Xhudistja legjendare kosovare, Nora Gjakova, ka njoftuar sot zyrtarisht përfundimin e karrierës së saj sportive, duke mbyllur një nga kapitujt më të suksesshëm në historinë e sportit shqiptar.
Përmes një mesazhi emocional, Gjakova ka bërë të ditur se në ditën e fundit të vitit 2025 vendosi t’i japë fund rrugëtimit të saj 23-vjeçar në sportin e xhudos – një rrugëtim që, sipas saj, ka qenë “e gjithë jeta” e saj deri më tani.
“Jam rritur dhe kam marrë frymë me sportin e xhudos dhe jam e lumtur që e kam jetuar ëndrrën time”, shkruan kampionia olimpike, duke theksuar se sfidat, humbjet dhe fitoret do të mbesin kujtime të paharrueshme që e kanë formuar si sportiste dhe si njeri.
Nora Gjakova vlerësohet si një nga sportistet më të suksesshme shqiptare të të gjitha kohërave, me kulmin e karrierës së saj titullin Kampione Olimpike, një arritje historike për Kosovën dhe sportin shqiptar.
Në mesazhin e saj, ajo ka shprehur mirënjohje të veçantë për familjen që e mbështeti në hapat e parë, për trajnerin Driton Kuka, i cili e udhëhoqi drejt majës olimpike, si dhe për shokët dhe shoqet e Klubit Ippon në Pejë për përkrahjen e vazhdueshme ndër vite.
Po ashtu, Gjakova ka falënderuar shtetin e Kosovës për nderin dhe krenarinë që i dha duke e përfaqësuar në arenën ndërkombëtare, si dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë për mbështetjen e tyre të pandërprerë.
“Ndjehem e përmbushur me gjithçka që kam arritur gjatë këtyre 23 viteve karriere në sport”, përfundon ajo, duke falënderuar të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë në këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm.
Përfundimi i karrierës së Nora Gjakovës shënon fundin e një epoke të artë për xhudon kosovare, por trashëgimia e saj do të mbetet frymëzim për gjeneratat e ardhshme të sportistëve.
Marketing
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
