7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Suharekë/ Polici i akuzuar kërkon të lexohet CD-ja për të parë kush ia ka shkaktuar lëndimet të dëmtuarit

Është ndërprerë procedura gjyqësore në rastin ku Blerim Kuqi dhe Florim Pirku po akuzohen se gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kanë keqtrajtuar qytetarin Baki Shala.

Kjo ndërprerje ka ardhur pasi që gjyqtari Lavdim Bajraktari sipas detyrës zyrtare do të kërkojë nga Instituti i Forenzikës leximin e CD-së të cilën i akuzuari Blerim Kuqi në shqyrtimet e kaluara e ka parashtruar si provë pasi pretendon se me ato pamje e shfajësojnë nga akuza.

“Me këtë do të konstatohet se a kanë mundur të regjistrohen në CD lëndimet e shkaktuara ndaj të dëmtuarit”, ka theksuar gjyqtari Bajraktari.

Pas përgjegjës së pranuar nga Instituti i Forenzikës gjyqtari do ta caktojë shqyrtimin e radhës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Blerim Kuqi dhe Florim Pirku, akuzohen se më 7 mars 2018, në fshatin Mushtisht të Komunës së Suharekës, në një pikë kontrolli, si persona zyrtar të cilët duke e keqpërdorur detyrën zyrtare apo autorizimet e tyre, e keqtrajtojnë, frikësojnë, fyejnë rëndë dinjitetin e personit tjetër.

Sipas aktakuzës, derisa të pandehurit kanë qenë në detyrë, e ndalin të dëmtuarin Baki Shala për shkak të kundërvajtjes në trafik dhe gjatë shqiptimit të kundërvajtjes dhe mosmarrëveshjes që lind gjatë kësaj, i pandehuri Blerim Kuqi e fut dorën në automjet duke ia fikur atë dhe e godet të dëmtuarin me grushte disa herë në fytyrë, ndërsa i pandehuri Florim Pirku futet nga mbrapa në veturë të të dëmtuarit dhe e godet me grushte në kokë dhe fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 198 paragrafi 1 të Kodit Penal, ku dënimi parashihet prej 3 muaj deri në 3 vite burgim. Kjo vepër penale është e lidhur edhe me nenin 31 të Kodit Penal, ku parashihet dënimi edhe për personin e dytë i cili merr pjesë në veprën penale ose kontribuon në kryerjen e veprës penale. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Lajmet e Fundit