4.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Skënderbeu i tragjedisë së Haxhiademit: Një tjetër pavdekësi, por e plagosur

Nga: Visar Zhiti

Dua të marr ndër duar tragjedinë “Skënderbeu” të Etëhem Haxhiademit, ta shfletoj sërish e sërish, sidomos sot …

Vit Skënderbejan, 555 vjet pavdekësi … Prisja një si të kremte të madhe, mbarëkombëtare, me pjesëmarrje nga Evropa të cilën e mbrojti heroikisht; nga bota, historisë së cilës i përket … një Krujë tjetër, sheshe e shtatore të tjera, panteon të tij, mesha … ishte dhe Atlet i Krishtit … akademi, teatër, të ngjitej në skenë Skënderbeu i Haxhiademit … opera, ekspozita, konkurse e konferenca, kolanë botimesh skënderbejane, homazhe dhe fishekzjarrë në qiellin e tij sot.

555 vjetët pavdekësi e madhërishme si një tronditje në heshtje e tokës; 5-5-5 si një trini heroike përkrenaresh, edhe e shenjtë…

Por, unë i besoj letërsisë shumë. Skënderbeun na e lanë plot shkëlqim Barleti dhe Frang Bardhi etj.; e ringjallën De Rada dhe Naimi e At’ Fishta etj. Është e madhe biblioteka skënderbejane dhe shumëgjuhëshe.

Por, unë thashë, do marr një libër në gjuhën e Gjergj Kastriotit, tragjedinë e Etëhem Haxhiademit si për të gjitha këto …

Është një çudi e letrave tona, kam thënë, ka sjellë të paarritshmen nga askush më parë e as më pas. Ka botë dhe kohë, bashkon antikitetin greko-romak dhe klasiken e Rilindjes evropiane, iluminizmin, shekspirizmin me Rilindjen shqiptare duke ringritur ato që shembën shekujt e errësirës, pallatin mbretëror skënderbejan dhe katedralen e shpirtit të kombit.

Na ka sjellë një Skënderbe sa kompleks dhe të qartë si statujat e tij, mbret dhe luftëtar, udhëheqës dhe njeri, i mençur, zemërmadh dhe dinak, i pamëshirshëm dhe falës, i kërcënuar nga jashtë nga armiku i madh, por i kërcënuar dhe nga brenda, edhe nga tirania e vet e mundshme. Në krah ka Donikën mbretëreshë, dinjitoze, mbështetëse, rrezëllitëse si ikonë.

Shpirti i tragjedisë, vetë tragjedia është një grua tjetër: Zanfina, bashkëshortja e gjeneralit të Skënderbeut, e Moisi Golemit, që tradhtoi dhe u kthye prapë, një përzierje e ambicies shtetërore me qëndresën ndaj sindromave të tiranisë, misionar i detyrës dhe kundërdetyrës dhe detyrës prapë etj. Po është Zanfina më në qendër, që frymëzon dhe nxit, që guxon dhe flet. Kur burri i saj tradhton atdheun, ajo guxon dhe zgjedh të mbajë anën e burrit: është e tij, e betuar dhe kur burri kthehet i penduar, ajo e qorton që nuk e çoi deri në fund punën e nisur. Mbase e çon më tej Hamzai, nipi i Skënderbeut … Tragjedia është e gruas, ajo vret veten. Por, dhe e kombit … aty është thelbi universal i vetes, i njeriut.

Tragjedia nuk e ka mbushur ende shekullin, që nga kur është shkruar, në 1935, kur autori ishte 33 vjeç, në moshën e Krishtit në Gjirokastër, ku kishte lindur dhe bridhte antikrishti, djalli i kuq, që do të sundonte Shqipërinë për një gjysmë shekulli. Me të mbaruar Lufta e Dytë Botërore, fitimtarët do ta burgosnin tragjedianin e parë, Et’hem Haxhiademin me akuzën se ishte nacionalist, me Ballin e Kombit, pra, skënderbejan. Mbi supe i vunë kryqin e rëndë të dënimit me vdekje. Ai nuk doli gjallë nga burgu…

7 tragjeditë e tij (aq ka dhe Eskili) u ndaluan. Emri i tij u mallkua. U braktis ajo fryma e tij në letrat shqipe, u fut urrejtja dhe përçarja.

Nëse do të ishin lënë, qoftë dhe vetëm vepra “Skënderbeu” e Haxhiademit të lexohej, të njihej nëpër shkolla, edhe At’ Fishta, edhe Konica, edhe Nënë Tereza, më ndryshe do të ishte edukata kombëtare, besoj, duke u rritur do të silleshim më mirë si popull me njeri-tjetrin, do të kuptonin absurdin e luftës së klasave, dhembshurinë, do ta dinim se cili ishte armiku, sundimtarët dhe shtetin etj.

Tragjedi tjetër është tani dhe mosnjohja e tragjedive të tragjedianit të parë dhe të vetëm shqiptar, Et’hem Haxhiademit, lënia ende në “Burrelin e harresës”, moslejimi i asaj fryme njerëzore deri në shenjteri. Altarët e kombit po duan t’i mbushin serish me urrejtjen që la trashëgim Enveri, me antipsalmet e tij dhe për të, që i ndjejnë si poezi të djallit; në bibliotekë pëlqejnë librat me Stalinin; era e këtij dimri nëpërmend mjekrën e Marksit – kjo u duket epos. Asnjë fjalë për Haxhiademin, asnjë falje. Konvertim i frikshëm për të mbrojtur mashtrueshëm atë që ishin, socrealizmin e emrave …

Kur ktheva faqen e fundit të tragjedisë “Skënderbeu”, fjalëve të tij si amanet:

“Barbarit të tërbuem sa të jem gjallë,
Do t’i vërsulem rreptësisht me pallë
Dhe gjak i im bregoret do t’i lajë,
Që t’rroj Shqipnija dhe flamur’ i sajë!”

U shtova këto dy vargje në stilin haxhiademjan:

Dhe i vdekur armiqtë do t’i luftoj
Dhe me vdekjen time Atdheu do të rrojë.

Më Shumë

Ti je për mua një krijesë e trishtë

Poezi e shkruar nga Cesare Pavese. Përktheu: Orjela Stafasani Ti je për mua një krijesë e trishtë një lule e përkohshme poezie që bash në çastin kur e...

Tri përballje interesante në Albi Mall Superliga – vëmendja në Suharekë

Sot do të zhvillohen tri ndeshje në Albi Mall Superligën e Kosovës. Vëmendja do të jetë në Suharekë, pasi Ballkani është nikoqir i Dritës për...

Lajmet e Fundit