Në parkun e qytetit të Prizrenit, sot u përurua shtatorja e heroit të kombit, Tahir Sinani, në një ceremoni solemne të mbushur me emocione.
Familjarë, invalidë e veteranë të luftës, përfaqësues të institucioneve nga Kosova dhe Shqipëria, si dhe qytetarë të shumtë, morën pjesë në këtë ngjarje të veçantë.
Djali i heroit, Rrezart Sinani, në fjalën e tij theksoi: “Sakrifica e dëshmorëve është themeli i lirisë sonë. Në emër të familjes Sinani ju falënderoj nga zemra që jeni këtu me ne për ta ndarë këtë ditë të madhe.”
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, dhe ai i Rahovecit, Smajl Latifi, vlerësuan figurën e Tahir Sinanit si simbol të drejtësisë, përulësisë dhe sakrificës. Ata theksuan se vepra e tij mbetet frymëzim për brezat e ardhshëm.
“Sot, para kësaj shtatoreje, unë nuk po qëndroj vetëm për të përuruar një vepër artistike. Po qëndroj përballë një kujtese të gjallë, përballë një amaneti që na flet të gjithëve: me e ruajt figurën, me e ruajt të vërtetën dhe me e ruajt dinjitetin e historisë sonë kombëtare.
Nuk dua të flas sot për data e fakte. Dua të flas për parime, sepse figura e Tahir Sinanit është shumë më tepër se një biografi lufte, është një udhëzues moral. Ai ishte mishërim i kurajos, i besës dhe i përgjegjësisë ndaj vendit. Ishte shembull se si njeriu kur e do lirinë, nuk e kërkon si privilegj, por e mbron si detyrim. Ishte njeri i drejtësisë, i përulësisë dhe i sakrificës. Ishte prej atyre burrave që nuk kërkojnë vend në histori, por historia ua jep vetë, sepse jetojnë për të tjerët”, tha Totaj.
“Për mua, kjo shtatore nuk është vetëm një monument. Është një deklaratë publike e qytetit tonë se dimë të kujtojmë me dinjitet, dimë të ruajmë vlerat e njerëzve që dhanë gjithçka për kombin. Ruajtja e figurës së Tahir Sinanit është për mua akt institucional, moral dhe qytetar, është një proces i përditshëm i mbrojtjes së së vërtetës, i respektit ndaj sakrificës dhe i përkushtimit për ta çuar më tej idealin e tij.
Prizreni, qyteti ynë, ka një traditë të gjatë të kësaj përgjegjësie. Këtu janë farkuar ide, janë ndërtuar ura e institucione, janë bashkuar gjenerata. Unë e shoh këtë qytet si kujdestar të kujtesës kombëtare. Detyra jonë nuk është vetëm të ruajmë gurët e trashëgimisë, por edhe figurat që mbajnë mbi supe peshën e lirisë sonë”.
“Dua që çdo i ri dhe e re që kalon pranë kësaj shtatoreje të ndalet një çast, të kuptojë se liria nuk është e dhënë, ajo fitohet dhe ruhet me punë, me dije dhe me karakter.
Sot dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për familjen Sinani. Ju keni mbajtur një dhimbje të madhe, por edhe një krenari që na përbashkon të gjithëve. Si Kryetar i Komunës, por edhe si qytetar, ju falënderoj që e keni mbajtur të gjallë kujtimin e tij me dinjitet e me qetësi.
“Faleminderit edhe bashkëluftëtarëve, OVL-së së UÇK-së dhe shoqatës “Zona e Pashtrikut” për bashkëpunimin që e bëri të mundur këtë ditë. Vetëm kur institucioni dhe komuniteti ecin bashkë, kujtesa bëhet politikë publike dhe jo thjesht mallëngjim.
Unë besoj se ruajtja e figurave tona kombëtare duhet të bëhet me standard: me dokument, me respekt, me të vërtetë. Kështu fëmijët tanë mësojnë jo thjesht emra, por vlera, kuptojnë pse disa njerëz zgjodhën rrugën e sakrificës, që ne sot të zgjedhim rrugën e zhvillimit”.
“Si Komunë e Prizrenit, ne do të vazhdojmë ta mbështesim çdo nismë që lidhet me edukimin patriotik, me historinë e Zonës së Pashtrikut, me kujdesin institucional për dëshmorët dhe familjet e tyre. Dua që kjo shtatore të mos mbetet e heshtur, por të jetë pikë takimi për brezat e rinj, për nxënësit, për studiuesit, për qytetarët që duan të mësojnë pse liria kërkon përgjegjësi”, tha Totaj.
“Sot, përpara kësaj shtatoreje, dua të them këtë: njerëzit mund të largohen, por vlerat që përfaqësojnë nuk vdesin.Tahir Sinani na la një busull që tregon gjithmonë drejt lirisë, dinjitetit dhe punës së ndershme”.
“Detyra ime si Kryetar, dhe detyra jonë si qytetarë, është të ecim sipas kësaj busulle e me bashkim, me maturi, me kurajë dhe me përkushtim për Prizrenin e për Kosovën.
Lavdi e përjetshme Komandantit Tahir Sinani!”, tha Totaj.
Pjesëmarrës të tjerë e përshkruan Sinanin si një figurë kyçe të luftës për lirinë e shqiptarëve, duke nënvizuar se kujtimi i tij do të mbetet i përjetshëm.
Përurimi i shtatores në Prizren shihet si një akt nderimi dhe respekti për jetën dhe veprën e tij të çmuar.
Marketing
Express Kredi nga BiCredit
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Industria e mishit “Medina” në Prizren – traditë, cilësi dhe shije autentike të produkteve të mishit që nga viti 1991
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
