Ka ndërruar jetë profesori dhe studiuesi i historisë, Enver Batiu, një emër i njohur i arsimit dhe i hulumtimeve shkencore në Opojë dhe më gjerë.
Prof. Enver Batiu u shqua si mësimdhënës në trevën e Opojës gjatë viteve ’70, para se të shpërngulet në Prizren, ku vazhdoi me përkushtim të japë kontribut të çmuar në arsim dhe kulturë në institucionet ku punoi.
Përveç veprimtarisë së tij si pedagog, Batiu la gjurmë të rëndësishme edhe në fushën e studimeve historike. Ai është autor i disa punimeve shkencore, disa prej të cilave janë përfshirë në librin “Opoja – aspekti historik”, ndër to punimet: “Opoja trevë e lashtë shqiptare” dhe “Qasje antishkencore e Jastrebovit për Opojën e Gorën”.
Megjithëse nuk kishte titull formal magjistrature, Enver Batiu njihej dhe respektohej si mr. për nivelin e lartë shkencor dhe seriozitetin akademik të punës së tij.
Një pjesë e konsiderueshme e veprimtarisë së tij shkencore i është kushtuar figurës së Ymer Prizrenit. Ai botoi punime si: “Trashëgimia e Haxhi Myderriz Ymer Sylejman Prizrenit, kryetarit të parë të shtetit shqiptar”, “Dritë e re mbi gjenealogjinë e Ymer Prizrenit” dhe “Veprimtaria e Ymer Prizrenit”. Po ashtu, Batiu ishte autor i recensionit për librin e dr. Muhamet Pirrakut “Ymer Prizreni – Ora, zemra dhe shpirti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.
Ai ka prezantuar gjithashtu punimin “Eshref Krusha – veprimtari trim dhe i papërkulshëm para presioneve të kohës” në tribunën shkencore “Roli i personaliteteve nga Gora në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”. Të gjitha këto punime janë botuar në libra të ndryshëm dhe janë ribotuar edhe në revistën Sharri.
Vepra e fundit e prof. Enver Batiut ishte libri “Shtrembërimet e Jastrebovit për Opojën e Gorën”, një temë me të cilën ai ishte marrë për një periudhë të gjatë kohore. Në këtë kuadër, ai fillimisht përktheu materialet e Jastrebovit mbi Opojën dhe Gorën, të botuara në librin “Serbia e vjetër dhe Shqipëria” (Beograd, 1904), duke i analizuar dhe kundërshtuar ato në mënyrë argumentuese.
Me ndarjen nga jeta të Enver Batiut, komuniteti akademik dhe kulturor humbi një studiues të përkushtuar dhe një zë të rëndësishëm në mbrojtje të historisë shqiptare.
Marketing
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren