-3.2 C
Prizren
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Koordinatorët, skandali i radhës i Qeverisë “Haradinaj”

Analistët politikë, opozita, por edhe qytetarët, që në fillim e patën kritikuar këtë përbërje të re qeverisëse për rritjen e pakontrolluar dhe të panevojshme të dikastereve ministrore e zëvendësministrore, tani kanë filluar ta kritikojnë fenomenin tjetër, emërimin e të ashtuquajturve koordinatorë, që nuk kanë ndonjë funksion tjetër veçse janë disa pozita të shpikura për plotësimin e orekseve partiake, dhe që dëshmon se kjo Qeveri nuk ka përmirësim, por vetëm abuzim e shpërdorim. Vazhdim i “fryrjes” me militantët politikë të kësaj Qeverie, sipas analistëve dhe opozitës, është edhe emërimi i zëvendësministrit të Kulturës, Rexhep Hoti, në pozitën e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, pozitë të cilën zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj e “shpiku” për të rreth dy javë më parë, për t`ia dhënë një zyrë dhe pagën e ministrit për Rexhep Hotin.

Sipas analistëve, Rexhep Hoti është i njohur fillimisht si servil i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilin,sipas analistëve, ata që e njohin më shumë e quajnë edhe shantazhues tipik, por që u emërua zëvendësministër i pestë në Ministrinë e Kulturës në muajin shkurt të këtij viti. Madje, për shkak të numrit të madh të zëvendësministrave, asokoheMinistria e Kulturës nuk posedonte asnjë zyrë për ta sistemuar nënkryetarin e PDKsë, kështu që ai u detyrua ta ndante zyrën me ndonjërin nga kolegët e tij. Njohësit e zhvillimeve politike në vend pyesin se si e mori postin e koordinatorit me zyrë dhe pagë ministri Rexhep Hoti, dhe si e sulmonte Rexhep Hoti më parë, miku i ngushtë i Baton Haxhiut dhe siç e quajnë analistët “servili” i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, zv. kryeministrin Enver Hoxhaj, përmes medieve të tij, dhe e quante atë uzurpator dhe gënjeshtar e mashtrues? Sipas analistëve, pyetja tjetër del se me çfarë të drejte Enver Hoxhaj shpiku poste inekzistente, ndërkaq Qeveria i aprovon, siç është ky i koordinatorit nacional për kulturë, për të zhvatur kështu paratë e tatimpaguesve kosovarë, duke ua mbyllur gojën shantazhuesve të tipit të Rexhep Hotit, apo për t’i rehatuar të tjerët, duke iu dhënë pagë ministri si dhe zyrë personale.

Qeveria skandaloze tejkaloi të gjithë kufijtë

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha për “Kosova Sot” se kjo Qeveri nuk po ndalet me rehatimin e militantëve dhe klientelës së gjerë politike, me qëllimin e vetëm tëpërfitimeve personale e grupeve klienteliste, pavarësisht zhvatjes së madhe që po i bëhet buxhetit të shtetit dhe dëmit që i shkaktohet zhvillimit të vendit. “Është logjika e njëjtë. Ajo që e kemi theksuar edhe nga fillimi i funksionimit të kësaj Qeverie, klientelizmi, zhvatja, nepotizmi, familjarizimi, njerëz me të kaluar kriminale, njerëz që bien ndesh me ligjin dhe kjo është pasqyra aktuale e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që është në kundërshtim të plotë me parimet demokratike, me parimet e integrimeve evropiane dhe me parimet e zhvillimit të një vendi e të një shteti të ri e demokratik, ashtu sikur që do t’i kishte hije Republikës së Kosovës edhe na raport me qytetarët e saj”, tha Zemaj për “Kosova Sot”. Ai theksoi se kjo Qeveri tani ka thyer të gjithë kufijtë ligjorë, moralë dhe etikë, ka shkelur mbi të gjitha normat e mundshme edhe logjike të funksionimit. “Kjo Qeveri mendoj që i ka tejkaluar të gjitha normat edhe kualitetet, qofshin ato edhe morale dhe procedurale, duke u shndërruar në një kastë grabitqare të buxhetit të Republikës së Kosovës, të shfrytëzimit personal dhe klientel të taksave të qytetarëve të vendit, dhe e cila është duke degraduar çdo ditë dhe duke e shkatërruar funksionimin normal të një shteti, i cili me mund dhe sakrificë ka arritur deri këtu. Mbi të gjitha po degradon edhe duke prishur raportet kushtetuese, edhe raportet me miqtë ndërkombëtarë, siç është FMN-ja dhe Banka Botërore e Banka Investive Ndërkombëtare , të cilat po shihet se gradualisht kanë filluar t’ia kthejnë shpinën Kosovës si pasojë e këtyre veprimeve, të shfrytëzimit të kasave dhe të buxhetit në mënyrë shumë personale, të paplanifikuar si duhet dhe me keqpërdorime ekstreme me të gjitha ligjet në fuqi”, pohoi Zemaj për “Kosova Sot”. Kritika dhe opinion tepër negativ ndan për vazhdimin e këtij mentaliteti të sëmurë të vazhdimit të ngufatjes së Qeverisë me militantët politikë edhe deputeti Ali Lajçi. “Po, unë mund t’ju them se nuk është aspak e çuditshme çfarëdo që ndodh në këtë përbërje të tanishme të kësaj Qeverie. Që në fillim u pa se me çfarë mentaliteti qeverisës kanë planifikuar të vazhdojnë këta dhe të njëjtin po e dëshmojnë edhe tani. Sigurisht që këta nuk e kanë për qëllim interesin e zhvillimit të vendit, nuk e kanë për qëllim as në program interesin qytetar, por realizimin sa më të madh të interesave klanore e klienteliste për të përfituar dhe për të zhvatur në kohë, për aq kohë sa do të jenënë pushtet”, potencoi ai për “Kosova Sot”.

KELMENDI: REXHEP HOTI ËSHTË SHUMË I AFËRT I HASHIM THAÇIT

Prof. Muhamet Kelmendi konsideron po ashtu se rehatimi i fundit i z. Hoti është një veprim puro për interesa politike. “Pozita e Koordinatorit Nacional për Kulture, Rini dhe Sport është pozitë e ndërtuar enkas për personin e PDK-së, z. Rexhep Hoti. Natyrisht se Rexhep Hoti është shumë i afërt i Hashim Thaçit. Ai e ka pozitën e nënkryetarit dhe si zëvendësministër ishte pozitë e ulët për atë njeri të lartë të PDK-së. Këtej nga Enver Hoxhaj u organizua kjo pozitë, e cila është në nivel të pozitës së ministrit. Natyrisht se kjo u bë me qëllim. Rexhep Hoti konsiderohet kuadër i rëndësishëm i Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit. Dhe, si i tillë, pa një pozitë të lartë shtetërore, nuk bën dhe z. Hoti nuk mund të mbahet. Kuptohet se çështja në tërësi është e rëndë”, u shpreh ai. “Qytetarët duhet të protestojnë për papunësi, për të ardhurat skllavëruese, për mosekzistimin e shëndetësisë dhe të sigurimeve pensionale e invalidore. Punëtorët tanë nuk kanë mbrojtje në punë, as pushime dhe thjesht janë të skllavëruar. Këto janë temat e protestës. Po kështu duhet protestuar edhe për çështjen që po e shkatërron Kosovën kundër Asociacionit dhe kundër Thaçit si personi më shkatërrues në vend”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

“Ne po kërkojmë që kjo Qeveri të shkojë sa më shpejt, të kemi zgjedhje të reja dhe të lirohemi nga këto grupe të papërgjegjshme, që kanë kapur shtetin dhe qëllimin e vetëm e kanë pasurimin e shpejtë përmes zhvatjes dhe plaçkitjes së buxhetit të shtetit, pa zgjedhur mjete dhe metoda”, tha Ali Lajçi për “Kosova Sot”

BADALLAJ:REXHEP HOTI NUK KA LËNË GJË TË KEQE PA FOLUR E SHKRUAR PËR HASHIMIN E BROJËS DHE KUR IA TREGOJNË GRAZHDIN,URDHËRON QË TË FSHIHEN DHE TË DIGJEN SHKRIMET DHE LIBRAT E TIJ

Analisti politik Reshat Badallaj thotë për “Kosova Sot” se kështu është kur Kosovën e kanë kapur në dorë bandat dhe banditët për të qeverisur, që i bie ndryshe:”Na ka ardhur dita dhe mëshoni sa të mundeni”. “Pra, këtyre nuk u intereson fare buxheti i shtetit se sa harxhohet, apo halli i popullit dhe shkon thellë e më thellë duke e shpërdorur thesarin e vendit. Rexhep Hoti, në fillim nuk ka lënë gjë të keqe pa folur e shkruar për Hashimin e Brojës dhe kur ia tregojnë grazhdin,urdhëron që të fshihen dhe të digjen shkrimet dhe librat e tij. Kjo Qeveri kuislinge ashtu-ashtu është me numrin më të madh jo vetëm në Ballkan, por në botë me një grusht banorësh dhe ra Enver Hoxhaj, me dallaveret e tij dhe e rehatuan këtë puthador, sahanlëpirës të Hashimit të Brojës dhe Kadri Topuzit. Dhe, merreni me mend, emërohet zëvendësministër i pestë në Ministrinë e Kulturës”, tha Badallaj për “Kosova Sot”. Ai ka kritikuar edhe opozitën që nuk po tregohet më e zëshme kundër abuzimeve të tilla me shtetin. Prandaj, sipas tij, duhet zgjuar populli që t’i përmbysë këta keqbërës. “Këto banda në pushtet me kryebanditët e banditët e tjerë po e shfrytëzojnë rastin edhe pse opozita është tejet e vdekur, sepse edhe këta nuk janë duke u marrë fare me interesat e shtetit dhe qytetarëve të saj, por janë duke bërë konkurrencë bashkë në vjedhje se si ta kapin pushtetin. Është e pafalshme edhe për ne popullin pse heshtim karshi bandave dhe banditëve që po e shkatërrojnë buxhetin e shtetit duke dhënë paga marramendëse dhe se në anën tjetër populli mbledh kafshatën e gojës nga koshi i plehrave”, theksoi Badallaj. “Për mendimin tim, për të ndalur këtë dukuri hajdutësh duhet që populli të ngrihet në protestë,pa dhunë,por duhet vepruar modeli i Ukrainës, të kapen një nga një dhe të gjuhen si thes plehu në koshin e plehrave (kontejner), se ndryshe këta nuk kuptojnë. Përndryshe, këta ditë e përditë vendin janë duke çuar në humnerë”, tha Reshat Badallaj për “Kosova Sot”.

GURAZIU: ZV.KRYEMINISTRI ENVER HOXHAJ E “SHPIKU” KËTË POZITË VETËM PËR T`IA DHËNË NJË ZYRË DHE PAGËN E MINISTRIT EDHE REXHEP HOTIT

Ndërsa analisti Ragip Guraziu konsideron se derisa edhe opozita ka hyrë nën sqetullat e pozitës, duke heshtur dhe nuk po reagon kundër vazhdimit të kapjes së thellë të shtetit për interesa grupore e klienteliste, as edhe tash duke shpikur pozita të reja, do të duhej që populli të ngrihej në protesta kundër shpërdorimeve e gllabërimeve të përditshme të pushtetit dhe buxhetit. ” Tani, përfundimisht po dëshmon dhe emërimi i koordinatorëve në Qeverinë aktuale si pozita të shpikura, qëllimi është për plotësimin e orekseve partiake, dhe flet se kjo Qeveri nuk ka përmirësim, por vetëm abuzim e shpërdorim. Emërimi i zëvendësministrit të Kulturës, Rexhep Hoti në pozitën e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës është shpikje artificiale, të cilën zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj e “shpiku” për të rreth dy javë më parë, me qëllimin e vetëm për t`ia dhënë një zyrë dhe pagën e ministrit edhe Rexhep Hotit. Është interesante pse askush nuk po reagon për një mentalitet të tillë keqqeverisës”, potencoi ai për “Kosova Sot”.

ALIU: ME ÇFARË TË DREJTE ENVER HOXHAJ SHPIKU POSTE INEKZISTENTE?!

Po aq kritik e i ashpër është edhe analisti Bislim Aliu, kur komentohet shpikja e re e posteve të koordinatorëve, vetëm sa për të zhvatur buxhetin. “Gjithsesi emërimi i koordinatorëve në Qeverinë aktuale, si pozita të shpikura për plotësimin e orekseve partiake, po dëshmon qartas, se kjo Qeveri nuk ka përmirësim, por vetëm abuzim e shpërdorim. Dhe, në rrjedhë të kësaj ‘shpikjeje”, Rexhep Hoti zëvendësministri i Kulturës, u emërua në pozitën e Koordinatorit Nacional për Kulturë Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, pozitë të cilën zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj e ‘shpiku” për të rreth dy javë më parë dhe për t’ia dhënë një zyrë dhe pagën e ministrit Rexhep Hotit. Që sa kohë është fare e ditur se Rexhep Hoti është një servil i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, për të cilin edhe këta pushtetarë e patën obligim që sa më afër ta afrojnë ngatë vetes”, theksoi ai. “Derisa e mori pozitën e koordinatorit me zyrë e pagë ministri, Rexhep Hoti, servil i Thaçit dhe i Veselit, e sulmonte vazhdimisht përmes medieve të tij zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj, duke e quajtur atë uzurpator dhe gënjeshtar e mashtrues, prandaj me të drejtë po pyesim sot se me çfarë të drejte Enver Hoxhaj shpiku poste inekzistente, ndërkaq Qeveria e aprovon, siç është ky i Koordinatorit Nacional për Kulturë, për të zhvatur paratë e tatimpaguesve kosovarë, duke ua mbyllur gojën shantazhuesve të tipit të Rexhep Hotit, apo për t’i rehatuar të tjerët, duke u dhënë pagë të ministrit si dhe zyrë personale”, tha Bislim Aliu. “Opozita nuk duhet të heshtë, kurse populli duhet ta ngrejë zërin kundër shpërdorimeve e gllabërimeve të përditshme të pushtetit dhe të buxhetit nëpërmes këtyre formave perfide, por edhe forma të tjera”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot”.

SHKODRA: TË TILLA VENDE SI KËTË QË REHATOHET REXHEP HOTI, JANË VETËM HARXHIMI I BUXHETIT!

Sipas analistit Shefik Shkodra, edhe emërimi i një koordinatori për kulturë është si një shpikje a inovacion për opinionin publik. “Dua ta përmend se, njëri prej atyre segmenteve më të lëna pas dore në të gjitha qeveritë është kultura. Në teatër tendencë për emërimin e drejtorëve partiakë, shtëpitë botuese favorizohen në baza partiake e lidhje të tjera, në botime individuale financohen ata libra të atyre autorëve partiakë ose me lidhje të tjera. Në kulturë duket se gjejnë punë ata njerëz që janë më të dobët, për të mos thënë, ndoshta edhe individë të pakulturë. Nuk ka një zhvillim kulturor në gjithë vendin. Qeveria mori gjysmë milioni euro për Jubileun e Skënderbeut, por nuk pamë diçka lidhur me këtë, pos disa vjersha nëpër disa shkolla që janë recituar. Tash ky koordinatori (vend i shpikur) në kulturë, çfarë do të bëjë më mirë për kulturën. Të tilla vende si këtë që rehatohet Rexhep Hoti, janë vetëm harxhimi i buxhetit. Asnjë shenjë pikësimi nuk do të ketë më tepër”, potencoi ai. “Në disa komuna, ndonjëri /ndonjëra mund të udhëheqë kulturën me një kualifikim të mesëm, pa njohuri elementare. Partitë politike udhëheqin për interesa klanore edhe kulturën në mënyrë të ngurtë. Atë e marrin si asgjë. Nëpërmjet kulturës dhe sportit dëgjohet zëri i një populli e i shtetit të tyre”, tha Shkodra për “Kosova Sot”.

Gazeta i është drejtuar me pyetje edhe Qeverisë së Kosovës për të dhënë komentet dhe reagimet e veta, edhe zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, por nuk ka marrë asnjë koment nga ana e tyre

Qytetarët të stërlodhur

I papranueshëm është një veprim i tillë, i vazhdimit të ndërtimit puro klientelistë të Qeverisë së Kosovës edhe për qytetarët e anketuar nga gazeta. Qytetari Vesel Veseli thotë se Qeveria duhet të merret me tema serioze për interesin e qytetarët dhe jo me rehatimin e grupeve të interesit përmes klientelave politike, deri në zhvatje të buxhetit të shtetit. “Fatkeqësisht, unë po e shoh që vetëm për ta ruajtur një koalicion të brishtë po bëhet kjo, derisa për punët e tjera shumë më të rëndësishme po lihen anash e me të cilat duhet të merret kjo Qeveri që ka vendi. Madje, në çështjet e interesit qytetar duhet të jenë unike të gjitha subjektet politike shqiptare, kur janë në pyetje çështjet madhore, e jo të angazhohen vetëm për interesat e militantëve të tyre partiakë. Kjo Qeveri kështu vetëm po fryhet,po fryhet dhe do të vazhdojë kështu derisa të vetëdijesohet populli më tutje dhe t’i qetë, t’i nxjerrë jashtë, t’u thotë dilni se ju nuk e keni vendin këtu”, tha Veseli për “Kosova Sot”. Ndërsa qytetari Fehmi Tatari thotë se veprimet e tilla ndodhin vetëm në atë Qeveri, e cila i ngjan një shtëpie ku fare nuk pyetet zoti i shtëpisë, por bën kush çfarë të dojë. “Kjo është e qartë, populli është lodhur, por janë lodhur edhe ata, edhe ata vetë nuk po dinë se si të reagojnë, secili po shikon me qenë në karrige, por tash duhet shikuar për t’ia dhënë mundësinë vetëm atij që është më meritor për popull për të menduar, për gjithë popullin, sepse populli shumicë është i papunë”, tha Tatari.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Drejtori Tarashaj mori pjesë në Panairin e Artizanateve në Tetovë

Panairi i Artizanateve, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, solli së bashku bizneset dhe organizatat joqeveritare të Komunës së Prizrenit dhe ato të Tetovës për...

Çoçaj: Komandant Drini më kërkoi të inkuadrohem në Shërbimin e Zbulimit në ZO të Pashtrikut, s’ka pasur SHIK atëkohë

Sipas dëshmitarit Nezir Çoçaj, atij iu ishte kërkuar nga komandant Drini (Ekrem Rexha), që t’i bashkohet Shërbimit të Zbulimit në nivel zone në Zonën...

Lajmet e Fundit