2.2 C
Prizren
E premte, 21 Shkurt, 2025

ZPS: Më 4 prill përfundojnë dëshmitë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë ka bërë të ditur se nuk do të thërrasë asnjë dëshmitar pas 4 prillit, në rastin e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Këtë e konfirmoi prokurori Matt Malling në një konferëncë të mbajtur më 19 shkurt për ecurinë e rastit, ku tha se “4 prilli është data e fundit e parashikuar” për thirrjen e dëshmitarëve.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarët e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë që katër vjet dhe vazhdimisht kërkesat e tyre për lirim nga paraburgimi janë refuzuar nga gjykatësit.

Gjatë konferencës u bë e ditur se gjatë javës së ardhshme do të dëshmojnë edhe dy dëshmitarë të tjerë, ndërsa për muajin mars u tha se deri më tani është konfirmuar vetëm dëshmia e një personi, megjithë planet për të intervistuar edhe dëshmitarë të tjerë.

Në prill, pasi ZPS-ja të ketë përfunduar marrjen në pyetje të dëshmitarëve, ekipet mbrojtëse të katër të pandehurve – të cilët janë deklaruar të pafajshëm – do të paraqesin rastin e tyre.

Në konferencën e sotshme nuk mori pjesë Thaçi, ngjashëm si në atë të fundit, për shkaqe shëndetësore. Tre të akuzuarit e tjerë ishin prezent përmes një video-lidhjeje.

Gjykimi ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023, teksa ekipet mbrojtëse vazhdimisht janë ankuar për kohëzgjatjen e këtij procesi.

Në nëntor të vitit të kaluar, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, kishte thënë se u takon gjykatësve që të vendosin nëse do të lirojnë nga paraburgimi katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur Prokuroria e Specializuar të përfundojë rastin e saj.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”, raporton REL.

Gjykata Speciale apo Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Më Shumë

Letra e lamtumirës që Kurt Cobain i la gruas dhe vajzës

Ish-solisti i grupit Nirvana i dha fund jetës së tij, në gjendje të rënduar psikologjike dhe emocionale, në vitin 1994. Përpara aktit final, la...

Dukagjini përmbys Suharekën dhe merr tri pikë

Suhareka ka pësuar humbje në fushën e vet ndaj Dukagjinit me rezultat 1-2, në ndeshjen e xhiros së njëzetë në Superligën e Kosovës në...

Lajmet e Fundit