14.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Nga dyshimet e Dick Marty-it deri te Gjykata Speciale

Kanë mbetur vetëm edhe katër ditë kur deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë para vetës ndryshimet kushtetuese, të cilat i hapin rrugë themelimit të së ashtuquajturës gjykatë speciale, e cila do të merret me hetimin e krimeve të supozuara të disa pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë periudhës 1988 – 2000.

Deri më tani janë dhënë supozime të shumta si u bë që Kosova u gjet para një akti të kryer, ku deputetët e saj duhet të zgjedhin nëse do të votojnë ta themelojnë ata këtë gjykatë speciale, apo do t’ia lënë një gjë të tillë ta bëjë Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Një prej faktorëve shumë esencial që Kosovën e solli para këtij akti të kryer me themelimin e gjykatës speciale, që më së shumti përmendet nga të gjithë, është dështimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë edhe për shkak të ndikimit të politikës te gjyqësia dhe prokuroria. Kur flitet për dështimin e sistemit të drejtësisë, pos faktorit vendor përgjegjësi të madhe ka edhe ai ndërkombëtar me misionet si UNMIK-u dhe EULEX-i.

Por, të kthehemi te gjykata speciale dhe gjeneza e idesë për krijimin e saj. Për aq sa është i njoftuar opinioni gjithçka filloi me dyshimet e ngritura nga senatori zviceran, Dick Marty, fillimisht të publikuara në media, në dhjetor të vitit 2010 për trafikim me organe të disa civilëve serbë nga ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dyshimet e ngritura, që ishin mjaft tronditëse për opinionin ndërkombëtar, bënë bujë të madhe kudo, pos te liderishipi ynë, i cili me një neglizhencë të paparë, nuk u mor si duhet me këtë çështje, e cila së shpejti fitoi në peshë dhe përfundoi me miratimin e një raporti nga Këshilli Evropian. Mbi të gjeturat dhe supozimet e këtij raporti në shtator të vitit 2011, Bashkimi Evropian vendosi të zhvillojë një hetim penal në shkallë të plotë për pohimet e përmbajtura në raportin e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, duke ngritur një task-forcë hetimore speciale.

Mbi këtë raport prokurori amerikan Clint Williamson, kishte zhvilluar edhe një hetim të gjerë, duke thënë se disa luftëtarë të UÇK-së në mënyrë individuale kanë kryer krime të luftës. Pas kësaj në Bruksel u kërkua që sa më parë të themelohet gjykata speciale për të nisur procesin e gjykimit.

Institucionet e Kosovës dhe veçmas sistemi i drejtësisë nuk ndërmorën asgjë as për të hetuar pohimet e senatorit Dick Marty dhe as për t’i mohuar ato. Opinionit vendor i kujtohet se gjithë çka është bërë ka qenë një deklaratë pompoze e Hashim Thaçit në pozitën kryeministrit të Kosovës, i cili premtoi se si i apostrofuar në pohimet e Marty-t do të ngre padi kundër tij, deklaratë kjo që mbeti vetëm si e tillë.

Duket se pa u menduar mirë asnjë pasojë për Kosovën lidershipi i saj vuri edhe pikënisjen për themelimin e kësaj gjykate me të ashtuquajturin letërkëmbim nëpërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ish-shefes së diplomacisë evropiane, baroneshës Catherine Ashton, në prill të vitit 2014.

Ky i ashtuquajtur letërkëmbim u ngrit në nivel të një marrëveshje ndërkombëtare që u ratifikua nga legjislatura e kaluar e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Me këtë marrëveshje Kosova kishte marrë obligim ndërkombëtar që përveç vazhdimit të mandatit të misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit – EULEX, ta themelojë edhe gjykatën speciale.

Përfaqësues ndërkombëtarë kanë paralajmëruar tashmë autoritetet në Prishtinë se në rast që Kosova dështon në themelimin e kësaj gjykate, këtë çështje do ta merrte përsipër Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e që sipas tyre do të ishte shumë më e dëmshme për Kosovën.

Para këtij akti të kryer nuk do të ndodhen vetëm deputetët në këtë seancë plenare, e cila nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës, është thirrur si seancë e veçantë, por e tërë Kosova. Në rend të ditës para deputetëve për miratim pos amendamentit për ndryshime kushtetuese, i cili i hap rrugë themelimit të gjykatë speciale, do të gjendet edhe një draft, që lidershipi vendor e ka pranuar se e ka marrë të gatshëm nga Brukseli, të cilit nëse i thonë jo deputetët ai do të marrë rrugë për në Nju Jork për t’u miratuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. /KosovaLive/

Më Shumë

Serbia arreston edhe dy kosovarë

Dy persona, përkatësisht shoferi dhe konduktori i autobusit të një kompanie nga Kosova, janë ndaluar nga autoritetet serbe në kufi, raporton Zeri.info.  Mediat serbe kanë...

Në shkollat e Prizrenit nisin vizitat sistematike mjekësore, Totaj e shikon procesin nga afër

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka vizituar shkollën “Mustafa Bakiu” për ta inkurajuar dhe përshëndetur personelin mjekësor dhe nxënësit në kuadër të...

Lajmet e Fundit