16.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

10.854 studentë pritet të pranohen në UP

UP-studentetUniversiteti i Prishtinës do të pranojë për vitin e ri akademik rreth 10 mijë e 800 studentë të rinj, numër ky i miratuar nga senati i Universitetit dhe tashmë pritet të miratohet edhe nga Ministria e Arsimit, e cila mund ta ndryshojë këtë numër. Ndërkohë, pritet që konkursi për pranimin e studentëve të shpallet menjëherë pasi të dalin rezultatet e provimit shtetëror të maturës.

Universiteti i Prishtinës pritet të shpallë konkursin për pranimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2014-2015, menjëherë pas shpalljes së rezultateve të testit të maturës, pas datës 7 korrik. Ushtruesi i detyrës së prorektorit për mësim dhe çështje të studentëve në Universitetin e Prishtinës, Qerim Qerimi, tha për Radio Kosovën, se të gjitha propozimet e njësive akademike për numrin e studentëve që do të pranohen këtë vit, janë miratuar nga senati, të cilat i janë përcjellë Ministrisë së Arsimit për t’i miratuar.

“Numri i përgjithshëm i studentëve që Universiteti i Prishtinës ka propozuar është 10 mijë e 854 për të gjitha njësitë akademike që ka Universiteti. Në përcaktimin e propozimit ekzistues, njësitë akademike kanë marrë parasysh infrastrukturën e tyre, mundësitë hapësinore, ekzistencën e personelit akademik. Ne kemi pasur në konsideratë mundësitë që kanë të gjitha njësitë akademike”, ka thënë Qerim Qerimi.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit është ajo që do të vendosë për sa u përket kuotave të studentëve, që duhet të pranohen në Universitetin e Prishtinës dhe universitetet e tjera publike. Ky numër i propozuar nga Universiteti i Prishtinës, mund të rritet nëse Ministria e sheh të arsyeshme, pasi që sivjet është dyfishuar numri i maturantëve që do të konkurrojnë. Megjithatë, prorektori Qerimi, tha se numri i madh i studentëve do të ndikojë në cilësinë e studimeve.

“Sigurisht që rritja e numrit mund të ketë implikime për dimensione të tjera të rëndësishme siç është cilësia. Ne mund të pranojmë numër të madh e të organizojmë mësimin në klasë me mbase qindra studentë, por pyetja është se në rast se me këtë staf që kemi dhe hapësirën që posedojmë a mund të garantojmë cilësinë e dëshiruar”, ka shtuar Qerimi.

Ndërkohë, Fakulteti që ka propozuar numrin më të madh për pranimin e studentëve është ai i Ekonomik; në Prishtinë rreth 2 mijë studentë, ndërsa në qendrën e Mitrovicës, 400 të tjerë. Pas Ekonomikut, është Fakulteti Juridik, që ka propozuar të pranojë 1 mijë e 800 studentë.

Më Shumë

Lajmet e Fundit