19.8 C
Prizren
E diel, 12 Maj, 2024

Vrasja e Nemcov – Kasparov: S’ka më shpresa, ndryshimi vjen me revolucion!

kasparov_1Tri ditë pas vrasjes së Boris Nemcov, kritikut më të ashpër të Kremlinit në Moskë të premten mbrëma, Garry Kasparov, ish-kampioni i famshëm i botës në shah, që tani jeton në ekzil të vetimponuar në SHBA, ka sjellë një qasje tepër të zymtë për të ardhmen e Rusisë dhe opozitës së saj politike. Ndërsa e ka përshkruar liderin e martirizuar opozitar, si një prej avokatëve më të rëndësishëm të Rusisë për shprehje jo të dhunshme politike, ai shtoi se: “Boris shpresonte, më kot nga sa kuptojmë ne, të shihte forma të tranzicionit paqësor për një qeveri normale, të civilizuar dhe demokratike”, tha Kasparov për “Reuters”. “Nuk shoh mundësi për Rusinë tashmë, që të largohet nga diktatura brutale e Putinit, drejt një qeverie më të butë, ashtu siç kemi dashur edhe 10 vjet më parë”, tha ai, duke parashikuar se do të duhej vetëm një kryengritje masive dhe e dhunshme, që ndryshimi të bëhej realitet.

55-vjeçari Nemcov, ishte njëri prej liderëve më kryesorë e më karizmatikë të grupimeve opozitare në Rusi, që gjenden në një gjendje të përçarë dhe të dëshpëruar në përpjekjet e saj për të rigjallëruar shpresat e saj politike, 3 vjet pas mitingjeve masive kundër Putinit, të cilat dështuan të ndalonin rikthimin e tij në Presidencë, pas mandatit 4-vjeçar si Kryeministër. Kasparov e ka dhënë intervistën e tij të dielën gjatë kohës kur po mbahej edhe tubimi përkujtimor për vrasjen e liderit opozitar rus, Boris Nemcov.

Përtej famës si kampion botëror i shahut, Kasparov është gjithashtu një zë tepër i spikatur i opozitës ruse, që tashmë gjendet në ekzil, ndërsa drejton Fondin për të Drejtat Humanitare. Ndërkaq, zyrtarët e agjencive hetimore ruse u kanë dhënë edhe një herë udhë dyshimeve se ndoshta pas vrasjes së të premtes mbrëma në fundjavë, fshihet vetë opozita ruse, në një përpjekje për të krijuar një martir për të bashkuar një lëvizje të copëtuar e kuruar problemet në gjirin e saj. Por Kasparov shpreh siguri se përkundrazi, vetë autoritetet ruse janë në fakt përgjegjësit e vetëm për vrasjen makabre, duke u dhënë kështu një mesazh të qartë aktivistëve anti-Putin. “Është një sinjal ndaj kujtdo, që përfshihet në aktivitetet e opozitës, që të mos guxojnë, sepse do të humbasin”, tha Kasparov. “Ne nuk do të harxhojmë kohë duke të të persekutuar, duke pretenduar se po respektojmë rendin dhe ligjin. Ne thjesht të eliminojmë”.

Kasparov tha se nuk kishte nevojë për truproja në Shtetet e Bashkuara dhe nuk ndihet aspak në rrezik, për sa kohë që jeton jashtë Rusisë. Ai tha gjithashtu se nuk do të rikthehej në Moskë, qoftë edhe për të marrë pjesë në shërbimin funeral të Nemcovit. “Nuk preferoj të blej bileta udhëtimi me një kah lëvizjeje”, tha ai. I pyetur nëse kishte ndonjë strategji politike për të ecur përpara, Kasparov u tregua i hapur duke thënë se “nuk kam asnjë strategji. Kjo nuk është një lojë shahu, pasi në shah kemi rregulla për të zbatuar.

Ai shtoi gjithashtu se tashmë ka shumë pak hapësira për aktivistët politikë në Rusi për të lëvizur, e jo më për të zhvilluar një strategji politike. “Çfarë lloj strategjie mund të ndërtosh, nëse ti jeton me idenë se mund të vritesh?”, tha ai. Kasparov, që gjithashtu ka shkruar edhe për gazetën “Wall Street Journal”, thotë se “mund të mos merret vesh kurrë se kush e ka vrarë Boris Nemcovin”. Ai shkruan se “sa më parë që të zhduket Vladimir Putini, aq më të mira janë shanset që kaosi dhe dhuna që kanë frikësuar Borisin, të shmangen”. Kasparov thotë gjithashtu se disa orë pas vdekjes së Borisit, është raportuar se policia ka bastisur shtëpinë e tij dhe se ka konfiskuar letra dhe kompjuterë. “Armiqtë e Presidentit Putin janë shpesh viktima dhe viktimat e tij janë shpesh të dyshuar”, thotë Kasparov. Pyetja “a ka dhënë urdhër Putini?” mbetet aq e zëshme sot, si edhe në kohën kur u vra gazetarja Ana Politkovskaja më 2006, apo kur u helmua për vdekje kritiku i Putinit, Aleksander Litvinenko, po ashtu më 2006, apo edhe kur u rrëzua një aeroplan pasagjerësh i Malajzisë vitin e kaluar në lindje të Ukrainës”, shkruan Kasparov.

Më Shumë

Shpallja e finalistit të dytë, Juli dhe Meritoni në televotim kokë më kokë

Juli dhe Meritoni janë në televotim kokë më kokë, ku njëri prej tyre do të jetë finalisiti i dytë. Të martën njëri prej banorëve të...

Dijonis Biba lë në mes “Ferma VIP”: Nuk e përballoj dot, dorëzohem!

Ditën e sotme Dijonis Biba ka mbyllur rrugëtimin e tij në “Ferma VIP”.  Pasi ka mbledhur gjithë fermerët së bashku, ai u ka komunikuar se...

Lajmet e Fundit