3.6 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Vetëm dashuria është bota tjetër…

Preq ZogajPak ditë më parë në Ministrinë e Kulturës u promovua një libër i ri me poezi me titullin intrigues, “Fundi, një fëmijëri tjetër” i poetit Preç Zogaj. U celebrua në një godinë ministrie, por pa ndonjë zyrtarizëm, ani se me praninë e ministrit të Kulturës, Visar Zhiti, gjithashtu poet. Se si duket që fill pas një fushate zgjedhore, njëqind vetë kishin lënë prapa vapën dhe ishin mbledhur enkas për poezinë, pasi me autorin shiheshin rregullisht në media, në ligjërimet e tij politike, apo recensat për librat e rinj. Ndoshta ky është dhe lajmi me këtë rast, që njëqind vetë dalin nga një sallë me nga një libër poetik në duar. Dhe kështu ata do të venë për pushime, me poezinë më të re me vete, jo vetëm librin e ri të Preçit, po dhe librat poetikë të Fatos Arapit, Luljeta Lleshanakut, Agron Tufës etj. Sapo nis e shfleton librin e Zogajt has një shënim sintezë të Rudolf Markut: “Një libër i mrekullueshëm poetik, nga një poet i rrallë për nga ndjeshmëria, magjia e të shkruarit, sinqeriteti dhe intensiteti emocional”. Nuk mundesh, pas kësaj, të mos shtegtosh me kujtesën tënde si lexues i hershëm dhe mik i tyre, në kohën kur ata të dy së bashku me Ndoc Gjetjen, në vitet ’70, e kishin kthyer Lezhën në një lagunë të artë të poezisë moderne shqiptare. (Vetëm një vit më parë në qytetin e tyre buzë Drinit e rrëzë kalasë u paraqit një përmbledhje poetike e tre poetëve, “Dhimbja nuk ka mëshirë”, një kushtim Ndocit, ndarë nga jeta tre vite më parë, si për të na thënë se ajo “lagunë”, aq sa ç’është e përveçme për secilin, është dhe e përbashkët.)

Një veçori e poezisë së Zogajt, edhe e këtij libri të ri, është se ai gjendet jashtë politikës, nuk e “ndot” poezinë me zgjyrën e saj. Jo se “pa luftë…po shkon dalëngadalë jeta ime”, siç thotë ai në një poezi, porse në thelb ai është një poet metafizik, çka u vu në dukje dhe në ceremoninë e librit të fundit. Për njerëzit që nuk merren me poezinë, që nuk e njohin gjuhën dhe mistikën e saj, kjo ngjan si e pakuptimtë, përderisa autori gjendet në ekranet e televizioneve duke komentuar për politikën. Por tjetër është kjo zeje dhe tjetër gjuha e poezisë. Preçi ngaherë si qytetar dhe intelektual është i përfshirë: publicist, politikan, deputet, ministër, autor librash politikë, i pari lëvrues i këtij zhanri ndër ne, duke nisur me “Rënia e zgjedhjeve”. Veçse nëse në të gjitha këto ai ka qenë me kohë të pjesshme, duket se për një gjë ka qenë gjithnjë me kohë të plotë, poezinë. E dëshmon këtë jo vetëm kalibri i lartë i poezisë së tij, por dhe intensiteti i botimeve kësodore, ku në çdo tre-katër vite kemi nga një botim të tij në poezi, për të kujtuar vetëm të fundit: “Kalimi” (1999), “Pas erës së re” (2004), “Gjallë unë pashë” (2009), “Nuk ndodh asgjë veç dashurisë” (2010) dhe tash “Fundi, një fëmijëri tjetër”, ku poeti e ka përsosur dhe më shumë metaforikën e tij shprehëse. I vetëdijshëm për klasin e poezisë që shkruan, ai shprehet se e kupton, e lexon dhe e flet gjuhën e poezisë, si një kujtesë mbase për doktoraturën e letërsisë, lexuesin bashkëkohor, veçanërisht atë të shkollave. (Është bukur që në takime të tilla mblidhen shkrimtarë, gazetarë, miq të poetit, dashamirë të artit, po ku mungojnë rregullisht mësuesit e letërsisë, përçuesit e parë të poezisë te nxënësit, ngaqë nuk thirren.)

Ky libër i Preçit do të bëjë rrugën për te lexuesi, por poezia e tij tashmë e ka prekur “fundin”, nëse i besojmë asaj se poeti gjithë jetën shkruan një libër dhe nga Zogaj ky libër është (për)kryer. Poezia e tij e ka prekur qiellin e saj. Ajo është një vezullim e prarim i së bukurës, ani se në një vend dhe në një botë ku “gjithnjë e më të vështirë e ka njerëzorja”. Por mbase për poezinë kështu ka qenë qysh nga Sokrati, që i pati lexuar filozofitë e jetës para nesh. Ky poet që vjen nga kreshtnajat e Camajt është besnik deri në vdekje i poezisë e për këtë gjendet në shoqëri me Çezare Pavezen e mjeshtër të tjerë të mëdhenj të lirikës botërore. Ai kurrë nuk ka folur për poezinë e tij nga shkrepi i diellit ku është ngjitur, por ai është poeti i së vërtetës së vet, për çka poezia e tij nuk do të ketë kohë kalendarësh. Ndaj dhe qasja jonë për të qenë me të kësaj vere nuk është diçka në stilin e moralistëve të librit. Ej, njerëz, lexoni!… Jo, është një thirrje për ta njohur sot një poezi që magjinë e saj nuk e ka vetëm për pasnesër, vetëm për atë lexuesin e largët në kohë që nuk do të mund të njohë poetin për së afërmi. Atëherë kur do të gjallojë një njerëzi tjetër, pasardhësit, që nuk do të ketë se ç’të lëvdojë a qortojë në sjelljen e poetit si njeri i ndërlidhur me politikën, në mënyrën e tij, ku çuditërisht në dy zgjedhjet e fundit, me 2009 dhe tani, ai “del” nga politika kur ajo ka prekur pushtetin. Nëse kjo gjë sot shihet nga pozitat militante të palëve, nesër ka gjasë të analizohet me rebelimin e poetit, të Preçit në këtë rast, por dhe të çdo poeti tjetër, që ka dhe shqisën e frenimit ndaj pushtetit, librit të pragmatizmit politik. Ndryshe nuk do të kishim mbërritur askund te liria, as te Safoja e brishtë, që na e sjell dhe njëherë “Fundi…” i Zogajt, për të na thënë njëlloj si atëherë se “gjëja më e bukur është ajo që dashurohet”, teksa për poetin tonë “vetëm dashuria është bota tjetër”. Ashtu si poezia e tij është po aq tronditëse sa bukuria, kur thotë “vdekja është e ardhmja ime”. Janë përjetimet e një moshe jo më të re, po as të vjetër, ku fytyra nuk është ajo e para dhe vdekja nuk është më një e paqenë e panjohur.

Poeti në këtë libër të ri, si asnjëherë më parë, kumbon së brendshmi, së thelli, rrëfehet, filozofon, pikëllohet, qan, gazmon, praron me vargun me një vezullim befasues, nga thellësia e unit të tij, krejt i tij. “Ku nuk kam qenë kësaj vere/ ku nuk kam shkuar…/ Kam fjetur, jam zgjuar pa qenë unë”, shkruan ai. Është vera e kaluar a e sivjetme, por është sidomos vera e përjetshme e poezisë së tij. Preç Zogaj nuk u hutua nga ndryshimi i sistemit, nuk iu tret poezia, ai e bëri si rrallëkush plotërinë poetike të tij dhe ja ku është sot, në fundin e një fillimi. Ndaj duhet kuptuar kur thotë se është ndier i lumtur nga poezia. Poezia e Zogajt është një polemikë estetike me fatin e poetit, fatin e Shqipërisë, fatin e njeriut në përgjithësi, në kërkim të shpirtërores, me pak a shumë trishtim, rrokëzuar herë-herë me një gegnishte elegante, me paskajoren dikur të bjerrë. Kjo, si prej origjinës së poetit, si prej një reference të përhershme të tij, që lëviz nga deti i Shëngjinit te Mali i Velës, ku iu hap dritarja e fëmijërisë e ku është gjallë dhe kjo fëmijëria tjetër prej burri. Është poeti që e ndien vendin e vet deri në asht. “Çdo mëngjes/ me rrëzon Shqipëria/me lajmin e keq”, shkruan ai si zë i ndërgjegjes së çdonjërit nga ne.

Një libër me poezi në korrik nuk është diçka e pazakontë, as që ndodh për herë të parë, librat dalin në çdo stinë, por kësaj here, në kontekstin e kësaj vere, një libër si ky është domethënës. Preç Zogaj ka qeshur jo pa ironi, kur rrethi i pjesëmarrësve në takimet e librave të tij, herë është ngushtuar e herë është zgjeruar, herë ka qenë pak “blu” e herë pak “rozë”, sipas tryezës politike ku ai është gjendur, diku ka marrë pjesë lideri i së djathtës e diku tjetër ai i së majtës. Kjo fundja ishte puna e të tjerëve, e tija ishte poezia. Kurse në këtë fushatë zgjedhjesh, politikani-poet befas u vetëgjend jashtë saj dhe ndoshta për këtë arsye në promovimin e fundit nuk ishin as Kryeministri në ikje, as Kryeministri në ardhje, me të cilët ai ka qenë për mjaft kohë afër, teksa ishin si gjithnjë, miqtë e tij të pandërruar, mes tyre dhe jo pak politikanë.NDUE DEDAJ

Më Shumë

Aliu nga IHMK: Ndryshime të mëdha të motit nga nesër

Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka folur për kushtet atmosferike që priten të mbizotërojnë në ditët në vijim.     Sipas tij, mjegulla që ka...

Nis sonte Big Brother, çfarë pritet të ndodhë

Big Brother VIP nis sonte edicionin e katërt. Formati do të drejtohet nga moderimi i Ledion Liços, krah të cilit do të qëndrojnë dy...

Lajmet e Fundit