23.8 C
Prizren
E shtunë, 28 Shtator, 2024

Liria e besimit në fokus të instrumentalizimit identitar

Çdokush që pranon një besim/fe, konvertohet në një tjetër a braktis tërësisht besimin, mund ta mburrë veprimin e vet përmes propagandës. Këtu s’ka asgjë kontestuese përderisa të respektohen dy elemente: e para, nëse personi i cili afirmon besimin e vet gëzon një pozicion hierarkik më superior ndaj personit tjetër si rrjedhojë e statusit publik a marrëdhënies së punës, dhe këtë nuk e shfrytëzon për trysni ndaj vartësve të vet; dhe, e dyta, përderisa nuk i nënçmon qytetarët e tjerë, të cilët pohojnë se i takojnë një besimi fetar tjetër.

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

As regjimet më diktatoriale dhe as ideologjitë më shekullariste nuk kanë arritur t’i çrrënjosin besimet dhe fetë në botë. Ndikimi i besimeve shpirtërore në jetët individuale dhe kolektive është i vjetër sa vetë historia njerëzore.

Dispozitat përkatëse kryesore ndërkombëtare

Dokumenti më bazik në të drejtën ndërkombëtare, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, proklamon se gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe besimit. Kjo e drejtë përfshin lirinë e ndryshimit të besimit ose bindjeve dhe lirinë që njeriu, qoftë vetë ose në bashkësi me të tjerët, të shfaqë publikisht ose privatisht, besimin ose bindjen e vet me anë të dhënies së mësimeve, kryerjes së kultit dhe ceremonive fetare.[1]

Edhe Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike e garanton këtë të drejtë. Sipas këtij dokumenti,[2] kjo e drejtë përfshin lirinë për të pasur ose për të adoptuar një fe ose një besim, si dhe lirinë për të manifestuar fenë apo besimin, qoftë individualisht apo së bashku me të tjerët, si publikisht ashtu edhe privatisht, nëpërmjet kultit dhe kryerjes së riteve, praktikave dhe arsimit. Tutje, Pakti thekson se askush nuk duhet t’i nënshtrohet ndonjë shtrëngimi që do të mund të prekte lirinë e tij për të pasur ose për të adoptuar një fe ose një besim të zgjedhur prej tij. Liria e manifestimit të fesë a e besimit mund të bëhet objekt vetëm i kufizimeve të parapara me ligj dhe që janë të domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë, të rendit e të shëndetit publik ose të moralit apo të lirive dhe të drejtave themelore të të tjerëve. Shtetet palë të këtij Pakti zotohen ta respektojnë lirinë e prindërve dhe, kur është e zbatueshme, të kujdestarëve të ligjshëm për të siguruar edukimin fetar dhe moral të fëmijëve të tyre në përputhje me bindjet e tyre.

Sipas Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë. Kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose besimin dhe lirinë, qoftë individualisht ose kolektivisht, publikisht ose privatisht, nëpërmjet kultit, mësimdhënies, praktikave dhe kryerjes së riteve. Kjo liri nuk mund t’u nënshtrohet kufizimeve të tjera, përveç atyre të parashikuara nga ligji dhe që përbëjnë masa të nevojshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, të shëndetit ose të moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve.[3] Në mënyrë që bindjet personale të cilësohen në kuadër të kësaj dispozite, ato duhet të plotësojnë dy kritere. Së pari, besimi të jetë në një shkallë të caktuar konsistence, serioziteti, harmonie dhe rëndësie; dhe, së dyti, të konsiderohet besim i pajtueshëm me respektimin e dinjitetit njerëzor.[4]

Duke qenë se dispozitat e kësaj konvente zbatohen drejtpërsëdrejti në Republikën e Kosovës dhe kanë prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike,[5] atëherë liria e besimit fiton garanci juridike shtesë.

Rregullimi kushtetues i besimit në Kosovë

Në nëntitullin “Liria e Besimit, e Ndërgjegjes dhe e Fesë”,[6] Kushtetuta e Kosovës afirmon se liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar dhe se kjo liri ngërthen të drejtën për ta pranuar dhe për ta manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjet personale dhe të drejtën për të pranuar ose refuzuar për të qenë anëtar i një bashkësie ose grupi fetar. Gjithashtu, askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet, në kundërshtim me ndërgjegjen e vet, që të marrë pjesë në praktikimin e fesë, si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e vet. Në anën tjetër liria e manifestimit të fesë, e besimit dhe e ndërgjegjes mund të kufizohet me ligj, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit ose të të drejtave të personave të tjerë.

Lidhur me këtë çështje, Kushtetuta njeh të drejtat e konfesioneve fetare. Shteti kosovar siguron dhe mbron autonominë fetare dhe monumentet fetare brenda territorit të vet. Po kështu, konfesionet fetare janë të lira ta rregullojnë pavarësisht organizimin e vet të brendshëm, veprimtaritë fetare, si dhe ritet fetare, si dhe kanë të drejtë të themelojnë shkolla fetare dhe institucione bamirëse në pajtim me legjislacionin.[7]

Besimi: e drejtë individuale apo identitet politik?

Nga sa kuptohet prej dispozitave juridike të sipërpërmendura, zgjedhja e besimit/fesë dhe konvertimi në një tjetër përbëjnë të drejtë themelore të njeriut. Kjo buron nga respektimi i dinjitetit të njeriut, i cili është i lirë dhe i pacenueshëm.

Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë ndërlidhet me disa të drejta të tjera. Për shembull, ajo është e pandashme nga liria e shprehjes, pastaj nga ndalimi i diskriminimit, nga e drejta e arsimit, nga të drejtat gjinore, etj.

Autoriteti shtetëror nuk mund të privilegjojë në trajtim qytetarët për shkak të përkatësisë së tyre fetare. Domethënë, nuk guxon të krijohet pabarazi sociale mbi baza fetare. Njëherësh, as qytetarët që i takojnë një komuniteti të caktuar fetar nuk mund të pretendojnë status më të volitshëm si rrjedhojë e përkimit në një fe a tjetër.

Përkatësia fetare e dikujt dhe liria e manifestimit të saj nuk mund të nënçmohet as nga shteti dhe as nga personat fizikë e juridikë. Madje, shteti duhet të jetë garantues i lirisë së manifestimit të bindjeve fetare karshi çdokujt që e rrezikon një gjë të tillë.

Secili individ e gëzon të drejtën ta përzgjedhë besimin e vet, bile edhe deklarimin për mosbesim. Kjo përzgjedhje duhet të shoqërohet me lirinë e shprehjes. Ndërkaq liria e shprehjes fetare nuk lejohet të jetë fyese për besimin e tjetrit. Termat me konotacion pezhorativ, përçmues, ofendues nuk zënë vend në kuadër të lirisë së shprehjes. Praktikisht, çdokush që pranon një besim/fe, konvertohet në një tjetër a braktis tërësisht besimin, mund ta mburrë veprimin e vet përmes propagandës. Këtu s’ka asgjë kontestuese përderisa të respektohen dy elemente: e para, nëse personi i cili afirmon besimin e vet gëzon një pozicion hierarkik më superior ndaj personit tjetër si rrjedhojë e statusit publik a marrëdhënies së punës dhe këtë nuk e shfrytëzon për trysni ndaj vartësve të vet; dhe, e dyta, përderisa nuk i nënçmon qytetarët e tjerë, të cilët pohojnë se i takojnë një besimi fetar tjetër.

Kombet janë organizime relativisht të vonshme dhe me konsolidimin e modernitetit kanë fituar trajtë. Ky proces është shoqëruar me formësimin e karakterit laik të shtetit dhe me garancinë e besimit, fesë e ndërgjegjes për qytetarët. Kështu, shteti nuk lejon që fetë ta përcaktojnë organizimin dhe funksionimin e tij dhe as vetes nuk ia njeh tagrin që t’u përzihet qytetarëve për mënyrën e besimit të tyre. Shteti qëndron neutral ndaj besimeve dhe nuk mund të përcaktojë se një fe apo besim është legjitim e të tjerët jo (përderisa një besim respekton dinjitetin e njeriut), ngase kjo do të ishte në disharmoni me parimin e paanshmërisë. Së këtejmi, nuk mund të ndërtohen paralele midis identitetit kombëtar/shtetëror dhe një feje të caktuar. Për ta thjeshtuar këtë pohim përmes një ilustrimi, mund të thuhet se identiteti i shtetit kosovar a i popullit të Kosovës nuk mund të homogjenizohet duke u personifikuar me njërën a tjetrën fe. Është i papranueshëm cilido opinion dhe aludim që pretendon se qytetari është më atdhedashës dhe më patriot nëse i takon një besimi, qoftë nga prejardhja familjare, qoftë përmes konvertimit të mëpasshëm. Atdheu dhe shteti u takojnë të gjithë qytetarëve. “Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet[8], thotë Kushtetuta.

Besimi duhet ruajtur si garanci individuale dhe jo të shndërrohet në objekt imponimi ndaj masës. Për aq sa sjell dëm shtrëngimi për të deklaruar se i takon një feje dhe aq sa sjell dëm ndalimi detyrues i feve, po aq dëm shkakton edhe orvatja për ta stërkequr publikisht një fe, duke e etiketuar si burim të prapambetjes kombëtare dhe se përparimi do të ardhka me kthimin “në fenë e të parëve”, term ky tendencioz dhe me përplot ambiguitete. Që të gjitha këto veprime janë të sforcuara, janë jashtë realitetit objektiv, janë të pasakta historikisht dhe sociologjikisht, janë kundër dinjitetit të njeriut dhe në papajtueshmëri flagrante me të drejtat dhe liritë bashkëkohore. Aktet e tilla, po ashtu, janë metodologjikisht jo të përpikta dhe tejet përgjithësuese, logjikisht kundërthënëse, praktikisht përçarëse dhe juridikisht problematike.

Thirrjet për të pasuar një besim kanë legjitimitet gjersa arsyetohen me argumente doktrinare a dogmatike. Secili individ mund ta parapëlqejë një besim ndaj tjetrit dhe gëzon lirinë për ta përqafuar atë. Në anën tjetër, thirrjet për ta braktisur masovikisht një fe mbi premisa jo teologjike, por mbi premisa identitare kulturore/politike, nxjerrin në pah manipulimin sistematik që i bëhet shoqërisë nëpërmjet instrumentalizimit të besimeve a feve.

[1] Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, neni 18.

[2] Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, neni 18.

[3] Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, neni 9.

[4] Case of Campbell and Cosans V. The United Kingdom, Application no. 7511/76; 7743/76), par. 36.

[5] Kushtetuta e Kosovës, neni 22/2.

[6] Kushtetuta e Kosovës, neni 38.

[7] Kushtetuta e Kosovës, neni 39.

[8] Kushtetuta e Kosovës, neni 1/2.

revistashenja.com

 

Më Shumë

Sonte, Ardian Krasniqi lufton për titullin e WBO-së

Sonte në "MHP Arena" në Ludwigsburg të Gjermanisë, boksieri nga Juniku, Ardian Krasniqi, do të përballet me Saul Ivan Male nga Afrika, në një...

Fillon pastrimi i hapësirës së Zonës Industriale në Prizren

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Prizren ka filluar një aksion për pastrimin e hapësirës ku pritet të zhvillohet Zona Industriale e Komunës. Ky veprim përbën...

Lajmet e Fundit