10.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Melankolia e pyetjeve të duhura

(Shënime për vëllimin poetik “Ushtrimet e melankolisë” të Preç Zogajt)

Nga Agim Baçi 

A mund ta mendojmë ndryshe jetën e harruar? A jeton brenda nesh edhe ajo qe e kemi kaluar pa emër? Kur e nisim rrugëtimin për të hyrë tek ajo që kemi lënë pas? A është ajo e njëjta rrugë me atë që na çon përpara? A ecim me kohën që shohim me sy, apo zemra na dërgon një orë tjetër me të cilën t’i masim ecejaket e akrepave?….

Kur një libër me poezi të shkakton kaq pyetje, nuk mund të kesh mbetur veçse brenda fuqisë së imagjinatës së poetit, që kërkon të gjejë shtigje të reja për të të bërë të flasësh me vetveten. Preç Zogaj duket se është pushtuar nga poezia, që e ka mbajtur brenda vetes për të ngritur përmes tij disa pyetje të duhura për hapat e njeriut. Janë pyetje që nuk u shmangesh dot. Vetë poeti, i mbyll derën heshtjes ndaj pyetjeve që duhet të kemi. Sepse e di, që për njeriun që guxon, janë të gjitha dridhmat e vlefshme. Ndaj poeti na fton që të mos i druhemi frikës, por atë që shkakton mungesën e ecjes, mungesën e hapave, atë që shkakton mungesën e guximit për t’u nisur për diku.

E di se s’do përballem me frikën time,

sa kohë që s’kam bërë plan në të vërtetë” (Shkëputur nga poezia “Letër”, f. 52)

Pas vëllimit poetik “Ngjarje në tokë” në vitin 2011, u duk sikur Zogaj kish krijuar paqe heshtjeje me vargun, e do ta linte aty, në ftesën për rilexim. Por poeti ka vendosur që fundin ta pranojë që do të vijë, por që ende nuk e sheh e nuk kërkon t’ia pikturojë fytyrën. Sepse më parë se fundin,   Zogaj sheh mosguximin, si shembjen e njeriut. Dhe e kërkon njeriun dhe në errësirë, me shpresën se ka fuqi të ndezë secili dritën brenda vetes dhe të qëndisë sekondat e jetës së tij, me perin e ndjesive që ia vlejnë të kujtohen, që vlejnë t’u thuhen dhe të tjerëve.

Elegji e vazhdueshme

Dita perëndon në grykë të njeriut

kur kujtimet vdesin në një hjekë të thellë.

Malli, dashuria, vuajtja, pendesa

nuk prekin asgjë, nuk shohin asgjë.

 

Tmerri zhduket

tejpërtej ndjesive”

(Preç Zogaj, “Ushtrimet e melankolisë”, Mapo Editions, f. 19)

Është një poezi që të fton në intimitet, që të krijon dritaren e një vështrimi për të parë vetveten sikur ta kesh përdore. E ndarë si në katër kohë, vëllimi i Preç Zogajt thjesht kërkon një frymëmarrje përpara se të të ndajmë hapat, për të kuptuar se cilën udhë morëm dhe cilën udhë lamë të pashkelur.

Janë aty, e dikurshmja dhe ajo që do vijë. Shumica e vargjeve kanë nga pas si një fëshfërimë lutjen. Është një fëshfërimë që bart edhe enigmën e buzëqeshjes së fëmijës, edhe lëkurën e trashë të humbjes, që kërkon të të rrijë ngjeshur pas shpirtit, deri sa të gjesh kurajën të mos mbulohesh me të. Dhe si një betejë, sjell më pas edhe atë që vargu e mban fort jo pas tik-takeve të eshtrave, por sipas tik-takeve të fjalëve.

Histori

Jetohet, jetohet… Dita nis

me apelin e diellit.

Përgjigjen “këtu” të parët

ata në male, prapa muranave.

Dorë për dorë në zgjimin e ri

duke parë erën që tund dëllinjat

dhe bën sikur s’shihet.

 

Nuk harrojnë

se kanë qenë lule

të këtij planeti”

(Preç Zogaj, “Ushtrimet e melankolisë”, f. 121)

Më Shumë

Aksident tragjik në Shirokë të Suharekës, humbin jetën dy persona

Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të...

Zhegrova nonimohet për çmimin e futbollistit të vitit në Francë

Futbollisti i kombëtarës së Kosovës, Edon Zhegrova, është nominuar për çmimin e futbollistit më të mirë të vitit në elitën e futbollit francez. Ai është...

Lajmet e Fundit