pak minuta më parë se ora 19.00.

Biseda u zhvillua nën hijen e pemëve në vilën Algardi të Villa Doria Pamphili. Zgjati një orë. Në 20.12, Kryeministri italian qe parë duke lënë rrugën “Banfila”. Më pas qe filmuar nga disa televizione duke hyrë në selinë e Kryeministrisë.

Për çfarë të dyja palët patën biseduar u mbajt e fshehtë. As Masimo D’Alema, as Lamberto Dini dhe as Ibrahim Rugova nuk folën rreth tematikës që shkëmbyen. Pas takimit nuk u bë as edhe ndonjë komunikatë për shtyp.

Gjithsesi, për ta mbushur këtë boshllëk dhe shkurajuar ndonjë sulm gazete përse gjithçka e biseduar me Ibrahim Rugovën u kyç, qe Lamberto Dini që lëshoi disa mendime personale. Ai pohoi se “kishte konstatuar që Rugova ishte i lodhur, por jo konfuz”, se “Rugova është një njeri i lirë, i lirë të shkojë ku beson, për të rifilluar aktivitetin e tij politik në favor të Kosovës”.

Ministri i Jashtëm italian në të njëjtën kohë pati deklaruar se “Ai nuk erdhi te ne me asnjë plan ose ndërmjetësim me ndokënd që mund të mendohet: ai ka idetë e tij, të moderuara, të ekuilibruara, të afërta me ato të qeverisë italiane, për një zgjidhje politike të krizës. Që ka nevojë për hapa nga ana e Millosheviçit”.

Sidoqoftë, qenë gazetarët që zbuluan disa hollësi. E para kishte të bënte gjuhën e përdorur në bisedë. Sipas tyre kishte qenë frëngjishtja. E dyta, çfarë zgjonte kërshëri të madhe për lexuesit, ishte një hollësi rreth shallit që Rugova mbante të mbështjellë vazhdimisht rreth qafës. U konstatua se Presidenti i Kosovës në takimin me Kryeministrin italian dhe ministrin e Jashtëm e kishte ndërruar atë. Nga i kuq që e kishte, kur zbriti, pati vënë një të errët me topa të bardhë.

Nga biseda paraprake, ajo para takimit kokë më kokë të të treve, gazetarët nxirrnin në pah këto copëza fjalish dhe frazash:

Rugova: “Jam i shqetësuar për gjendjen e kosovarëve”.

Masimo D’Alema: “Mendoj se mund të luani një rol të rëndësishëm”.

Rugova: “Në udhëtimin tim nga Prishtina në Beograd pashë shtëpi të boshatisura e të djegura, një vend të shndërruar në hi: populli im nuk është më në Kosovë dhe për ta risjellë atë në Kosovë më mirë është të punoj në Romë, ku kam mijëra miq”.

Po ashtu: “Shpëtoni popullin tim, bëni që në Kosovë të ndërhyjë një forcë ushtarake ndërkombëtare, realizoni me Millosheviçin një marrëveshje politike, por mos pranoni një armëpushim sa kohë që nga Beogradi nuk vijnë shenja të qarta”.

Kështu ishte vetë Rugova që e kishte “zhgënjyer” Sllobodan Millosheviçin, duke bërë shenjën e sigurt se nuk do t’i shërbente lojës së tij të lejes dhe ndihmës për të ikur.

Duket që këtë pasojë në Beograd e prisnin. Televizioni dhe radioja shtetërore jugosllave në edicionet informative të orës 20.00 dhe 20.30 nuk dhanë asnjë lajm për lirimin e Rugovës. Korrespodentët veçuan vetëm një flesh të radios shtetërore të transmetuar në valët e një kanali privat, sipas të cilit qe shpërndarë për opinion një lajm i shkurtër me fjalët “autoritetet jugosllave në respekt të dëshirës së Ibrahim Rugovës për të shkuar në Itali, e lejuan atë…”.

Nga Tirana qorton Sabri Godo

Ndërsa shtypi italian në mëngjesin e 6 majit solli informacion masiv për udhëtimin e fshehtë të Ibrahim Rugovës nga Beogradi në Romë, si edhe për gjithçka tjetër të ndodhur më pas në Villa Doria Pamphili, nuk munguan edhe lajmet rreth reagimit të qeverive të tjera të Perëndimit. Ato nxorën në pah një deklaratë të Presidentit amerikan, Bill Klinton. Që nga Gjermania ku ndodhej për vizitë, ai komunikonte për opinionin publik ndërkombëtar se “sulmet ajrore do të vazhdojnë”.

Kjo donte të thoshte se NATO dhe Shtëpia e Bardhë bashkë me aleatët e saj europianë nuk do ta lejonte që ardhja e Ibrahim Rugovës nga Prishtina në Romë, nëpërmjet Beogradit dhe Sllobodan Millosheviçit, të realizonte diversionin e këtij të fundit për t’i përçarë.

Ndërkohë, Departamenti i SHBA-së deklaroi se lirimi i tij “ishte një zhvillim pozitiv” dhe se “priste me ankth të takonte Ibrahim Rugovën”.

Të njëjtën gjë deklaroi edhe NATO.

Më pas, me një shpejtësi qartësisht të dukshme, sikur të donte të kthjellonte çdokënd të errët të gjithë kësaj historie, Departamenti Amerikan bëri të ditur se “dëshirojmë të bisedojmë me Rugovën”. Duke u shprehur po ashtu edhe “nëse Rugova ka lirinë për t’u shprehur”.

Ndërkaq, surpriza erdhi nga Tirana. Mbërriti në Romë nëpër natën e vonë të 5 majit. Të nesërmen veçanërisht e spikatën disa media. TG5 e titulloi lajmin gjurmëlënës “Dush i ftohtë vjen prej Shqipërisë”.

Lajmi sfidues ishte ky: Sabri Godo, kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit shqiptar pati deklaruar se Ibrahim Rugova nuk kishte mandatin e forcave të tjera politike kosovare për të kryer bisedime në kryeqytetin italian.

Kjo shkaktoi konfuzion tek opinionistët vendas dhe po ashtu pasion për debat. Pyetej nëse Rugova e kishte me vete tërë popullin e tij apo lufta e armatosur e UÇK-së dhe e NATO-s e kishin nxjerrë jashtë ndikimit atë bashkë me doktrinën e tij pacifiste.

Ky debat u mbyll me opinionin më të pranuar: Ibrahim Rugova zotëronte 60 për qind të popullit kosovar.

Nga e gjithë kjo me Sabri Godon mbeti i inatosur vetëm Enriko Mentana, drejtori i TG5, i cili nguli këmbë: “Rugova vjen të bisedojë për paqen dhe kur bëhet fjalë për paqen nuk kemi nge të dëgjojmë daullet që bien nga të tjerët”. Ai shtoi se e vlerësonte Ibrahim Rugovën si “përfaqësues të demokracisë në Kosovë, ndryshe nga të tjerët, ata të UÇK-së, që kryejnë luftën e armatosur”.

Operacioni përfundoi mirë, dhuratë shishja e madhe me uiski

Në pasditen e 6 majit në adresë të Drini Bellos, në Ambasadën Shqiptare në Romë, prej qendrës së tij të shërbimit të fshehtë civil në Tiranë, erdhi një radiogram i ri. Ai thoshte përafërsisht se “Kemi informacion që Rugova është drejtuar për në Romë. Ta gjesh ku është akomoduar dhe mundësisht dhe këtë, po e bëre, do të na sjellësh shumë shërbim: na duhen foto të vendit ku po rri”.

Atëherë Bello mori dy djem të rinj sportivë nga Burreli, shkuan te Villa Doria Pamphili, u dha aparatin fotografik dhe ata njëri pas tjetrit hipën në një nga qiparisat përreth saj. Për një gjysmë ore fotografuan gjithçka prej ndërtesave dhe oborrit, përfshi edhe vetë Ibrahim Rugovën në një çast kur doli te shkallët.

Filmi me pamjet e porsamarra u la te një laborator privat, fotot u mbyllën në zarf dhe Drini Bello rendi për në aeroportin civil, Fiumiçino. Aty e gjeti një udhëtar shqiptar, që iu duk i besueshëm dhe ky, sapo zbriti në Rinas, u gjet përballë me të dërguarit nga shërbimi për ta marrë zarfin.

Ndërkohë, në Romë në apartamentin dhomë-kuzhinë, sa çfarë diplomatët shqiptarë në Viale Eritrea dje dhe sot kanë si hapësirë banimi, nga kolegu amerikan, Drini Bellos, i mbërriti një dhuratë. Ishte një shishe e madhe uiski i shtrenjtë si edhe një shall.

Ngjarjet vazhdonin për mbarë. Ibrahim Rugova kishte folur gjatë me telefon me sekretaren amerikane të Shtetit, Ollbrajt. Kjo pohoi se “tani Rugova pranon aksionin e NATO-s” dhe “e kupton çfarë është e nevojshme për të bërë që të kthehet në Kosovë populli i vet”.

Në 7 maj në mbrëmje, Rugova pati takuar në Romë edhe ministrin e Jashtëm shqiptar, Paskal Milo. Biseda kishte përfunduar me një “no comment”. Pas një bisede që ministri kishte bërë me Tiranën, ishte vendosur që “deri nesër të mos ketë asnjë deklaratë shtypi”. /autor i këtij shkrimi, të marrë nga gazeta “Shqip”, është Ylli Polovina/.

Më Shumë

“Fortnight”, kënga e re e Taylor Swift thyen rekord!

Kënga e re e Taylor Swift “Fortnight” po korr një sukses të jashtëzakonshëm. Spotify së fundmi njoftoi se kënga e 34-vjeçares “Fortnight”, me Post...

Beteja për titull zhvillohet në Suharekë

Ndeshje vendimtare për titullin e kampionit mund të jetë derbi që zhvillohet sot (e shtunë) në Suharekë mes liderit aktual në elitë, Ballkanit dhe...

Lajmet e Fundit