Kujtim S. Germizaj
Edhe pse mbeti jashtë garës së balotazhit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Prizren dëshmoi sërish se mbetet faktor kyç politik në qytetin e Prizrenit.
Zgjedhjet lokale të mbajtura më 9 nëntor 2025 treguan se pesha politike e këtij subjekti ende ndikon fuqishëm në përcaktimin e drejtimit të zhvillimeve lokale.
Vota e lirë, e menduar dhe e përgjegjshme ishte faktori që bëri diferencën. Elektorati i LDK-së, edhe pse në raundin e dytë nuk kishte kandidatin e vet në garë, ndikoi ndjeshëm në rezultatin përfundimtar, duke përcaktuar kështu edhe fituesin e zgjedhjeve në Prizren.
Votuesit e këtij subjekti në balotazh u shndërruan në faktor përcaktues të rezultatit përfundimtar. Kjo dëshmon se LDK-ja, pavarësisht rezultateve më të kufizuara në raundin e parë, ruan një ndikim të qëndrueshëm dhe të disiplinuar elektoral, i cili në momente të tilla del në pah si element vendimtar.
Me fjalë të tjera, aleancat dhe marrëveshjet politike gjatë këtij procesi zgjedhor luajtën një rol thelbësor. Ishte një test i qartë politik dhe qytetar, ku prizrenasit vendosën jo vetëm për kryetarin, por edhe për drejtimin që do të marrë qyteti në katër vitet e ardhshme.
Ky rezultat ishte gjithashtu një sinjal i qartë për Lëvizjen Vetëvendosje (VV).
Edhe pse gjatë fushatës qeveria shpërndau nga 100 euro për studentë, miratoi rritjen e pagës minimale, shtesat për fëmijë dhe pensionet, si dhe rritjen e pagave në sektorin publik, rezultatet e zgjedhjeve ishin një goditje për Vetëvendosjen.
Megjithëse mbetet forcë qendrore në nivel shtetëror, VV nuk arriti të bindë elektoratin lokal as në Prizren e as në shumë komuna të tjera të Kosovës.
Kjo tregon për një lodhje publike ndaj mënyrës së qeverisjes që shpesh perceptohet si arrogante, e centralizuar dhe e paaftë për të prodhuar rezultate konkrete në terren.
Në këtë klimë, edhe votuesit tradicionalë të Vetëvendosjes po shfaqin shenja ftohjeje, duke e parë gjithnjë e më shumë partinë si pushtet të izoluar sesa si forcë transformuese të realitetit politik dhe qytetar.
Marketing
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren