Sipas tyre, përgjigjet për këtë çështje mungojnë ndonëse kërkesat janë parashtruar disa herë.
Ky shqetësim është paraqitur edhe në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës, nga kryetari i këtij Komitetit, Ertan Simitçi, raporton Telegrafi.
“Është hera e pestë apo hera e gjashtë që si Komitet për Komunitete nga Komuna kërkojmë që të publikohen statistikat e përfaqësimit të komuniteteve shumicë dhe jo-shumicë. Po kërkojmë nga Komuna, nga Zyra e Kryetarit, apo dikasteri përgjegjës, që të publikohet të dhënat e përfaqësimit të komuniteteve shumicë dhe jo-shumicë, domethënë të shërbyesve civilë, se sa janë shqiptarë, sa janë boshnjakë, se janë turq, sa janë serbë apo të tjerë. Pra, kërkojmë përqindjen e punësimit të komuniteteve”, ka thënë ai.
Lidhur me këtë çështje shefi i Njësisë për Komunikim me Publikun, Ymer Berisha ka theksuar se në qoftë se legjislacioni parasheh një gjë të tillë, atëherë këto të dhëna do të publikohen.
“Publikimi i dhënave nga përkatësia etnike. Unë për herë të parë po e dëgjoj, nuk e di ashtu a e lejon ligji apo nuk e lejon, pa e pyetur personin vetë se a dëshiron me ta publiku përkatësinë. Unë e mora porosinë, do të konsultohem ligjërisht cila është e vërteta. Në qoftë se ti ke të drejtë ligjore, ato publikohen. Vetëm normalisht na duhet ti pyesim se a pajtohen që ta bëjmë publike përkatësinë etnike”, ka deklaruar Berisha, raporton Telegrafi.
Të njëjtën kërkesë, kryesuesi i Komitetit, Ertan Simitçi e ka paraqitur edhe gjatë shpalosjes së raportit të punës për vitin 2024. Sipas tij, punësimi i komuniteteve jo-shumicë në institucionet publike, përkatësisht komunë dhe ndërmarrjet publike është veçuar si sfidë.
“Po ashtu, në takimin e fundit kemi marrë një rekomandim me vota unanime nga anëtarët e Komitetit për Komunitete, ashtu siç e thashë edhe më herët, se do të kërkojmë nga Zyra e Kryetarit edhe nga Zyra e Kryesuesit të Kuvendit që brenda afatit prej gjashtëdhjetë ditëve të sigurohet dhe publikohen të dhënat zyrtare sipas përfaqësimit të komuniteteve shumicë dhe jo-shumicë në nivel lokal, pasi që Ligji për zyrtarët publikë neni 10 na jep këtë të drejtë dhe këtë qasje”, ka thënë Simitçi, raporton Telegrafi.
Sipas tij, këto të dhëna i shërbejnë institucionit, por edhe pjesëtarëve të komuniteteve.
“Kjo pasqyre apo ky publikim shërben edhe për nevojat e Komunës, po edhe neve, pasi do të na mundësojë krijim dhe zhvillim të politikave të reja, me qëllim që të respektohen ligjet dhe të respektohet barazia apo përfaqësimi i barabartë i komuniteteve”, është shprehur Simitçi.
Dispozitat e Ligjit për zyrtarët publikë përkufizojnë se në nivelin komunal, plotësimi i numrit të vendeve të punës për pjesëtarët e komuniteteve duhet të bëhet në pajtim me përqindjen e popullatës në atë komunë. /Telegrafi/