Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka qëndruar sot në Rahovec, ku u takua me qytetarë të kësaj komune në mbështetje të kandidatit për kryetar, Ali Dula, dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Kurti tha se Rahoveci ka pritur tepër gjatë për një qeverisje të denjë komunale, duke theksuar se më 12 tetor qytetarët do të kenë mundësinë të sjellin ndryshimin e shumëpritur.
“Bashkë me qytetarët dhe përkrahjen e secilës e secilit, Ali Dula dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! ecin sigurt dhe drejtë në fitoren e 12 tetorit, që do të sjellë zhvillimin dhe progresin e Rahovecit,” – u shpreh Kurti.
Nga Krusha e Madhe, vendi i heronjve Bajram Curri dhe Ukshin Hoti, Kurti dhe Dula u takuan me banorët për të folur për projektet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me fokus të veçantë në bujqësi dhe prodhim vendor.
Sipas Kurtit, Ali Dula është “profesionist, mësimdhënës e punëtor, me program e zotime serioze” dhe do të jetë garancia për një qeverisje të drejtë dhe transparente në Rahovec.
“Çdo votë vlen shumë dhe është e rëndësishme në fitoren e 12 tetorit. Fitorja e Ali Dulës, bashkë me shumicën në Kuvendin Komunal, do të shndërrojë vizionin për Rahovecin dhe Krushën e Madhe në vendime konkrete dhe punë të mbara”, tha Kurti.
.