7.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

“BeerFest” i familjarëve

BeerFest-prishtineMoti me shi ka shtyrë për dy ditë fillimin e edicioni të katërt të “Beer Fest”, por nuk e ka ndalur atë.

Derisa po bëheshin përgatitjet e fundit në skenën ku do të interpretojnë muzicientët e këtij edicioni të Festivalit të Birrës, fëmijët kanë vazhduar lojën e tyre në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku këtë vit është zhvendosur “Beer Fest”.

Madje janë parë edhe familjarë me karroca të fëmijëve, e të tjerë që i mbanin fëmijët në duar. Ekrem Tahiri, njëri nga organizatorët e “Beer Fest” ka thënë se në çdo edicion bëjnë përpjekje që ta përmirësojnë festivalin.

“‘Beer Fest’ në përgjithësi janë festa familjare. Nuk janë festa ekskluzivisht për një grup të caktuar të njerëzve, kemi dashur të bëjmë festë më familjare”, ka thënë Tahiri, për të shtuar se kanë dashur ta bëjnë më të qasshme për të gjithë.

“Pas orës 20:00 u kemi bërë apel gjithë prindërve që fëmijët, adoleshentët nuk e kanë vendin që të vijnë këtu, jemi përpjekur që të bëjmë një lloj vetëdijesimi”, ka treguar Tahiri për “Zërin”.

Ai ka thotë se në festival nuk ka bileta dhe se ata që janë nën moshën 18-vjeçare nuk do të shërbehen me pije alkoolike.

“Nëpër secilin tendë janë shenjat +18”, shton Tahiri. Ndryshe nga kjo, shumë të rinj nën këtë moshë janë parë me birra në duar. Në ceremoninë e hapjes kanë bërë “gëzuar” me gota të plastikës sepse nuk do të ketë shishe të xhamit.

“Mendojmë se kështu festa është më e bukur, nuk ka shishe nëpër tokë, është shumë më pastër edhe në një farë forme shishja është edhe një lloj arme”, ka thënë Tahiri.

Këtë vit “Beer Fest” do të mbahet për pesë ditë. dhe janë 17 brende të birrave që janë pjesëmarrëse në festival, tri prej të cilave janë vendore. Ekrem Tahiri thotë se siguria është në nivelin e duhur.

“Ka sigurim, është Policia dhe janë të gjendje të veprojnë në çdo kohë. Është ndihma e shpejtë në rast nevoje dhe kompanitë e pastrimit, që janë të kontraktuara nga Komuna e Prishtinës”, ka treguar ai.

Brahim Sadriu, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, ka thënë varësisht nga nevoja, Policia e Kosovës do të jetë e pranishme në “Beer Fest”.

“Nuk është raportuar ndonjë rast dhe nëse nuk është raportuar nuk mund të evidentohet”, ka thënë Sadriu.

Tendet për libra që janë të vendosura në sheshin “Zahir Pajaziti” asnjëherë nuk janë përdorur për këtë qëllim, por gjatë “BeerFest” ato do t’u shërbejnë disa kompanive për t’i shërbyer me ushqim vizitorët e Festivalit të Birrës.

“Jemi marrë vesh me Komunën e Prishtinës që kompanitë t’i shfrytëzojmë këto katër-pesë ditë për të shërbyer ushqim”, ka thënë Tahiri.

Festivali ka nisur me grupin muzikor “Oda”, veçohet pjesëmarrja e grupit “Minatori”, që pas kaq vitesh kthehet në skenë, ndërsa gjatë netëve do të interpretojnë edhe shumë grupe e DJ nga vendi, rajoni dhe më gjerë.

Krahas birrave e muzikës, të pranishmit kanë mundur të shikojnë edhe Kampionatin Botëror përmes monitorëve, që ishin vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Më Shumë

Lajmet e Fundit