17.9 C
Prizren
E martë, 6 Maj, 2025

Abdixhiku refuzon përfundimisht Kurtin – propozon “Qeveri tranzicionale”

Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar për herë të tretë dhe përfundimisht ofertën e kryeministrit Albin Kurti për bashkëpunim politik.

Në dritën e krizës së thelluar për konstituimin e Kuvendit, dhe pas pranimit të një tjetër letre nga Kurti që përmbante lutje të përsëritura për bashkëpunim, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së partisë, ritheksoi prerazi qëndrimin e partisë.

Duke iu referuar “stagnimit serioz të vendit” në katër vitet e fundit, Abdixhiku tha se LDK “e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Vetëvendosje.”

“LDK-ja, siç e dini, në zgjedhjet e 9 shkurtit ka garuar me një program të qartë dhe me qëndrime të qarta sa i takon bashkëpunimit politik. LDK-ja, për mungesë besimi dhe duke pasur parasysh stagnimin katërvjeçar të vendit — e kam fjalën për rrezikimin e aleancave strategjike, të sigurisë nacionale, rrezikimin serioz të demokracisë dhe lirisë së shprehjes, atakimin e institucioneve të pavarura, mosrespektimin e vendimeve të institucioneve dhe polarizimin e thellë shoqëror — e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje.”

Në vend të kësaj, ai tha se LDK propozon një qeveri të tranzicionit me afat të caktuar si të domosdoshme për të dalë nga kriza dhe si një hap që sipas tij, kërkon përgjegjësi, unitet dhe vetëdije të lartë politike nga të gjitha forcat parlamentare.

“Sot vendi është në krizë të thellë – në krizë të thellë institucionale, kryesisht për shkak të dështimit të partisë së parë të krijojë partneritete politike për krijimin e një shumice. Dhe zgjidhjen nga kjo bllokadë, LDK-ja e konsideron të domosdoshme, të rëndësisë nacionale për Republikën e Kosovës. Në përputhje me këtë, LDK-ja dhe unë si kryetar i saj, propozojmë nisjen e një procesi të ri politik, dhe kjo zgjidhje kërkon edhe përgjegjshmëri, edhe unitet, dhe mbi të gjitha kërkon vetëdije të lartë politike në vend. Në përputhshmëri me këtë, LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi, fillimisht konsultativ, me të gjitha partitë politike shqiptare, me qëllim formimin e Qeverisë Nacionale të Tranzicionit. Pra, LDK-ja kërkon unitet gjithëshqiptar në këtë periudhë dhe formimin e Qeverisë Nacionale të Tranzicionit – një qeveri me afat të caktuar deri në zgjedhjen e Presidentit të ri. Program, agjendë të qartë shtetërore, të politikës së jashtme dhe të brendshme.”

Letra e Kurtit

Duke përdorur një gjuhë herë thumbuese e herë përkdhelëse – si fjalia “LDK njihet si parti që nuk heziton për koalicione” – kryeministri Kurti iu drejtua dje për herë të tretë kësaj partie.

Në letër, Kurti kërkoi koalicion me këtë parti duke nënvizuar mes tejrash se “koalicionet bëhet pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime”.

“LDK njihet si parti e cila nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse: në 2001-2004 me PDK dhe AAK, në 2004-2007 me AAK, në 2008-2010 me PDK, në 2014-2017 sërish me PDK, ndërkaq në 2020 me LVV.” – thuhet mes tjerash në letrën e Kurtit.

Në letrën e tij, Kurti pretendon se “nuk kam pasur problem me juve”, një qëndrim që bie në kundërshtim flagrant me deklaratat e tij të mëparshme gjatë fushatës zgjedhore, kur kishte përjashtuar kategorikisht çdo mundësi bashkëpunimi me LDK-në. “Na e kena provu koalicionin me ta. 51 dite na ka zgjatë. O për zotin qetash as 5 orë nuk mundet me zgjatë. Kështu që na s’bëjmë koalicion me ta” – deklaronte ai.

Ndërkohë, Abdixhiku, theksoi dje rëndësinë e shmangies së arrogancës politike, deri në dhënien e një përgjigjeje zyrtare ndaj ftesës. “Pritni, kini durim, do të jemi transparent si çdo herë. Qëndrimet e LDK-së ju tashmë i dini”, tha Abdixhiku para gazetarëve.

Më Shumë

Përmes votës, banorët zgjedhin prioritetet në Hoçë të Qytetit dhe Mushnikovë

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se praktika e buxhetimit me pjesëmarrje ka vazhduar me takimet në fshatrat Hoçë e Qytetit dhe Mushnikovë, në të...

Fillon aksioni pranveror për mbeturinat e mëdha në Prizren, zgjat deri më 7 maj

Sektori i Mjedisit dhe Menaxhimit të Mbeturinave në Komunën e Prizrenit ka njoftuar amvisëritë se deri më 7 maj 2025 zhvillohet aksioni pranveror për...

Trepça në finale

Lajmet e Fundit