14.6 C
Prizren
E premte, 9 Maj, 2025

Votimi i Tribunalit dhe bartja e Sovranitetit!

Shqiprim PulajShkruan: Shqiprim Pula

1. Togfjalëshi më i përsëritur gjatë bisedave, në lajme, debate politike, madje edhe në premtime elektorale është Integrimi Europian. Diskutimet mbi këtë çështje janë kthyer në temë aq të tepruar sa kemi përfunduar në një dukuri përsëritjesh. Rrugëtimi ynë, drejtë integrimit në Union Europian (UE), nuk është thjesht nënshkrimi i disa qindra faqesh të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, apo heqja e vizave që do të nënkuptonte qarkullimin e lirë të njerëzve, por, një sistem i tërë parimesh, dhe zgjidhje problemesh sipas të drejtës së UE për respektim dhe funksionim të përbashkët vlerash dhe sistemesh. Andaj, dhe kërkohet që, çdo nëpunës civil brenda administratës publike apo çdo gjyqtar brenda sistemit gjyqësor, të aplikoj të njëjtat parime komunitare që do të prodhonin të njëjtat efekte juridike.

Për më tepër, funksionimi i institucioneve demokratike, rirregullimi i marrëdhënieve ekonomike si dhe mirëqenia e qytetarëve në vend, do të na e mundësonte anëtarësimin në UE. Vendet anëtare të Unionit Europian, në veçanti ato perëndimore, themeluese të Unionit, kanë krijuar dhe normuar vlera civilizuese të atilla, saqë askush nuk mund ti mohojë apo cenojë, madje përmes tyre e kanë kriju edhe identitetin e të qenurit qytetar Europian (European Citizenship). Mes tjerash, të kuptuarit, i të qenurit Europian nënkupton; të lëvizësh i lirë, të njohësh lirinë e tjetrit, të njohësh të drejtat personale dhe detyrimet ndaj tjetrit, të njohësh të arriturat dhe meritat e tjetrit, të gjykosh drejtë dhe barabartë para ligjit, të respektosh të kaluarën dhe të punosh për të ardhmen.
2. Më 9 Maj 1950, Ministri i Jashtëm Francez, Robert Schuman, në deklaratën tij për krijimin e Komunitetit Europian, mes tjerash thoshte; ‘na duhet një Europë e organizuar me vlera dhe vitale, që do të ishte e domosdoshme për civilizimin dhe pa të cilën nuk do të mund të ruhej paqja’. Kështu që, ngritja dhe funksionimi i Unionit Europian, është i lidhur ngushtë me aplikimin e këtyre vlerave, andaj, dhe neve na kërkohet, si qytetarë, si institucione të Republikës së Kosovës, të jemi koshient dhe respektues të po këtyre vlerave me bazë kushtetuese. Miratimi i propozimit për krijimin e ‘tribunalit’ apo ‘gjykatës speciale’ nga ana e Kuvendit të Republikës, datë; 23 Prill 2014, rezulton të jetë (sado e arsyetuar si kërkesë politike) arsye e mos funksionimit të gjyqësorit si i pavarur, si një nga shtyllat fundamentale të UE. Nuk duhet harruar, sidomos nga vendim-marrësit se, pavarësia ka të bëjë me sovranitetin e jashtëm ndërkaq mëvetësia shtetërore ka të bëjë me sovranitetin e brendshëm institucional dhe vendim-marrës. Andaj, dhe miratimi i krijimit të ‘tribunalit’ apo ‘gjykatës speciale’ me automatizëm nënkupton edhe bartje sovraniteti shtetëror.

3. Ndërhyrjet në ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë dhe legjislacionin tjetër vendor, ndërlidhur me aplikimin e legjislacionit nga ky ‘tribunal’ apo ‘gjykatë speciale’, njëherit, tregon edhe betejën midis sovranitetit – sistemit ligjor të shtetit të Kosovës dhe sistemit ligjor ndërkombëtar. Ndryshimet Kushtetuese nuk do të duhej të paraqisnin ndonjë risi, ngase edhe në Kushtetutën Franceze të vitit 1793, thuhej; ‘Një popull gjithmonë ka të drejtë ta rishikojë, ta rishkruaj dhe ta modifikojë Kushtetutën e tij’, por, për çfarë nevojash dhe konsekuencash bëhen ato ndryshime këtu qëndron thelbi i ndryshimeve!. Jo rrallëherë, ka ndodhur që, komuniteti ndërkombëtar ka synuar dhe tentuar që ta organizojë shoqërinë sipas interesave të përgjithshme ndërkombëtare, duke mos llogaritur në sistemin ligjor vendor, sistem i cili mund të përdoret edhe për të mbrojtur pavarësinë – sovranitetin e jashtëm, nga ndërhyrjet e së drejtës ndërkombëtare në sistemin tonë vendor.

Kohëve të fundit na ka rënë të dëgjojmë jo rrallë, pyetjet; atëherë pse bëmë shtet? pse luftuam të na gjykojnë të tjerët apo…? pse jashtë Kosovës? e shumë e shumë pyetje të tjera. Sidoqoftë, nuk duhet harruar asnjëherë se qeveria e Republikës u sfidua në përpjekjet e saj, në rrugën e saj për të ruajtur mëvetësinë gjyqësore, dhe kjo është për tu vlerësuar, ngase beteja për aplikimin e të drejtës ndërkombëtare padyshim zvogëlon sovranitetin shtetëror në këtë aspekt, ku duhet aplikuar sistemi ligjor i vendit. Çfarë mbetet të shihet në ditët në vijim, është se, kërkesa drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës për aprovim, për themelimin e ‘tribunalit’ apo ‘gjykatës speciale’, ishte apo jo e lidhur me fatin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe dialogut për liberalizimin e vizave?
(Autori është doktorant dhe njohës i Ligji dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare)

 

Më Shumë

25 vjet nga vrasja e “Drinit”

8 maj 2000. Ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha -‘Drini’, vritet para shtëpisë së tij, në Prizren. Kjo vrasje ndodhi në rrethana misterioze. Drejtësia vendore e ndërkombëtare,...

Haxhiu për krimin në Prizren: Institucionet përgjegjëse janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë

Ministrja në dorëheqje e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar për krimin që ndodhi në një familje turke që po qëndronte në Prizren tash e...

Lajmet e Fundit