Rudina Xhunga
Sende, elemente, gjëra të përdorimit të përditshëm, shndërrohen me kalimin e kohës në pjesë të memories dhe të trashëgimisë së njeriut. Xhunga shkruan mbi fuqinë e tyre dhe mbi ata që dinë t’i kthejnë ato në elemente muzeale.
Ne Muzeun e Artit Modern në Romë është edhe një Vespa, e ekspozuar në njërin prej pavijoneve. “Vespa dhe Pelushi”, quhet punimi i Sislej Xhafës, artistit kosovar. Nëpërmjet punimeve të babait të tij kam njohur Kosovën, arti i të birit, më dërgoi në fëmijëri. Sepse, kur pashë atë motor të vogël, më ngjau sikur dëgjoja, siglën e lajmeve të “Raiuno”-s, që e shikoja nëpër hekurat e dritares, së një shtëpie, në oborrin e së cilës luaja e vogël. Objekte të ndryshme sjellin kujtime të ndryshme, në një mënyrë, shpesh të pashpjegueshme.
Një vajze, kur i tregonin në “Instagram”, një pesëlekëshe nga ato të socializmit, ajo shkruante se i kujtonte erën e bukës së zezë, të ngrohtë, që pasi e blinte, kishte qejf t’i hante koren.
Një vajzë tjetër në Pogradec, mbesa e fotografit të famshëm të qytetit, çuditej kur i trokisnin në shtëpi dhe e pyesnin mos u kishte mbetur në arkivin e gjyshit, fotografia e dasmës së gjyshërve të tyre. Kjo trokitje në derë i shoqëroi fëmijërinë. Derisa vendosi të hapë një ekspozitë, me gjithë fotografitë e gjyshit. Ndërsa më pas, me ndihmën e piktorit të dashur të qytetit, Tasos, Amanda ka hapur, një muze ku çdokush mund të shkojë të heqë mallin e Pogradecit të vjetër, lagjeve e shtëpive të dikurshme, hotelit ku dikur mblidheshin Poetët, (tani gërmadhë e preferuar nga plehrat) , liqenin ku pikturonte Mio dhe shëtiste Lasgushi.
Të njëjtën ndjesi, merr, kur shkon në shtëpinë e Sali Shijakut, brenda plot me punët e piktorit të madh shqiptar dhe jashtë, oborri si dikur, i një Tirane si dikur, me ngjyra dhe dritë, me pemë dhe dashuri.
E kaluara është një prej mundësive të vetme që kemi për t’u çmallur, për të ndaluar, për t’u bërë gati për rrugë sërish.
Ndaj ndalojmë këmbët afër një kafeneje, ku bluhet kafe e sapopjekur dhe era të merr me vete në kohë apo afër një vazoje të mbjellë me borzilok, a indërshah.
Ose dyqane të vogla, të padukshme, të fshehura në lagje, ku shiten liko, turshi me patëllxhanë apo peta të thara, të duket sikur të tërheqin nga mënga, të hysh brenda.
Një nga gjërat që po humbasim në vrap e sipër është kujtesa personale, gjërat e vogla që na japin identitet, na bëjnë të veçantë dhe unikë, me të cilat mund të mburremi ose jo, por të paktën, do të kemi për të treguar. Çdo gjë që të duket e padobishme në një kohë, ka një vlerë të paçmuar në një tjetër kohë. Filxhanët e kafesë turke, me porcelan gjerman, prodhuar në 39, janë thjesht filxhanë për dikë që i sheh, në bufenë tënde, por për ty, janë buzët e gjyshes tënde, ato që të kanë mbajtur me përralla, janë shija e gishtit të lyer në kafe, për herë të parë e përherë, duke u lutur; edhe një herë, nëna, edhe një herë. Nuk ka rëndësi nëse gjyshja jote ishte e zakonshme, fakti që ishte vetëm jotja, e bën atë të jashtëzakonshme. Ndaj është një mrekulli, kur sheh njerëz që mbledhin dhe çmojnë të kaluarën e tyre. Njerëz të zakonshëm, histori të zakonshme. Ose aq më tepër, nipër zanatçinjsh, kasapësh të vjetër të qytetit, bukëpjekësish, gegësh, piktorësh, aktorësh, nga ata që nuk i kthehen më qytetit. Sa do të doja që në çdo shtëpi ku ata kanë jetuar të shkruhej, siç shkruhej dikur, këtu ka qenë bazë lufte. Për ta të shkruhej se kanë jetuar në atë apartament, në atë lagje, kanë pirë kafen, kanë lënë biçikletën, te ai cep.
Ollga dhe pellgu i vogël, në Tushemisht, ku Violeta Manushi lante duart në mëngjes, vizitohet aq shumë, aq shumë, sa më jep të drejtë për këtë që po them.
Sepse, nuk do të jetë gjithmonë kështu; do të kalojë etja për të reja nga Çiljeta, Sinani, Filani. Do e kalojmë si të gjithë, adoleshencën tonë kolektive dhe lum kush ka ruajtur të kaluarën dhe do bëjë muzeume, shtëpi arti, qendra ku do ndalojmë dhe kujtojmë, si ishte njëherë e një kohë.
Për të ardhmen, mendova, kur pashë atë Vespa blu, në dyshemenë e pavijonit të Muzeut të Artit Modern, në Romë. Ku Italinë e së shkuarës, e tregonte një Vespa dhe një Pelush i Sislej Xhafës. (mapo)