Këtë të diel, më 21 korrik bëhen plot një vit që kur në Lodeve të Francës u nda nga jeta poeti Ali Podrimja. Vdekja e tij ato ditë bëri jehonë të madhe në mediat vendore e ndërkombëtare, pasi, bazuar në veprat e tij, u cilësua madje si vdekje e dashur dhe e kërkuar e një poeti të madh. Disa muaj me radhë u fol për poetin dhe vdekjen e tij, madje në Gjakovë, në vendlindjen e poetit, iu kushtua në tërësi edhe mitingu tradicional i poezisë.
Por, me kalimin e kohës, sikur u zbehën fjalët e mëdha që u thanë për poetin. Zbehja vazhdoi të rritet dhe tash në njëvjetorin e vdekjes, siç shihet ky përvjetor nuk do të shënohet ashtu siç edhe e ka merituar Podrimja. Të pakten në Gjakovë, nuk ka shenja për ndonjë organizim të mirëfilltë.
Në Drejtorinë komunale për Kulturë, si institucion i thirrur për këtë rast, thonë se deri në këtë moment nuk kanë paraparë ndonjë organizim, por nuk kanë mohuar se këtë gjë mundet ta bëjnë klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”. “Ne si drejtori e kemi lënë që me këtë të merret klubi letrar ‘Gjon Nikollë Kazazi’, sepse mendojmë se ata janë më të thirrur për këtë gjë. Besoj se ata do të organizojnë diçka”, ka thënë shkurt Bardhyl Oseku, shef i sektorit të kulturës në këtë drejtori.
Por, të kontaktuar nga gazeta, zyrtarë të këtij klubi thonë se jo gjithçka varet nga ta, sepse duhet të jetë Komuna ajo që duhet ta mbështesë këtë aktivitet. “Ne si klub gjithsesi se do të organizojmë diçka, por dëshirojmë që ky organizim të jetë sa më madhështor. Për t’u bërë kjo nevojitet ndihma financiare nga Komuna, përkatësisht Drejtoria për kulturë. Aktualisht kryetari Lekaj dhe zyrtarët tjerë janë në udhëtim jashtë shtetit dhe porsa të kthehen ne do të bisedojmë me ta për të parë se çfarë mund të bëjmë bashkarisht”, ka thënë kryetari i KL “Gjon Nikollë Kazazi”, Muharrem Kurti.
Megjithatë, Kurti ka thënë se edhe në rast të mospërkrahjes nga ana e Komunës, klubi do të organizojë diçka, qoftë ajo edhe një manifestim modest apo ndonjë orë letrare.
E nëse njerëzit në Kosovë dhe Gjakovë mund ta kalojnë këtë përvjetor pa ndonjë aktivitet apo me ndonjë aktivitet modest, kjo nuk mund të thuhet edhe për zyrtarët e lartë komunalë, përfshirë edhe kryetarin Pal Lekaj. Një delegacion komunal i prirë nga Lekaj tashmë kanë udhëtuar për në Lodeve të Francës, qytet i cili sipas të gjitha gjasave do ta shënojë në menyrë dinjitoze këtë përvjetor.(zeri)