14.4 C
Prizren
E martë, 29 Prill, 2025

Të shkruash jetën tënde

A është autobiografi letërsia? Sa arrijnë ta shmangin jetën e tyre kur shkruajnë emra të njohur të letrave…

Beatrix jam unë. Graham Green, një nga shkrimtarët më të njohur të shekullit XX, do të shprehej kështu pak kohë para se të ndahej nga jeta për personazhin e romanit të tij të njohur “Fundi i një historie dashurie”. Shumë herë shkrimtari i kishte shmangur pyetjet mbi ngjashmërinë mes tij dhe personazhit kryesor në këtë roman që vazhdon të jetë dhe sot ndër më të lexuarit Beatrix, duke thënë se ai është thjesht një personazh që kërkonte dashurinë, ndërkohë që bota nuk ishte pastruar nga Lufta e Dytë Botërore. Në një kohë kaosi ai kishte sjellë shqetësimin e një burri mbi dashurinë, i bindur se ky ishte një ndër shqetësimet më të bukura se vetë lufta.

Libri flet për historinë e një gruaje që humbet mes dy burrave, bashkëshortit dhe të dashurit. Historia tregohet nga pikëpamja e të dashurit. Komploti është dramatik, karakteret janë krijuar me mjeshtëri dhe përfshihen në një histori njerëzore nga më të zakonshmet. Stili i shkrimit të Greene është i përkryer. Ai e jep në mënyrë të përsosur mënyrën se si luajnë psikologjitë e tri karaktereve kryesore për të ndërthurur zemrat e dy burrave me jetën e një gruaje. Mund të konsiderohet njëherësh edhe si një roman tepër shpirtëror, që ngre pyetje të mprehta, por me një ndershmëri të fortë që nuk e gjen shpesh në librat romantikë. Karakteret duken si reale, jeta e tyre nuk dramatizohet, por përfshin edhe ato vogëlsitë, pakënaqësitë, dëshirën e pashpjegueshme për të pasur më tepër që karakterizon njeriun.

Por a do të kishte këtë forcë ky roman nëse Green nuk do të ishte duke rrëfyer historinë e tij? A do të kishin këtë ndjeshmëri karakteret nëse ata nuk do të ishin personifikim i personazheve reale?

I lodhur nga sëmundja Green nuk kërkon t’i përgjigjet kësaj pyetjeje, por ai thotë se donte të linte në një libër historinë e tij, dhe ta bënte atë të pavdekshme. Green u frymëzua në këtë libër nga historia e tij e dashurisë me Lady Catherinw Walston, gruaja e politikanit anglez, Henry Walston. Sarah Miles, personazhi kryesor në këtë libër është thjesht Catherina, gruaja me të cilën shkrimtari jetoi një histori të gjatë dashurie. Nuk është vetëm Green ai që hodhi në një letër historinë e tij të dashurisë. “Ajo çfarë shkruaj është vetë jeta ime”, do të shprehej tregimtari italian, Dino Buzati. Që në fillesat e shkrimit, historitë e para që u shndërruan në libra nuk ishin gjë tjetër veç histori personale të vetë autorëve. “Pavarësisht se i largohem jetës sime, në fund është ajo që gjej në librat e mi”, do të shprehej Faulkner. Suzan Sontag do të shprehte të njëjtën gjë për prozën e saj. Shpesh shkrimtarja tregonte se burrat që përshkruante i kujtonin burrat që kishte takuar dikur. Femrat në letërsinë e Scott Fitzgerald i ngjajnë aq shumë Zeldës.

Sa i ngjan jeta jote librit që shkruan? Do të pyeste Elsa Morante Alberto Moravinë kur e takoi për herë të parë. Kohë më pas ajo do të ndiente se gjithçka çfarë ai shkruante ishte vetë ai. Margariet Duras do ta pranonte fare lehtë se romani “Dashnori” ishte historia e jetës së saj. Burri nga Kina që nuk do të harronte asnjëherë vështrimin e vajzës së vogël, ishte thjesht dashnori i saj i dikurshëm, që pavarësisht viteve do ta kërkonte gjithnjë atë.

Por nuk janë vetëm historitë e dashurisë, ato që përshkruajnë rrëfimet autobiografike. Doris Lesing, do t’ia kushtonte librin “Fëmija e pestë”, djalit të saj autik. Dostojevski do të ishte një kronikan i të shkuarës së tij, ashtu si Tolstoi i trishtimeve të fshehura në kujtesë.

Në historinë e letërsisë shqipe, shkrimi autobiografik është një fenomen që lidhet kryesisht me shekullin e XX sado që shenjat e tij duken që te pasthënia e Mesharit të Buzukut, te parathëniet e veprave të Budit a te Parathënia e “Çetës së profetëve” i Bogdanit. Ky fenomen do të kishte një zgjim intensiv në romantizëm, që rizbuloi subjektivitetin, për të arritur zhvillimin në vlerë letrare në shekullin e modernitetit. Kur thuhet: po lexoj De Radën, Nolin, Koliqin, Kutelin, Kadarenë, Pashkun a Rrahmanin, menjëherë emri lidhet me vepra letrare, madje me forma të veçanta, duke pretenduar një njësim të autorit me veprën. Ky fenomen bëhet më i veçantë kur ka të bëhet me autorët dhe shkrimet letrare biografike e autobiografike. Biografia është shkrimi i jetës të një personi, kurse autobiografia është shkrimi i jetës së autorit (vetvetes).

“Pra, ky shkrim që në nismë ka pretendimin të jetë shkrim referencial (për një jetë reale), më tej bëhet shkrim autoreferencial (për një jetë të vetvetes), duke u ndërlikuar që kur vetvetja tani është shkrimtari. Ky pra, shkrimtari, duke shkruar vetveten rimerr fantazitë, qoftë edhe kur deklaron se sjell të dhëna, meqë edhe kur përshkruan veprimet nuk mund t’i ikë psikesë (shpirtit)”, shprehet kritiku nga Kosova, Sabri Hamiti.

Shenja të një letërsie autobiografike gjenden shpesh te letërsia e De Radës, apo Fan Nolit, ditarët e Haki Stermillit dhe Sterjo Spasses, por ato mund të gjenden lehtë te çdo autor i pas viteve 1940 dhe pse ishte një letërsi nën censurë. Pas viteve ‘90, letërsia autobiografike ndihet më shumë në letërsinë e quajtur të burgut. Janë autorë si Maks Velo, Pjetër Arbnori, Zyhdi Morava, Visar Zhiti, Astrit Delvina, që sjellin në letërsinë e tyre përvojat personale. Vera Bekteshi i ka tregimet e saj si një homazh për të shkuarën. Një tjetër roman autobiografik i botuar pak vite më parë është dhe “Autoportret me teleskop” i Besnik Mustafajt. Autori e ka pranuar që ky roman është një lloj autobiografie. Më herët gjurmët e një autobiografie gjenden në librat e Dritëro Agollit, Vath Koreshit, Zija Çelës, Dhimitër Xhuvanit, Dhimitër Shuteriqit etj.  /Shqip/

Më Shumë

Beteja e katërt

Gjysmëfinalet e “Play-off”-it të ProCredit Superligës vazhdojnë me super ndeshje këtë mesjavë. Garat shtesë kanë dhuruar emocione dhe adrenalinë, që po vazhdon të rritet, raporton...

Gjakova i shtati, Cena me dy fitore

Akil Gjakova dhe Dardan Cena kanë garuar sot në ditën e dytë të Kampionatit Evropian të xhudos, që po mbahet në Podgoricë të Malit...

Lajmet e Fundit