Figurë publike britanike, diplomat dhe shkrimtar, Aubrey Herbert (1880–1923) ishte gjysmë-vëllai i Lord Carnarvonit, i njohur për zbulimin e varrit të Tutankhamunit. I lindur në një familje aristokrate, ai ndoqi shkollën e Etonit nga prilli i vitit 1893 deri në vitin 1898, kur vazhdoi studimet për histori në Kolegjin Baliol [Balliol College] në Oksford. Punoi si atashe nderi në ambasadat britanike në Tokio (1902) dhe në Stamboll (1904), dhe udhëtoi gjerësisht nëpër Perandorinë Osmane. Si kandidat konservator, Herberti u zgjodh në Parlamentin Britanik në nëntor të vitit 1911 dhe ndihmoi, gjatë dekadës në vijim, në njohjen e çështjes shqiptare. Në vitet 1912 dhe 1913, udhëtoi në Ballkan. Në kohën e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913, e themeloi një Komitet Shqiptar për të udhëzuar delegacionin shqiptar në negociatat me Fuqitë e Mëdha dhe për të vepruar si një grup presioni për të mbledhur fonde dhe për të tërhequr vëmendjen mbi situatën e tmerrshme në Shqipëri. Ky Komitet Shqiptar u shndërrua në Shoqatën Anglo-Shqiptare (1918), në të cilën Herberti ishte president, dhe më pas në Shoqatën Anglo-Shqiptare. Në vitin 1913, Herberti takoi për herë të parë Edith Durhamin, me të cilën bashkëpunoi në angazhimet për ndihma. Ai ishte gjithashtu mik i Isa Boletinit. Në atë kohë, ai ishte bërë një hero kombëtar në Shqipëri, dhe emri i tij përmendej gjithnjë e më shpesh në lidhje me fronin bosh shqiptar. Që nga përfundimi i Luftës së Parë Botërore e deri në vdekjen e tij, ai shërbeu si mbrojtës i çështjes shqiptare, duke vepruar, ndër të tjera, si këshilltar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Aubrey Herbert është autor i vëllimit të botuar vdekjes së tij, Ben Kendim (Londër, 1924), nga i cili është marrë ky fragment. Teksti fokusohet në udhëtimin e tij përmes Novi Pazarit dhe Mitrovicës, në gusht të vitit 1912, dhe në veçanti në takimin e tij me Isa Boletinin të cilin ai e përshkruan si Robin Hudin e Shqipërisë.
Figurë nacionaliste shqiptare dhe luftëtar gueril, Isa Bej Boletini (1864–1916) lindi në fshatin Boletin afër Mitrovicës. Ai ishte një nga luftëtarët më të mëdhenj për liri të Kosovës në fund të shekullit të kaluar [shekulli XIX – shën. i përkth.]. Pas kryengritjes së Lidhjes së Prizrenit, më 22 prill 1881 ka marrë pjesë si i ri në Betejën e Slivovës kundër forcave turke. Në vitin 1902, Boletini u emërua komandant i “gardës personale shqiptare” të Sulltan Abdul Hamidit II (qeverisi në vitet 1876–1909) në Stamboll, ku kaloi pjesën më të madhe të katër vjetëve të ardhshme dhe mori titullin “Bej”. Ai ishte besnik ndaj sulltanit, por, në vitin 1908, fillimisht dha mbështetje për Turqit e Rinj. Kur Xhavit Pasha dërgoi një ushtri prej 7 000 vetash për të nënshtruar Kosovën në nëntor të vitit 1908, Boletini dhe një grup i vogël shokësh bënë rezistencë të ashpër. Pas arratisjes së tyre, trupat turke ia dogjën shtëpinë në shenjë hakmarrjeje. Në vitin 1909, Boletini udhëhoqi luftimet në Prishtinë, Prizren dhe në vende të tjera, ndërsa luajti rol të rëndësishëm në kryengritjen e përgjithshme në Kosovë në pranverën e vitit 1910, ku frenoi për dy ditë forcat turke në vendin Caralevë, ndërmjet Ferizajt dhe Prizrenit. Gjatë Luftës së Parë Ballkanike, në vitin 1912, ai udhëhoqi forca e armatosura guerile në Kosovë dhe më vonë në Shqipëri, në mbështetje të qeverisë së përkohshme që shpalli pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor 1912.
Në mars të vitit 1913, Boletini shoqëroi Ismail Qemal Bej Vlorën në Londër për të kërkuar mbështetjen britanike për shtetin e ri. Historiani Edwin Jacques tregon një anekdotë se si “gjatë hyrjes në godinën e Ministrisë së Jashtme Britanike [Foreign Office], për të mbrojtur çështjen e kombit të vet, policia e sigurimit i kërkoi të hiqte pistoletën nga brezi dhe ta linte në korridor. Ai pranoi pa kundërshtim. Pas takimit, ministri i Jashtëm, Sir Edward Grey, e shoqëroi Boletinin deri në korridor ku ky e vendosi sërish pistoletën në brez. Ministri i Jashtëm komentoi duke buzëqeshur: ‘Gjeneral, nesër ndoshta gazetat do të shkruajnë se si Isa Boletini, të cilin as Mahmut Shefqet Pasha s’mundi ta çarmatoste, u çarmatos në Londër’. Boletini u përgjigj me një buzëqeshje të madhe: ‘Jo, jo, as në Londër’, dhe nxori nga xhepi pistoletën e dytë”. Boletini u kthye në Shqipëri, ku trupat e tij mbrojtën princin Wilhelm zu Wied deri në largimin e këtij të fundit nga vendi. Më vonë u internua në Podgoricë, ku thuhet se u vra në një përplasje me armë.
Nga: Aubrey Herbert[1]
Përgatiti: Robert Elsie
Përktheu: Agron Shala
E diel, 25 gusht 1912. Novi Pazar. — Kur u zgjova në mëngjes, Ahmedi erdhi për të më thënë se kishte mbërritur një telegram nga Isa Boletini, ku thuhej se nëse do të më shkaktohej ndonjë dëm, i çfarëdoshëm, hakmarrja e tmerrshme do të binte mbi përgjegjësit, kështu që statusi im tani ndryshoi tërësisht dhe unë dhe Jacku ishim heronjtë e çastit. E lashë qenin e vogël, Parisin, dhe mikun e tij, një çift shumë i këndshëm, në kujdesin e një shqiptari miqësor. Ia dhashë Ahmed efendiut revolen time si dhuratë, sepse mendova se ndoshta po dilja nga zona e trazuar dhe nuk do të më duhej më. Ai nxori një thikë të punuar me argjend, për të ma dhënë mua, por unë e refuzova.
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Qyteti kishte dalë në vendin e pazarit për të na takuar dhe për të na përcjell. Kjo m’i kujtoi daljet për stërvitje të kalorësisë vullnetare [yeomanry], përveçse turma ishte veshur ndryshe. Ishin me jelekë ngjyrë të kuqe dhe të verdhë, me shalle të kuq dhe të zinj dhe me kapele të errëta; e ne krijonim një procesion piktoresk ndërsa niseshim, me roje përpara dhe prapa, si dhe kalorës anash. Herë ngisnim karrocën, herë kalëronim.
Rifati, një burrë i madh, me tre vëllezër po aq të mëdhenj sa vetë ai, erdhi me mua. Ai tha se atë verë kishte vrarë, në duele të ndershme, dymbëdhjetë burra; se ishte dora e djathtë e mytesarifit; se të tre vëllezërit e tij kishin qenë gjithashtu të jashtëligjshëm gjatë gjithë verës, dhe se babai i tij kishte frenuar një regjiment të tërë. Ai i vuri duart te qafa ime për të ma thënë këtë.
Disa milje larg qytetit, qytetarët luftëtarë ndaluan dhe formuan një rreth, dhe të gjithë mbajtën fjalime. Nuk besoj se kam parë ndonjëherë burra aq të fuqishëm fizikisht. Të gjithë thamë se çfarë do të bënim herën tjetër kur takohemi, dhe ata thanë se nëse do të ndodhte ndonjë telash, do të vinin të kërkonin besën (mbrojtjen) time në Angli. Ata dukeshin si mbretër me zhele. I thashë një shqiptari se do të mësoja gjuhën e tij, pasi kishim folur përmes një përkthyesi që dinte shqip. Ai u përgjigj në mënyrë madhështore: “Mëso vetëm emrat e armëve dhe mund të flasim goxha mirë”. Pastaj, shumica e tyre u kthyen mbrapsht, por shoqëruesit mbetën me mua. Gjatë rrugës pamë një grup serbësh në juglindje, por ata u zmbrapsën.
Shoqëruesit dhe unë folëm gjatë gjithë rrugës. Të gjithë u pajtuan se vrasja e Ivanit ishte fatkeqësi dhe turp. Unë thashë se gjërat e tilla dëmtojnë si myslimanët ashtu edhe të krishterët. Xhandarët thanë se ishte vepër e fëmijëve të paditur. Këta njerëz janë, supozoj, pasardhës të pacinakëve që bezdisnin shumë kryqtarët. M’i treguan ankesat kryesore të shqiptarëve. Së pari, kishte shumë zyrtarë dhe regjimi i ri i shqetësonte më shumë se ai i vjetri; së dyti, nuk u pëlqente shërbimi ushtarak, megjithëse kishte, pa dyshim, argumente edhe për të pasur shërbim të përbashkët ushtarak me të krishterët. Por, kishte gjithashtu shumë kundërshti. Myslimanët agjërojnë dhe të krishterët jo. Të krishterët pinë dhe tymosin duhan gjatë Ramazanit. Nuk ishte krishterimi ai që i shqetësonte, dhe këtë e tregon gatishmëria e tyre, siç thanë, për t’iu bindur oficerëve të huaj të krishterë. Ishte dallimi me zakonet e vendasve.
Duke zbritur në Sanxhak, kam takuar disa ushtarë të krishterë dhe dukej se shkonin shumë mirë me myslimanët. Sot ia ofrova bakshishin një burri, të cilin e refuzoi duke thënë, “Ne e bëjmë këtë me vullnet, për shtetin të cilit i shërbejmë; nuk kemi nevojë për ryshfet”. Të tjerët më thanë se ai veproi ashtu sepse shqiptarët po e shikonin, jo sepse e urrente të huajin apo nga përkushtimi ndaj detyrës.
Kam frikë se shoqëruesit e mi nuk mund të fitojnë ndonjë çmim për moral. Shumica e tyre kanë qenë në burg – jo se kjo domosdo dëshmon krimin nga ana e tyre – dhe ata mbetën jashtë e kanë bërë këtë vetëm falë pushkëve të veta. Ankesat e xhandarëve ishin të njëjta si gjithmonë – pagesa e keqe, shumë punë, mungesë konsiderate, internim i gjatë; por, ankesa kryesore e shqiptarëve, nga fillimi deri në fund, ishte se nderi dhe liria e tyre nuk merreshin sa duhet parasysh.
Kisha kënaqësi të jashtëzakonshme nga ky udhëtim përmes Sanxhakut. Pjesa e parë e tij është e mërzitshme dhe pak monotone pas peizazheve shumë mbresëlënëse të Bosnjës. Pjesa e dytë është shumë e thyer dhe më kujtoi pak Shqipërinë e Jugut dhe vargmalet e Pindit, megjithëse këtu ka më shumë gjallëri. Ka shtrirje të gjata malore, njëra pas tjetrës, dhe lugina. Kaluam pranë disa dhive e deleve që ngjajnë me kamoshët, dhe zakonisht ka shqiponja lart në qiell ose korba që krrokatin në distancë. Sjenica është në lartësi dhe e rrafshët. Prej Sjenicës, vendi ka shtrirje të gjatë dhe duket pjellor, dhe shpesh është goxha i kultivuar. Rruga drejt Novi Pazarit është një rrugë e mirë. Vetë qyteti është si çdo qytet turk, ndoshta paksa më shumë shqiptar. Këtu turqit për momentin janë në pushtet. Shkova në zyrën e telegrafit për të dërguar një telegram në shtëpi, por nuk munda ta bëj, sepse përkthyesi i zyrës ishte larguar për në Mitrovicë. Megjithatë, aty ishin dy oficerë turq të cilët po dërgonin me shpejtësi një telegram për të kërkuar trupa shtesë për në front, por vetë vendi ishte po aq i qetë sa Ministria e Jashtme dhe kishte të njëjtën mungesë pasioni. Disa dembelë që më përcillnin brenda, dhe unë, qëndruam duke dëgjuar këto telegramet zyrtare që diktoheshin.
Rifati ishte shumë i mërzitshëm. Ai është një kopuk i dhunshëm, dhe nuk do më vinte keq nëse vritet. Nuk kam takuar kurrë më parë një turk apo shqiptar që mburret për njerëzit që ka vrarë. Ai, sipas besimit tim, ka dymbëdhjetë gjaqe (gjakmarrje) dhe urrente të ecte me mua gjatë natës në qytetin e Novi Pazarit, ku nuk ishte në zonën e tij dhe ku mund të vritej, të paktën për momentin, pa ndonjë ndëshkim, por duhet ta pranoj se ecte me mua, sepse kishte dhënë fjalën për ta bërë këtë. Karrocieri, Haxhi Salihu, tha “Yüre?i kopuk dur ama namuslu bir adam – zemra e tij është e kalbur, por është njeri i ndershëm” dhe shtoi, “Zoti më ruajt që të mos bie në duart e tij”. Ai dhe vëllezërit e tij janë burra madhështorë për t’u parë, si arabë gjigandë. Ua dhashë dy lira dhe një thikë.
Ahmed efendiu ishte më i miri nga të gjithë. Arritja e tij më e madhe, për të cilën nuk foli vetë, ishte se vitin e kaluar kishte vrarë një njeri dhe një kalë me një të shtënë. Në Novi Pazar, dëgjova shpjegimin për praninë e kajmekamit në Sjenicë kur u vra. Ai ishte ftuar nga Valiu i Shkupit, për t’u konsultuar me të, dhe po kalonte në Serbi si rruga më e shpejtë për të mbërritur atje.
E hënë, 26 gusht 1912. Mitrovicë. — Sot vendi ishte disi si Italia e Veriut, me dritë të lehtë dhe kodra të buta me hije të purpurta mbi to. U nisëm në orën gjashtë dhe kaluam nëpër një rrip me popullsi krejtësisht të krishterë. Këtu zakonisht besimet janë të përziera, por nganjëherë janë të ndarë në zona. U prita nga një toger me tridhjetë burra nga Mitrovica. Ata kishin bërë tetë orë udhëtim për të më takuar dhe, sigurisht, do të bënin tetë të tjera për t’u kthyer me mua, në këtë vapë të tmerrshme dhe në një fushatë ushtarake që po zhvillohej. Është shpërdorimi më i madh i mundshëm i detyrës. Një burrë gati vdiq rrugës. E zuri një krizë. Doja t’i jepja konjak, por të tjerët e refuzuan për të, sepse ishin myslimanë të devotshëm. Megjithatë, e vura në karrocën tonë. Kur arritëm në Mitrovicë, karrocieri Ibrahim, një i krishterë i konvertuar, refuzoi ta çonte në spital. E rregullova shpejt punën me usta Ibrahimin. Unë dhe Jacku nuk patëm asgjë tjetër për të ngrënë veç pak djathë dhe qumësht të thartë – që nga ora gjashtë e mëngjesit deri në orën tetë të mbrëmjes. Tani kemi jogurt (qumësht të thartë), “gjalpin në pjatë fisnike” të cilën Jaela ia dha Siserit [rrëfim biblik – shën. i përkth.], me qëllim që ta fuste në gjumë përpara se ta vriste. Do të na shtyjë edhe neve të flemë sonte. Është një ushqim që krijon qindvjeçarët dhe shenjtorët. Këtu askush nuk flet për gjë tjetër përveçse luftës, përgjatë gjithë kufirit, që po i çmend njerëzit. Çdo karakoll (pikë kufitare) është hedhur në flakë përgjatë kufirit tonë; Mojkovci dhe Berana janë luftimet e fundit të mëdha.
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
E martë, 27 gusht 1912. Mitrovicë. — Shkova sërish për të dërguar një telegram dhe hasa në një zyrtar jashtëzakonisht të pasjellshëm turk. Ai tha se askush këtu nuk dinte frëngjisht dhe se nuk mund të dërgohej asnjë telegram. Ia ktheva po aq vrazhdë. U nisa te kajmekami, Halid Beu, një njeri i këndshëm – si një famullitar anglez – që kishte parë tridhjetë vjet luftë. Ndërsa po bisedonim, hyri turku i pasjellshëm, i fryrë dhe shumë i zemëruar. Kur më pa ulur pranë kajmekamit, tha haptas se ndihej keq dhe tha se unë i kisha marrë personalisht fjalët që ishin thënë për dikë tjetër, për një njeri goxha të gjorë që qëndronte pranë meje. Tha se asgjë nuk ishte më e lehtë sesa të dërgohej një telegram në çdo gjuhë.
Takova konsullin rus në rrugë. Ai më ftoi të luaja brixh. Nuk i di rregullat.
Nuk do ta harroj herën e fundit kur erdha në Mitrovicë, në mes të dimrit, pas revolucionit. Ishte koha e parashikimeve të mëdha për të ardhmen e Turqisë, kur e ardhmja e saj, pavarësisht nga ajo çfarë kishte ndodhur, ende dukej e artë. U nisa për në Pejë, në një të ftohtë që nuk kisha njohur kurrë më parë, përmes një vendi mahnitës. Nga një mal mund të numëroje njëqind lugina. Fjetëm njëzet ose më shumë vetë në një dhomë të një hani gjigand, me një zjarr të madh që digjej në vatër. Edhe atëherë kishte shenja se telashet po afroheshin. Hanxhiu, një shqiptar gjigand dhe i ashpër, më tha, “Kush e di si do të përfundojë gjithë kjo punë”?
Në Pejë darkova me guvernatorin dhe një beg shqiptar, “Shpata e fesë”. E pyeta gjatë darkës nëse kishte parë ndonjëherë luftë. “Për Zotin”, tha ai, “sigurisht që po. Jam njëzet e katër vjeç”. “Kur ishte hera e fundit”? – e pyeta unë. “Epo, kur dëbuam Shkëlqesinë e tij këtu nga Peja”, u përgjigj ai. Turku u zemërua dhe tha, “Mungesa e edukatës nuk është e nevojshme”. Tani “Shpata e fesë” ka marrë sërish pjesë në luftë dhe politikë. Ai ka qenë një komit i fortë dhe Peja nuk u ngrit kur ndodhi kryengritja e përgjithshme, edhe pse qytetarët e asaj qyteze morën nën kontroll magazinën e barutit dhe rreth katër mijë pushkë; për pasojë, kishte zemërim të përgjithshëm kundër Pejës. Riza Beu i Gjakovës, Isa i Mitrovicës dhe shqiptarët e Prizrenit janë të tërbuar, dhe kur të mbarojë besa, mund të ketë luftë. Ndërkohë, “Shpata e Fesë”, ndoshta nga patriotizmi, ndoshta për të rifituar nderin që kishte humbur, është nisur për në kufi dhe po lufton kundër Malit të Zi.
Takova së bashku konsullin austriak dhe atë rus. Ata nuk ishin shumë miqësorë me njëri-tjetrin, megjithëse ishin shumë të sjellshëm me mua. Kur mbetëm vetëm, rusi tha se aneksimi austriak i Sanxhakut do të ishte, me siguri, një casus belli [shkak për luftë – shën. i përkth.]. Ai më tha se jeta e tij ishte kërcënuar.
Pasdite shkova në fabrikën e Nexhib Bej Dragës dhe pashë vëllain e tij dhe shumë të tjerë. Të gjithë ata mendojnë se Komiteti është i mposhtur, por nuk duan autonomi. Është liria, më shumë se pavarësia, ajo që kërkojnë. Nuk ka dyshim se KBP-ja [Komiteti “Bashkim e Përparim” – shën. i përkth.] e ka bërë rrëmujë punën shqiptare, ashtu si edhe gjeneralët e tyre. Këta njerëz mund të menaxhohen dhe ka shumë gjëra të mira tek ata.
Pashë Xhavid Pashën, i cili ishte miqësor dhe më vuri në dispozicion një dhomë. Ai nuk ishte shumë i komunikueshëm. I tregova çfarë kishte ndodhur në Sjenicë. Pozicioni i tij është, sigurisht, shumë i vështirë këtu, sepse shqiptarët i kanë luftuar turqit deri në një armëpushim, dhe janë kryesisht telashet me malazezët ato që janë përgjegjëse për paqen e pjesshme që ekziston sot mes turqve dhe shqiptarëve. Madje, edhe në këtë kohë, shqiptarët një ditë më parë larguan nga Mitrovica një gjysmë duzine deri një duzinë zyrtarësh turq. I thashë gjeneralit se Isa Boletini kishte dërguar një telegram për mua në Sjenicë dhe se doja ta falënderoja për këtë, gjë me të cilën ai u pajtua me mirësjellje.
Këtu janë gjashtë nga pikat më të rëndësishme për shqiptarët:
1. Shqiptarët të kenë shkolla ku të duan, dhe në to të mësohet shqip.
2. Zyrtarët në Shqipëri duhet të dinë shqip.
3. Të tregohet më shumë kujdes për fenë.
4. Armë për të gjithë, si për të krishterët ashtu edhe për myslimanët.
5. Shkolla bujqësore, nën kushte të caktuara.
6. Akuzë ndaj Haki Pashës.
Mendoj se gjendja e Mitrovicës është shumë e keqe dhe e rrezikshme për të krishterët, për shkak të gjithë këtyre luftimeve; por myslimanët e shtresës së lartë janë burra të ndershëm dhe të nderuar që po bëjnë më të mirën që munden. Ata thonë se Mehmed Pasha do të rizgjidhet; Amiri i Akovës jo. Ka shumë dallime mendimesh, më tepër se grindje, midis vetë shqiptarëve. Të gjithë janë të shqetësuar të kalojnë këtë kohë tepër të vështirë, plot pasiguri dhe rrezik për ta. Ata mendojnë se qeveria turke do t’ua pranojë atyre kërkesat. Kam parë Don Nikollë Mazarekun, një prift shumë të këndshëm austriak. Vrasjet që po ndodhin midis këtu dhe Pejës janë të këqija dhe shumë brutale.
Pastaj shkova për darkë me austriakët. Në mes të darkës mora një mesazh misterioz ku më thuhej se Isa Boletini po më priste jashtë qytetit. Mendova se ishte krejt e kotë ta mbaja si një secret de Polichinelle [sekret i hapur – shën. i përkth.]. Austriakët e dinin çfarë kishte ndodhur në Sjenicë dhe me siguri do të dinin edhe për takimin tim me Isën, ndaj thashë të vërtetën, që po shkoja ta falënderoja, dhe u largova.
Ishte një natë e përsosur jashtë, me një hënë të plotë, në një qiell pa re. Haxhi Salihu po më priste me një llambë të panevojshme, dhe ne ecnim shpejt nëpër rrugë jashtë qytetit, deri te një han, ku Isai kishte ardhur për të më takuar. Ai ishte i rrethuar nga një numër malësorësh të egër shqiptarë, të mbuluar me armë. Ata krijonin një pamje madhështore nën dritën e hënës. Prita në oborr. Një ose dy prej tyre erdhën të flisnin me mua; zakonisht ishin shumë të përmbajtur, por dukej se dridheshin nga ngazëllimi. Pastaj më treguan shkallët lart, dhe jashtë në korridor ishte një tjetër turmë shqiptarësh të armatosur. Muret ishin që të gjitha të mbuluara me armë.
Hyra në një dhomë me madhësi të mesme, ku gjeta Isa Boletinin, një shqiptar shumë i gjatë, i shkathët, me trup të mirë, me tipare shqiponje, sy që shprehnin shqetësim dhe fytyrë të bukur e të ashpër, me veshje gege. Njëri nga djemtë e tij, më i madhi nga nëntë, siç tha ai, një djalë shumë i pashëm, qëndroi në dhomë për të përkthyer në italisht, gjë që rezultoi të jetë e panevojshme. Ai i nxori të tjerët jashtë, përveç një burri, dhe ne u ulëm në një divan të ulët pranë dritares.
Së pari e falënderova që kishte dërguar telegramin, dhe i thashë se mendoja se ishte mëkat i madh që i gjori kajmekam ishte vrarë. Me këtë ai u pajtua plotësisht dhe tha se i vinte keq që unë isha vënë në situatë të keqe. Populli kishte kaluar kohë jashtëzakonisht të vështira dhe nuk mund të pritej gjithmonë që të ishin të informuar apo të silleshin me mençuri. Tha se shqiptarët e donin Anglinë dhe shpresonte që anglezët t’i donin shqiptarët. E pyeta, “A duan shqiptarët autonomi”? “Jo”, tha ai, “nuk duan; ajo që duan është të mos ketë ndërhyrje”. “A doni bashkim”, i thashë, “mes Veriut dhe Jugut”? “Po”, tha ai, “ne jemi një popull”, por më pas shtoi se bashkimi nuk do të ishte i leverdishëm për Veriun, sepse toskët, jugorët, ishin më të shkolluar dhe më të zotë se veriorët. Shqipëria donte të ishte nën Sulltanin, por shqiptarët duhej të kishin armë për të mbrojtur vendin e vet, dhe këto armë ua kishin marrë turqit e marrë. Kur të mbarojë besa (armëpushimi) në Bajram, ai nuk mundi të thoshte se çfarë do të ndodhte.
Gjithçka ishte e paparashikueshme. Shqiptarët do të kishin dashur të luftonin italianët. (Në këtë ata u bashkuan me turqit). Por, nuk mund ta bënin këtë pa një flotë. I thashë se kishte vështirësi të mëdha për t’i dhënë fund luftës, porse zgjatja e saj nënkuptonte rrezikun e shpërbërjes së Turqisë dhe, për rrjedhojë, një rrezik të madh për Shqipërinë. Me siguri, politika më e mirë për shqiptarët ishte të bënin paqe të ndershme – sa më shpejt që të ishte e mundur? Ai më pyeti se cili ishte interesi ynë britanik në Luftën Turko-Italiane. I thashë se interesi ynë ishte se ne ishim fuqia më e madhe myslimane dhe donim të përfundonim një situatë që ishte shumë e dhimbshme për shumë nënshtetas tanë myslimanë. Gjithashtu, shpërbërja e Turqisë do të nënkuptonte, për ne, që bregdetet do të merreshin, fortesat dhe portet do të ndërtoheshin nga vende të tjera jo aq miqësore me ne sa Turqia.
Në këtë moment, disa të shtëna shpërthyen nën dritare. Unë isha i përqendruar te biseda dhe nuk i kushtova vëmendje. Isa tërhoqi mënjanë një perde të vogël dhe hodhi sytë jashtë nën dritën e hënës. Teksa e bëri këtë, një duzinë të shtënash ushtuan aty jashtë. Menjëherë njerëzit e grupit të tij u dyndën në dhomë, duke marrë armët nga muri. Ata ecnin duke kërcyer dhe sytë e tyre shkëlqenin. Isa kërcye me një pushkë në dorë dhe më tha, “Shtëpia është e rrethuar nga turqit. Do të luftoj që të dalë”. I thashë, “Kjo nuk është lufta ime, por do të vij me ty dhe, nëse të zënë, turqit nuk do të të qëllojnë po të jem unë aty”. Ai tha, “Jo, ti je miku im. Nderi im nuk e lejon këtë. Ti do ta mbrosh djalin tim”. Isa dhe njerëzit e tij dolën me vrull. Disa mbetën dhe më mbajtën mua brenda.
U kthyen pothuajse menjëherë. Ishte, me sa dukej, vetëm një grindje jashtë – turqit, thanë ata – dhe askush nuk ishte lënduar. Jam shumë i gëzuar që e pashë këtë. Ishte e mrekullueshme mënyra se si njerëzit e grupit u rreshtuan rreth Isës. Ata ishin si burra mbi susta, aktivë dhe të shkathët si pantera. Nuk është çudi që këta njerëz kanë këta sy të ndritshëm, të vëmendshëm, sepse një vështrim i ngadalshëm shpesh duhet të nënkuptojë vdekjen për ta.
Ky intervenim prishi disi bisedën për punën tonë; edhe pse shtëpia nuk ishte rrethuar nga turqit, ata ishin qartazi nervozë pas asaj që kishte ndodhur. Isa foli përsëri për marrëdhëniet e shqiptarëve me turqit. Ata – ai fliste për njerëzit e vet – e admironin Sulltanin dhe nuk donin të largoheshin nga sundimi i tij. Çfarë tjetër mbetej për ata, veçse të nënshtroheshin nga serbët dhe malazezët? Ai më pyeti nëse, kur kthehem në Angli, do të bëja ç’të mundja për të ndihmuar popullin e tij. I thashë se do të bëja, me shumë dëshirë, gjithçka që ishte në fuqinë time, sepse e admiroja popullin shqiptar dhe e pëlqeja dhe shumë e admiroja edhe vetë atë. Pastaj u përshëndetëm dhe unë u ktheva, duke më shoqëruar shqiptarët deri aty ku më prisnin ushtarët turq. Turqit u kthyen me Haxhi Salihun dhe me mua në dhomën bashkiake që më kishte dhënë Xhavid Pasha.
KOMITETI SHQIPTAR
Në përfundim të Luftës Ballkanike, kur Turqia në Evropë ishte shkatërruar, refugjatët – më shumë sesa përfaqësuesit – erdhën në Angli për ta bërë të njohur çështjen e tyre të dëshpëruar. Përfaqësuesit nga Maqedonia, të cilët ishin mësuar gjithë jetën me vrasje dhe brutalitet, ende kishin një besim patetik në drejtësinë e Fuqive të Mëdha. Ata nuk mund ta kuptonin që bota nuk do të pranonte se kishte ndonjë detyrim që të merrte përsipër rrezikun ose shpenzimet për të shëruar plagët ose për të riparuar rrënoja. Anglia mund të ishte e gatshme të shkonte në luftë për të mbrojtur popullin e vet ose për qëllimet e veta, por ajo nuk ishte gati të kapte armët për një mozaik popujsh të përzier dhe të thyer. Maqedonasit kërkuan mëshirë. Nuk ishte e drejtë të pritej kjo, sepse kryeministrat dhe ministrat e Thesarit [Chancellors of the Exchequer] nuk zgjidhen për cilësitë që zbukurojnë kalorësit aventurier. Fuqitë e Mëdha ishin shtazore në epshet e veta, farisenj në aspiratat e veta.
Delegacioni shqiptar mbërriti i përbërë nga burra të tri feve të ndryshme – ortodoksë, katolikë dhe myslimanë. Në krye të tij ishte Ismail Bej Qemali, një burrë i mirë dhe i gjithanshëm, jeta e të cilit kishte qenë në lëkundje të gjata dhe të rrezikshme. Dobësia e tij qëndronte te rrethanat dhe te dashuria e tij për fëmijët. Nëse ishte dredharak, kjo ndodhte ngaqë ishte e vështirë të ishe i drejtë në pozitën e tij. Varfëria ishte padroni i tij dhe herë pas here ai duhej të pajtonte bindjet e papërshtatshme me sjellje të përshtatshme, në dëm të të parës.
Ai ishte dishepull i Mit’hat Pashës, guvernator i përgjithshëm i Bejrutit, guvernator i përgjithshëm i Kretës, i emëruar guvernator i Tripolit, këshilltar dhe refugjat nga Sulltani, redaktor, anglofil, mik i Gordon Kinezit, bir i aventurës; ai ishte gjithashtu një burrë i lodhur dhe i thyer, avokat i një vendi të thyer.
Ai ishte një tregimtar i shkëlqyer, dhe unë admiroja tregimet e tij për veten dhe për të tjerët. Një herë, pasi kishte ikur – si Davidi nga zemërimi i Saulit [rrëfim biblik – shën. i përkth.], nga zemërimi i Sulltan Abdul Hamidit, kishte pasur një pajtim të dokumentuar midis tyre teksa ai ishte jashtë vendit. Sulltani i kishte ofruar ta bënte ekstra-ambasador në të gjitha vendet – kështu thoshte Ismail Qemali, i cili nuk e pranoi këtë post të pazakontë.
Në një rast tjetër, kur Dhiata e Re ishte përkthyer nga greqishtja tradicionale, kumbuese, në gjuhën romaike [greqishtja moderne – shën. i përkth.], kishte shpërthyer një trazirë në Athinë, dhe dhjetëra athinas ishin vrarë. Shtypi i Athinës kishte kërkuar pastaj nga Ismail Qemali që ta shpjegonte këtë fenomen para Evropës dhe të shfajësonte athinasit. Se sa ia doli në këtë, nuk e di, por sjellja e popullit të Athinës në protestat e tyre gjakatare kundër përkthimit të Biblës në greqishten moderne, nuk është aq e paarsyeshme sa duket. Një koleg imi në Kostandinopojë tha,
“Epo, a do të doje ta shihje të shkruar në Besëlidhjen e Re, në vend të ‘Dhe ndodhi që’ [Lluka 5:1 – shën. i përkth.], ‘Kështu ndodhi’”?
E njihja Ismail Bej Qemalin në pleqërinë e tij, kur ai ishte si një breshkë e mençur dhe dashamirëse. Në vete mbartte një liberalizëm të vërtetë që nuk u shua kurrë, por që u mbulua me plogështinë e natyrës së tij dhe me shmangiet e lodhshme nga drejtësia, te të cilat e detyronin rrethanat. Ishte i matur dhe i aftë, dhe kishte aftësinë t’i shprehte qartë finesat e mençurisë së vet. Sikur Sir Henry Campbell-Bannerman të merrte për grua një fshatare bullgare dhe gjatë gjithë jetës të ishte detyruar të shmangte dajakun duke qetësuar Abdul Hamidin dhe shpesh të kishte vështirësi të gjente një vend për të fjetur dhe për ta paguar atë, do të kishte pasur shumë pika të përbashkëta me Ismail Bej Qemalin.
Figura të tjera të shquara të delegacionit shqiptar ishin Monsinjor Fan Noli dhe Faik Bej Konica, që përfaqësonin Vatrën, Federatën e Shqiptarëve të Amerikës. Vëllai i tij, Mehmed Bej Konica, tashmë ministër i Shqipërisë në Londër, kishte qenë në shërbimin diplomatik turk. Zoti Filip Noga ishte katolik, dhe ishte po aq i përkushtuar ndaj muzikës sa ndaj politikës.
Figura më piktoreske e delegacionit ishte Isa Bej Boletini, Robin Hudi i Shqipërisë. Ai ishte një njeri i paarsimuar, me një reputacion të madh dhe të drejtë për guximin dhe zgjuarsinë e tij. Veprat e tij ishin bërë legjenda, dhe mit arratisjet e tij nga turqit dhe serbët. Ai ishte i humbur dhe në Londër kishte mall për shtëpinë, sepse nuk dinte asnjë fjalë anglisht. Kalonte shumë orë në shtëpinë time, duke pirë kafe turke. Në Dhomën e Ultë të Parlamentit [House of Commons] vazhdimisht pranoja telefonata nevrike nga gruaja ime dhe, kur kthehesha, shpesh e gjeja atë dhe Isën pa fjalë, por duke u përkulur ndaj njëri-tjetrit në intervale të shkurtra.
Çështja e ndarjes së Shqipërisë u diskutua në shtyp. U thirr një mbledhje publike në Kanot-Rums [Connaught Rooms], dhe u formua një Komitet ku unë u bëra president. Ata që morën pjesën kryesore në punën e Komitetit ishin z. C. F. Ryder, z. Mark Judge, z. J. C. Paget dhe majori Paget. Majori Paget – që kishte jetuar në Shkodër – dhe unë ishim të vetmit që kishim njohuri të drejtpërdrejtë për vendin; të tjerët udhëhiqeshin nga dashuria bujare për lirinë. Më vonë, znj. Edith Durham, e cila i kishte përkushtuar Shqipërisë vite të tëra të punës dhe emri i së cilës është i njohur në çdo shtëpi nga Veriu në Jug, u bashkua me ne, ashtu si dhe kapiteni Evan MacRury.
Ne patëm marrëdhënie të vazhdueshme dhe të ngushta me shqiptarët, dhe mendoj se ishim të dobishëm për të siguruar përfitime për vendin të cilat përndryshe do të mungonin.
Shqiptarët që erdhën në Angli krijuan një përshtypje të shkëlqyer. Në një rast, z. Lloyd George hëngri drekë me mua për t’i takuar ata, dhe pas drekës Toni Preça, nga restoranti shqiptar, si dhe unë, shërbyem si përkthyes midis Isa Beut dhe ministrit të Thesarit.
“Thuaji atij”, tha Isa, “se unë jam malësor, ashtu si edhe ai, dhe se e di që zemra e tij është e mirë për ata që vuajnë”. Ai e mbylli me ashpërsi me “Dhe, thuaji se kur të vijë pranvera, ne do të plehërojmë fushat e Kosovës me eshtrat e serbëve, sepse ne shqiptarët kemi vuajtur shumë për të harruar”.
Mendova se ishte gjë e mençur ta zbutja frazën e fundit, por z. Lloyd George mbeti i kënaqur me malësorin e gjatë, tek i cili mendoi se gjeti një shpirt të afërt, dhe u tregua i sjellshëm me të.
Nuk ishte vetëm z. Lloyd George ai që në atë kohë u tregua i mirë (edhe pse kurrë më pas) me shqiptarët; kishte shumë të tjerë. Shumë kohë pasi Isa ishte kthyer në Shqipërinë e Veriut, lexova në gazeta se ai ishte kapur nga serbët në një luftim gueril. I njihja serbët dhe mënyrën e tyre të trajtimit të të burgosurve, dhe isha i bindur se shpejt do të pasohej nga një njoftim vdekjeje, ndaj nxitova për në Ministrinë e Jashtme.
Ministria e Jashtme tha, me të drejtë, se ata nuk ishin në gjendje të ndërmerrnin hapa, porse, nëse unë isha i shqetësuar për të shpëtuar jetën e mikut tim, më mirë do të ishte të bindja ndonjë burrë të madh që të shtronte rastin. Shkova te Lordi Cromer, i cili më tha shkurt, “Epo, ç’është gjithë kjo punë? Është politikë, apo është çështje ndihme për një mik tëndin? Nëse është miku yt, unë do të bëj ç’të mundem”. I thashë se ishte çështje ndihme për një mik timin, i cili kishte qenë shumë i mirë me mua dhe i cili me siguri do të vdiste nëse nuk do të ketë ndërhyrje të menjëhershme në emrin e tij. Pastaj hartuam një telegram me përmbajtje të tillë:
“Për Madhërinë e Tij, Mbretin Petër të Serbisë. Thuhet këtu, në shtyp, se shqiptari Isa Bej Boletini është zënë rob nga trupat e Madhërisë Suaj. Isa Bej Boletini qëndroi në Londër për një kohë të gjatë dhe fitoi respektin dhe besimin e shumë njerëzve të shquar, dhe unë guxoj t’i kërkoj Madhërisë Suaj të tregojë mëshirën e forcës, që me siguri do të vlerësohet. – Cromer”.
Të nesërmen, kur më mbërritën gazetat e mëngjesit, u gëzova, por njëkohësisht u tmerrova, kur lexova këtë lajm:
“Dje u tha në —- se Isa Boletinaci ishte zënë rob nga serbët. E kundërta duket se është e vërtetë. Ky udhëheqës i njohur banditësh ia ka shkaktuar një disfatë të rëndë forcave të përbashkëta të serbëve dhe malazezëve”.
U gëzova që miku im ishte gjallë; por u pendova që kisha nxitur Lord Cromerin të dërgonte një telegram që mbase e ka habitur Mbretin Petër. Më vonë atë ditë, Lord Cromeri më telefonoi dhe më tha, me njëfarë ashpërsie: “Pse më shtyre të ndërhyj për këtë zaptues”? Ishte tipike për Lord Cromerin të jepte ndihmën e vet bujare, në çdo mënyrë, për brezin e ri. Mirësia e tij ndaj të rinjve nuk kishte të sosur. Kam pasur shumë biseda me të për të ardhmen e mundshme të Shqipërisë, gjithmonë me shpresën që një tjetër si ai do të mund ta kthente atë në një Egjipt të bardhë.
Komiteti Shqiptar, përveç ndihmës politike, bëri çfarë mundi për t’i argëtuar shqiptarët në Angli. Një pasdite, Isa Beu erdhi me ne në kopshtin zoologjik. Teksa kalonim me karrocë në Rexhent-Strit [Regent Street], ishin ngjitur posterat: “Vrasja e Njaziut [Ahmet Njazi bej Resnja – shën. i përkth.] nga djali i Isa Boletinit”. Anëtarët e Komitetit Shqiptar, të cilët nuk kishin qenë në Shqipëri, u habitën më shumë, dhe ndoshta u tronditën më shumë se unë nga ky lajm. Ata besuan se kjo duhej të ishte një tjetër shpifje kundër një populli të pambrojtur.
“Thuaja atij”, thanë ata, “se çfarë ka në atë afishe”.
I thashë Isës: “Është shkruar në ato mure se djali yt e ka vrarë Njaziun. A e beson këtë”?
“Çfarë rëndësie ka”, tha Isa me maturi, “për mua nëse kjo ka ndodhur”? – u përgjigj.
I thashë: “Asnjë. Ne nuk e pëlqejmë vrasjen në këtë vend, por njeriu nuk mund të fajësohet për atë që bëjnë të afërmit e tij”.
“Atëherë”. tha Isa, “mendoj se është shumë e mundshme. E di që djali im ishte po aq i përcaktuar për ta vrarë Njaziun siç ishte Njaziu për ta vrarë atë”.
Shkuam në kopshtin zoologjik, dhe kur kishim mbaruar shëtitjen, Isa tha: “Ju këtu i mbani të gjitha gjërat në kafaze, përveç Djallit. Mua më pëlqen liria”.
Në Dhomën e Ultë të Parlamentit ai krijoi një përshtypje të madhe me kostumin e tij kombëtar, dhe askush nuk mund ta shihte pa admirim. Ai mbeti shumë i impresionuar nga Lordi Treowen, të cilin e takoi me uniformë, dhe kishte shumë dëshirë ta merrte, me dëshirë a pa dëshirë, përsëri në Shqipëri. Isa bëri shumë miq, të cilët ia treguan lavditë e Londrës. “Dhe, megjithatë, më tha ai, “sado madhështore që gjithë kjo është, dhe sado të mirë që jeni ju anglezët, nuk do ta ndërroja këtë për shkëmbinjtë dhe lumenjtë e mi”.
Në fund, Isa Boletini u vra kur ishte i burgosur në Podgoricë. Ai kishte thjeshtësinë e një fëmije dhe ishte një burrë i fortë me guxim të qëndrueshëm, dhe gjithmonë mbeti besnik ndaj vendit të vet. Ai të shtynte të kuptoje butësinë po aq sa edhe ashpërsinë e Mesjetës. E dëgjova rrëfimin e vdekjes së tij nga një mik. Ngatërresa nuk ishte e tij. Ai shkoi të shpëtonte një nip, i cili si i marrë kishte kërkuar telashe. Isa vrau tetë burra përpara se të vdiste. Ai qëlloi krejt i qetë, i plagosur rëndë, nga toka, duke i treguar mikut të tij, një civili, se si të fshihej nga malazezët. Ata që ishin miqtë e tij nuk do ta harrojnë. /Telegrafi/
_____________________