11.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Zaho i famshëm

edi rama me bebeKanë qenë me miliona ata që kanë parë foton e postuar në Twitter nga Edi Rama dhe po të shumtë në numër kanë qenë ata që kanë uruar dhe komentuar të sapolindurin, duke na kujtuar pak princin Georg , nga familja mbretërore angleze. Me siguri i njëjti fat do ta ndjekë edhe të voglin e familjes kryeministrore shqiptare.

Nuk e dimë çfarë reagimi ka bërë kryeministri pasi ka parë fytyrën e të voglit të porsalindur, por ikona me buzëqeshje e postuar në rrjetin social Twitter bashkë me fjalinë njoftuese se bashkëshortja Linda, solli në jetë djalin e tyre Zahon, shoqëruar me një dorë të vockël ku lexohej qartë byzylyku me mbiemrin Rama, sikur zbulon ca nota nga lumturia e tij që u bë baba për herë të dytë.

E njëjta lumturi ndoshta si para nëntë muajve, kur mori vesh nga Linda se prisnin të bëheshin prindërit e një fëmijë, aq sa nga entuziazmi bëri një gjest si kur shënohet një trepikësh në basketboll, ca instinkte që nuk i ikin kurrë, nga koha kur e ushtronte këtë sport. Ashtu siç i ka edhe instinktet e prindërimit, të fituara që prej lindjes së djalit të tij të madh, Gregorit, 24 vjet të shkuar, nga ish-bashkëshortja Matilda Makoçi.

Sigurisht që këtë lajm, për ardhjen në jetë të djalit të tyre, të cilin e kanë pagëzuar menjëherë Zaho, nuk mund ta mbanin për vete, siç preferuan të bënin me shtatzëninë, ku lajmin e ndanë vetëm me një grusht të besuar miqsh dhe familjarësh për ta shijuar në intimitet pritjen e ëmbël. Por nuk zgjati shumë derisa nisi të marrë formë orteku i thashethemnajës në qytet derisa çifti Edi dhe Linda Rama u detyruan ta pohonin botërisht se prisnin një fëmijë.

Fëmijë të cilit, veçse kishin konfirmimin nga ekipi mjekësor se gëzonte shëndet dhe rritej normalisht gjatë tremujorëve, nuk kishin preferuar t’ia dinin gjininë.
Ndoshta lumturia e ditës së djeshme është shoqëruar edhe me surprizën e këndshme, kur mjekët i kanë zbuluar gjininë kur ia kanë dhënë në krahë mamasë.

Mjekë që nuk ishin shqiptarë, pasi kryeministri dhe bashkëshortja kanë zgjedhur një klinikë të huaj për të bërë lindjen cezariane të bebit. Këtë e ka konfirmuar edhe drejtoresha e spitalit obstetrik-gjinekologjik “Koço Gliozheni”, mjekja e njohur Rubena Moisiu , e cila bashkë me stafin mjekësor të maternitetit e ka ndjekur mamanë e re, për nëntë muaj radhazi. Moisiu gjithashtu ka konfirmuar se i porsalinduri dhe mamaja gëzojnë shëndet të plotë dhe se ndërhyrja cezariane ka qenë vendim i mjekëve.

Nuk e dimë nëse ka pasur komplikacione apo ka qenë dëshirë e çiftit për ta sjellë në jetë beben që lind me statusin “djali i kryeministrit” , por edhe ky detaj i ka lënë vend reagimeve dhe hamendësimeve nga më të larmishmet, ashtu si edhe origjina e emrit Zaho.

Nuk ka vonuar shumë nga ora 1: 53 e mëngjesit të datës 25 korrik që të gëlonin komentet mbi faktin pse kryeministri nuk i besoi shëndetësisë shqiptare dhe pse kishte zgjedhur një emër të huaj, pasi emri Zaho nuk u tingëllonte aspak shqiptar.
Brenda orëve u ngritën hipoteza se emri kishte origjinë hebraike – derivat i emrit Zaharia –të tjerë thoshin se është emri i gjyshit nga ana e së ëmës së Ramës, Anetës, por versioni zyrtar është se ishte një emër i zgjedhur prej prindërve të të porsalindurit, që nuk kanë dashur të japin informacione apo shpjegime të mëtejshme rreth kësaj zgjedhjeje.
Ndoshta para katër vitesh kur Linda Basha dhe Edi Rama lidhën kurorë, më 25 tetor, askush nuk do e mendonte se ata të dy, në një moshë të pjekur ( Rama sapo i ka mbushur 50, ndërsa Linda 49 vjeç) do të vendosnin të sillnin në jetë një fëmijë- duke i pasur secili nga një nga martesat e mëparshme. Edhe Linda ka një vajzë 24 vjeç, Rean nga bashkëshorti i parë, Thanas Xhillari.
Por, me sa është shprehur në media Linda- në ato daljet e pakta publike- ky fëmijë dëshirohej shumë nga të dy. Një fëmijë që do u sjellë edhe njëherë nga e para emocionet e prindërimit, rritjen, netët pa gjumë, të qarat, ushqyerjen, ndërresat… ndërsa Zahoja i vogël do të gëzojë statusin e fëmijës së famshëm, i cili ka ngjallur kureshtinë e qytetarëve që qeverisen nga i ati dhe ka mbushur faqe gazetash me lajme që prej ditës së parë që lindi, duke na kujtuar pak princin George , nga familja mbretërore angleze. Me siguri i njëjti fat do të ndjekë edhe të voglin e familjes kryeministrore shqiptare…
Edi

Linda Rama: Nuk lodhem kurrë së bëri mëmësinë

Bashkëshortja e kryeministrit në një rrëfim për shtatzëninë dhe reagimin e Ramës në momentin që mësoi se prisnin një fëmijë… e pyetur nëse është e gatshme të bëjë edhe njëherë nënën, ajo përgjigjet se nuk lodhet asnjëherë duke bërë mëmësinë.

Unë e kam dëgjuar këtë , që ju e keni mundur tundimin për të marrë vesh nëse është djalë apo vajzë. Pse kjo zgjedhje?

Po të ishte e mundur të kuptohej që në fillim nëse bebi ishte vajzë apo djalë, mund ta kishim parë. Zakonisht nuk identifikohet që në momentin e parë që merret vesh si lajm. Edi ka qenë ai që e përcaktoi këtë vullnet, mua më pëlqeu dhe iu bashkova. Mbase dhe për arsyen që ka shumë gjëra që para ’90 që na pëlqejnë. Edhe kjo është nga gjërat e bukura, kur fëmija lindte, ishte një surprizë e shtuar për të ditur nëse është djalë apo vajzë.

Shtatzëni, ishte një gjë e kërkuar me insistim?

Do të thosha një gjë e dëshiruar. Nuk është vullneti ynë për të përcaktuar këto gjëra, ne kishim vetëm dëshirën për të pasur një fëmijë. Gjithmonë unë kam besuar se është një vullnet edhe më i madh se kaq që kjo dëshirë të bëhet realitet. Të jem e sinqertë e kemi dëshiruar gjithmonë me Edin të kemi një fëmijë dhe kemi qenë jashtëzakonisht të lumtur në momentin që e morëm vesh që kishte ndodhur.

Si ishte situata kur u mor vesh nga ju?

Në fillim e mora vesh unë e para, sepse shkova të diagnostikohesha, se që në momentet e para e kuptova që nuk ishte diçka e zakonshme. Pa menduar që kishte ndodhur kjo gjë. Thellë brenda vetes sime dhe e mendoja, por kisha shumë frikë ta mendoja, sepse kisha frikë se do zhgënjehesha. E pashë gjithmonë thjesht për të bërë një konsultë me mjekun. Isha unë që e mora vesh e para, por nuk e ndava me Edin, sepse nuk isha në gjendje. Në momentin e parë që ishim bashkë në shtëpi, ja thashë me shumë kujdes. Sepse e ndieja që ishte një lajm i madh. Do ta kujtoj gjithë jetën time kur e ndava lajmin me Edin, sepse Edi u hutua dhe bëri një veprim siç bëjnë sportistët kur bëjnë 3 pikëshin në koshin e basketbollit, më pëlqeu shumë. E kishte një gjë të dalë nga brenda tij.

Fëmija juaj do të ketë fëmijëri më të bukur se tuajën?
Shpresoj shumë! Kam një lloj shqetësimi brenda vetes, se si do të jetë lidhja e fëmijës, mos të jetë lidhja me botën virtuale të mjeteve të kompjuterizuara. E kam përgatitur veten që të kem mundësi t’i mëshoj mënyrës tradicionale të rritjes së fëmijës, deri në një moshë të caktuar.

A jeni 100% e gatshme të bëni nënën?

Po, nuk lodhet njeriu duke bërë mëmësinë asnjëherë.

Po babai është i gatshëm për të ribërë babain?
Besoj se po! Edhe Edi është i gatshëm dhe në këtë betejë që them, edhe Edi e beson rritjen tradicionale të rritjes së fëmijës.
Ky fëmijë do të jetë i lumtur sepse do të ketë prindër fantastikë?
Ne kemi dy fëmijë të cilët janë të mrekullueshëm, Rean dhe Gregun, kemi një familje të bukur dhe besoj se kjo është një arsye e madhe që ky fëmijë të jetë në një mjedis shumë të mirë.
(Mapo)

Më Shumë

Universiteti “Ukshin Hoti” arrin marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Karamanoglu Mehmetbey nga Turqia

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren dhe Universiteti Karamano?lu Mehmetbey nga Turqia, sot kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi. Siç bëhet e ditur sipas njoftimit, marrëveshja është...

Arrestohen dy femra, sulmuan një të mitur dhe dy zyrtarë policorë në Prizren

Dy femra janë arrestuar të martën në Prizren, pasi që kishin sulmuar fizikisht një të mitur dhe më pas kishin penguar dhe sulmuar fizikisht...

Lajmet e Fundit