Në bazë të një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Karitasit Zviceran dhe MASHT-it, ka filluar pajisja me mjete të nevojshme për nxënësit parafillor edhe të komunës së Prizrenit.
Një gjë e tillë është bërë sot në SHFMU “ Mustafa Bakiu”, ku është organizuar një solemnitet rasti, në të cilin morën pjesë zyrtarë të pushtetit lokal në Prizren dhe përfaqësues të Karitas-it zviceran.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, me këtë rast falënderoi donatorët dhe shtoi se “pajisja me mjete të nevojshme për punë me fëmijët parashkollor ka një rëndësi të veçantë në përgatitjen e tyre për edukim dhe arsimim dhe të mirëfilltë në të ardhmen”.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Karitas-it zviceran, Kreshnik Basha , tha se në kuadër të këtij projekti përveç pajisjeve të shkollave me mjete përkatëse të edukimit parashkollor do të realziojmë edhe aktivitetin e trajnimit të pedagogëve.
Në SHFMU “Mustafa Bakiu” Karitas-i ka bërë pajisjen e klasës me inventar shkollor , ndërkaq në fund të vitit 2015 ka investuar edhe në tre shkolla tjera ngjashëm :”Fatmir Berisha” në Prizren, “Zef Lush Marku” në Velezhë dhe “Nazim Buduri” në Hoçë të Qytetit.Të gjitha këto investime kapin vlerën prej 20 mijë eurove.
Ndërkaq, sot solemnitet rasti kishte edhe në SHFMU “ Emin Duraku” në Prizren, me ç’rast është bërë përurimi i tri paraleleleve të edukimit parafillor, investim ky nga organizata turke TIKA.
Pjesë e kësaj ngjarje ishin zyrtarë të qeverisë lokale si dhe përfaqësues të këtij institucioni shkollor. Kryetari i komunës, Ramadan Muja, shprehu falënderime në adresë të organizatës turke TIKA, “e cila e ka financuar këtë projekt, në përgatitjen sa më të mirë të gjeneratave të reja për një të ardhme më të ndritur të tyre”, theksoi ai.
Drejtori i arsimit, Nexhat Çoçaj, tha më tej se organizata TIKA investime të ngjashme ka realizuar deri më tani në tri shkolla të Grykës së Lumbardhit, dhe sot ndjehemi të lumtur që po hapim 2 dhoma mësimi për njomakët prizrenas të komunitetit shumicë dhe një dhomë për fëmijët e komunitetit turk, ku numri i gjithmbarshëm i parafillorëve do të jetë 90, bëri të ditur ai.
Këtë ngjarje e vlerësoi tejet të rëndësishme për punë cilësorë në këtë institucion edhe drejtori i shkollës, Rrahim Bekteshi. Organizata turke TIKA, në SHFMU “Emin Duraku” ka investuar në rregullimin e :- tri dhomave për parashkollor me të gjitha pajisjet, një viedopreojektor , kompjuter, këndin e lojërave dhe nyjet sanitare.Vlera e investimit kap shumën e mbi 40 mijë eurove.Pjesë e kësaj ngjarje ishte paralajmëruar të merr pjesë edhe ministri i arsimit, Arsim Bajrami,i cili në orët e fundit kishte anuluar ardhjen e tij./TV Prizreni/