11.8 C
Prizren
E premte, 10 Maj, 2024

Vonesa e publikimit të listave, e pakuptimtë

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, ka shprehur shqetësimin e subjektit të tij politik lidhur me neglizhencën e procesit të shqyrtimit të ankesave për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe komisioni për verifikimin e këtyre kategorive që sa më shpejt ta përmbyllin këtë proces dhe ta bëjnë publikimin e listave përfundimtare të veteranëve të luftës së UÇK-së.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Isufi ka deklaruar se vonesat në këtë proces janë të patolerueshme dhe të pakuptimta.

“Për të mos pasur probleme me veteranët, të cilët tani janë në pozitë shumë të vështirë, po kërkojmë nga Qeveria t’i përmbushë obligimet që i ka pasur. Komisioni qeveritar të jetë sa më i angazhuar dhe sa më shpejt ta bëjë shqyrtimin e ankesave, në mënyrë që ta kemi realizimin e të drejtave të veteranëve në bazë të ligjit. Pra, vonesa në këtë proces është e pakuptueshme dhe e patolerueshme”, ka thënë Isufi.

Ai ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës këtë proces e ka neglizhuar për qëllime politike.

“Ky proces po neglizhohet sepse është nisur me prapavijë politike, prandaj edhe angazhimet e mëtutjeshme kanë ndodhur me qëllim të tillë, me probleme të cilat kanë qenë të ditura për opinionin. Prandaj, kjo mënyrë e sjelljes prej fillimit të këtij procesi ka rezultuar me pengesa dhe pakënaqësi të mëdha të veteranëve”, është shprehur ai.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ka vlerësuar se nuk duhet lejuar që veteranët e UÇK-së të sakrifikojnë edhe më tutje për të drejtat e tyre.

“Nuk ka kuptim që veteranët të detyrohen të protestojnë, sepse ata janë kategoria e cila ka dhënë më së shumti për këtë vend dhe se Qeveria e Kosovës duhet të ketë qëllim prioritar realizimin e të drejtave të tyre. Nuk duhet lejuar që veteranët edhe më tutje të sakrifikojnë për të drejtat e tyre”, ka thënë Isufi./Epoka e re/

Më Shumë

Lajmet e Fundit