EC Ma Ndryshe në partneritet me Organizatën e Personave me Distrofi Muskulare në Kosovë, të martën kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me institucionet dhe ndërmarrjet publike lokale dhe qendrore në Prizren për mënjanimin e pengesave të qasjes fizike për Personat me Aftësi të Kufizuara, që ka për synim një qytet të qasshëm për të gjithë.
EC dhe institucionet e ndërmarrjet publike lokale dhe qendrore janë pajtuar që të vazhdojnë bashkëpunimin në mënyrë të strukturuar në kuadër të nismës për mënjanimin e pengesave të qasjes për PAK në ndërtesat e institucioneve përkatëse dhe hapësirën publike të qytetit të Prizrenit, me synimin për t’i adresuar sfidat në qasjen fizike të PAK-ve në Prizren. Palët janë dakorduar që angazhimin e tyre ta strukturojnë në formën e një marrëveshjeje bashkëpunimi që synon ndërtimin e një qyteti pa pengesa dhe që ofron mundësi të barabarta për të gjithë.
Në veçanti, kjo nismë është në harmoni të plotë dhe ndihmon në përmbushjen e objektivave të Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar 2013-2023 dhe Strategjisë Komunale të Prizrenit për Personat me Aftësi të Kufizuar 2016-2018
Nisma për mënjanimin e pengesave të qasjes do të realizohet përgjatë viteve 2017, 2018 dhe 2019, duke filluar nga Maji 2017.
Nisma në fjalë ka dalë si rezultat i projektit “Prizreni, një qytet pa pengesa”, të cilin EC dhe OPDMK e kanë realizuar gjatë vitit të kaluar, ku qëllimi i përgjithshëm ka qenë përfshirja dhe ngritja e pjesëmarrjes së Personave me Aftësi të Kufizuara dhe të rinjve në projektimin e Prizrenit pa pengesa.
Institucionet e ndërmarrjet publike nënshkruese të memorandumit janë: Komuna e Prizrenit, Drejtoria për Shërbime Publike, Komuna e Prizrenit, Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor , Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Teatri Profesionist/Shtëpia e Kulturës Prizren, Posta e Kosovës Prizren, Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”, Këshilli Gjyqësor i Kosovës / Gjykata Themelore Prizren, Këshilli Prokurorial i Kosovës / Prokuroria Themelore Prizren, Policia e Kosovës / Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës Prizren, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale / Qendra për Punësim dhe Aftësim Profesional Prizren