13.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Jabllanoviq i quan politike hetimet që po zhvillohen ndaj tij

Pasi kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Gjakovës Shpresa Bakija tregoi për KALLXO.com se ky institucion ka në punë një denoncim penal ndaj ish-ministrit Jabllanoviq, ky i fundit hetimeve ndaj tij u ka dhënë konotacion politik.

Sipas kryeprokurores Bakija, Jabllanoviq dyshohet për veprën penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes, ose mosdurimit kombëtar, racor apo fetar.

Ajo tregoi se Jabllanoviq nuk është paraqitur në prokurori të hënën, edhe pse i ishte dërguar ftesa në mënyrë të rregullt.

“Ky rast është në fazën hetimore. Të dyshuarit i është dërguar ftesa dhe ka pasur të paraqitet për marrje në pyetje më 11 të këtij muaji, mirëpo i njëjti nuk është paraqitur me arsyetimin se ndodhet në pushim’ tha kryeprokurorja Bakija.

Hetimet që po zhvillohen ndaj tij ish-ministri për Komunitete dhe Kthim i quajti politike.

“Unë besoj se kjo ka konotacion politik”, tha Jabllanoviq për KALLXO.com.

Shpresa Bakija bëri të ditur se Jabllanoviqit i është dërguar një ftesë tjetër për t’u marrë në pyetje më 22 maj.

Jabllanoviq tha se nuk e di nëse do të shkojë apo jo për marrje në pyetje në Prokurorinë e Gjakovës, pasi kjo sipas tij varet nga mundësitë që ia lejojnë obligimet e reja që i ka marrë.

Por kryeprokurorja Bakija u shpreh e vendosur për ta sjellë Jabllanoviqin në prokurori.

“Në rast se nuk do të paraqitet dhe ftesën e ka marrë në mënyrë të rregullt do të veprohet në bazë të dispozitave ligjore, të parapara me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, si me gjithë qytetarët tjerë të Kosovës,” tha Bakija.

Hetimet ndaj Jabllanoviqit lidhen me deklaratën e tij më 6 janar të këtij viti, teksa po vizitonte Manastirin e Zoçishtit në Rahovec për krishtlindjet ortodokse.

Atë ditë ish-ministri i quajti egërsira protestuesit në Gjakovë që penguan pelegrinët serbë të hyjnë në kishën ortodokse të këtij qyteti.

Kjo gjë shkaktoi protesta në fillim në Gjakovë, e pastaj edhe në qytetet tjera në të cilat u kërkua dorëheqja e Jabllanoviqit.

Ish-ministri tha se nuk ka bërë ndonjë gjë të keqe dhe nuk ndihet përgjegjës nëse familjarët në Gjakovë e kanë keqkuptuar. Ai edhe njëherë përsëriti se ka kërkuar falje ndaj familjeve.

Falje Jabllanoviq pati kërkuar më 19 janar, 13 ditë pas deklaratës së krishtlindjeve.

Më 23 janar në Prishtinë u mbajt protestë ku kërkesa kryesore ishte shkarkimi i Jabllanoviqit. Këtë protestë KALLXO.com-i e ndoqi live.

Më 3 shkurt kryeministri Isa Mustafa njoftoi se Jabllanoviq nuk është më ministër në kabinetin e tij.

Largimi i Jabllanoviqit nga Qeveria shkaktoi një bojkot prej dy muajve të deputetëve nga Lista Serbe, pjesë e të cilit subjekt është edhe Jabllanoviqi.

Lista Serbe vendosi të kthehet në institucione më 23 prill. /Kallxo.com/

Më Shumë

Rriten sërish çmimet e produkteve esenciale

Sipas Agjencisë së Statistikave inflacioni në Kosovë ka vazhduar të thellohet dhe çmimet e produkteve esenciale vazhdojnë të ngritën. Në anën tjetër qytetarët e...

Vdes veterani i UÇK-së, Gani Maksutaj

Ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gani Maksutaj.  Maksutaj ishte komandant në togun Luanat, Batalioni 2, Brigada 123. Lajmin për...

Lajmet e Fundit