Në tetë ballafaqimet e para të edicionit 2024/25, FC Suhareka po konkuronte me top pretendentët e Superligës për zonën evropiane.
Me Shpëtim Duron në krye të bankinës, kjo skuadër e themeluar së fundmi, grumbulloi 13 pikë, me katër fitore, një barazim e dy humbje, njofton Klankosova.tv.
Por dy disfatat e skuadrës që udhëhiqej nga tekniku shqiptar, nuk i pëlqyen kryesisë së këtij klubi, të cilët vendosën t’i ndajnë rrugët me njërin nga trajnerët më të njohur të futbollit kombëtar.
Këtij “divorci” i kontriboui jo pak edhe fanatizmi disiplinor i 64 vjeçarit, me të cilin disa futbollistë nuk ishin të kënaqur.
Megjithatë, ky vendim i suharekasëve të verdhë, rezultoi i gabuar deri tani, meqenëse ky ekip nuk pa më “dritë të bardhë”, sa i përket rezultateve.
Angazhimi i Qëndrim Kidës, që me Malishevën vitin e kaluar u bë senzacion, nuk dha fryte siç kanë pritur udhëheqësit e Suharekës.
Skuadra mori 3 pikë vetëm në duelin ku ishin nikoqir të Prishtinës, kurse humbën katër ballafaqime të tjera e barazuan në tri përballje të tjera, raporton Klankosova.tv.
Edhe Feronikeli’74 që nuk njihte fitore në 14 ndeshjet e para të këtij edicioni, arriti që ndaj Suharekës t’i arkëtojë 3 pikë.
Njohësit e futbollit në Kosovë, kanë vetëm një arsye pse këtij ekipi i ndodhi kjo. Shkarkimi i Shpëtim Duros!
Gazetari dhe komentatori i njohur i Art Motion, Arbon Flugaj e vlerëson veprimin e suharekasëve si një nga gabimet më të mëdha që ndodhën në dekadën e fundit në kampionatin elitar të Kosovës.
“Shkarkimi i Shpëtim Duros nga Suhareka është padyshim një prej gabimeve më të mëdha të 10 viteve të fundit në futbollin kosovar”, shkroi ai në rrjetin social facebook, duke paraqitur ecurinë e kësaj skuadra gjatë dhe pas epokës “Duro”.
Se të praptën e morën nga ai moment kur larguan trajnerin, kreysisë së këtij klubi fajin po ia lënë edhe tifozët, që “bombarduan” me komente në faqen zyrtare në facebook.
“Nuk ndrrohet tjerneri për teke të qefeve të disa mercenareve në klub”, shkroi A.K, kurse B.H ngre alarmin për reflektim urgjent.
Nga 19 pikët e grumbulluara deri tani, vetëm gjashtë u siguruan pas periudhës së trajnerit nga Tirana.