7.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Shuarja e klasës së XIII rrezikon 60 profesorë në Prizren

Gjimnazi Gjon BuzukuKanë punuar për vite në shkolla të mesme të Prizrenit, por tani rrezikojnë të mbeten pa punë, pasi paralelet në të cilat ata kanë punuar, fillimin e vitit të ardhshëm shkollor nuk do të startojnë, pasi me vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Kosovës (MASHT) shkollimi i mesëm tashmë do të përfundojë me mbarimin e klasës së XII.

Shuarja e klasave të XIII, të fundit për disa drejtime në shkollimin e mesëm, e bën të paqartë fatin e mbi 60 mësimdhënësve, të cilët kanë qenë të angazhuar në procesin edukativ në paralelet që tashmë nuk janë.

Drejtori për Arsim në Prizren, Nexhat Çoçaj, pranon se heqja e kësaj klase përbën një problem madhor këtë vit, pasi nga shtatori nuk do të jenë edhe 42 klasë të XIII, ndërsa kjo do të thotë se 63 norma mësimore janë më pak.

“Drejtoria e Arsimit ka marrë masat dhe po i planifikon gjërat me kohë, për të hapur një shkollë të re profesionale, atë të kompetencës, në mënyrë që askush të mos largohet nga puna dhe mësimdhënësit përsëri nga shtatori të jenë në profesionin e tyre, ndonëse në një shkollë tjetër”, tha për “Zërin” ai.

Çoçaj tha se me fillimin e vitit të ri shkollor do të hapet Shkolla e Kompetencës, që është donacion i qeverisë së Luksemburgut dhe se DKA-ja tri vjet më parë ka përcaktuar drejtimet arsimore.

“Në konkurset e hapura, përparësi në drejtime të përgjithshme kanë punëtorët, të cilët kanë mbetur pa punë, pas heqjes së klasës së XIII”, tha ai.

Konkursi do të hapet edhe për shkollën e Agrobiznesit, që fillimisht parashihet të funksionojë në ndonjërin prej objekteve të shkollave që punojnë vetëm në një ndërrim, pasi aktualisht nuk ka objekt të posaçëm.

Zyrtarët arsimorë thanë se do t’i shikojnë mundësitë për ta futur në buxhet ndërtimin e një objekti të posaçëm për këtë shkollë.

“Në shkollat e reja, mendoj se do të sistemohen të gjithë punëtorët dhe se asnjëri nuk do të largohet nga puna”, tha Çoçaj, duke treguar se tashmë është hapur edhe afati i parë për regjistrim në Shkollën e Kompetencës dhe në atë të Agrobiznesit.

Në Shkollën e Kompetencës veçantia është se praktika do të zhvillohet në Gjermani, ndërsa do të jetë e mbikëqyrur nga donatori, ndërsa sipas zyrtarëve diplomat e kësaj shkolle do të njihen edhe jashtë Kosovës.

Shkolla e Kompetencës dhe ajo profesionale e Agrobiznesit ofrojnë drejtime të reja dhe pritet të nxjerrin kuadro që vlerësohet se janë të mirëseardhura për tregun bashkëkohor të punës, sidomos për atë të ekonomisë e bujqësisë.

Profesorët e mbetur pa normë në Shkollën e Mesme Teknike mendohet të dërgohen në atë të Agrobiznesit.

Më Shumë

Lajmet e Fundit