Pas më shumë se nëntë muaj hetime, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka shkatërruar një grup kriminal të trafikut të armëve, aktiv në të dyja shtetet.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale, më 10 dhjetor 2024, Policia e Kosovës ka zhvilluar në terren një plan operativ, me ç’rast janë kryer urdhërkontrollë në nëntë (9) lokacione pronë e të dyshuarve. Gjatë urdhërkontrollit në këto lokacione, përfshirë zbatimin e urdhëresave për masat e veçanta teknike të hetimit, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar: Njëzet e nëntë (29) pistoleta dhe tri (3) armë të gjata të modeleve të ndryshme; dymijë e gjashtëqind e tridhjetë e pesë (2635) fishekë/municion të modelit të ndryshëm; dy automjete dhe pajisje të tjera”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, përcjell PrizrenPress.
Tetë persona të dyshuar janë arrestuar në Kosovë: V.O., K.K., S.H., Sh.J., A.H., Z.A., A.D., dhe B.A. Gjashtë prej tyre janë shtetas kosovarë, ndërsa dy të tjerë shtetas të Republikës së Shqipërisë.
“Në koordinim me PSRK-në dhe me Policinë e Kosovës, më datën 11 dhjetor 2024, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në funksion të këtij procedimi, u zhvillua operacioni për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit për 6 persona dhe kontrolli i banesave për 7 vende”.
Gjatë operacionit në Shqipëri, u sekuestruan: “22 armë zjarri ‘Zoraki’, një armë zjarri AK-47, një granatë dore ofensive dhe 470 fishekë të llojeve të ndryshme, si dhe 3 automjete dhe shuma të konsiderueshme parash”.
Prokuroria njofton se hetimet filluan pas “pranimit të informacioneve lidhur me dyshimet se disa persona shtetas të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë, janë duke u marrë me import, eksport, furnizim, transportim, ndërmjetësim dhe shitje të paautorizuar të armëve apo materialeve plasëse”.
Në qershor 2024, u nënshkrua një Marrëveshje për Themelimin e Ekipit të Përbashkët Hetimor, e mbështetur nga EUROJUST dhe EUROPOL, për të koordinuar hetimet mes dy shteteve.
“Nga hetimet e zhvilluara përmes masave të veçanta të hetimit janë dokumentuar raste të shitjes së armëve të zjarrit, kryesisht pistoleta ‘Zoraki,’ të trafikuara nga Kosova drejt Shqipërisë.”
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë hetimet dhe do të koordinohet me autoritetet e Shqipërisë për veprime të tjera, bazuar në raportet që do të rezultojnë nga këto bastisje./PrizrenPress.com/
Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”