20.8 C
Prizren
E hënë, 15 Shtator, 2025

Hysni Hoxha përjashtohet nga seanca gjyqësore që po mbahet për rastin e njohur “KEK 2”

Ish-kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha është përjashtuar nga seanca gjyqësore që po mbahet për rastin e njohur “KEK 2”, ku së bashku më të, lidhur me dyshimet për keqpërdorime në rastin e tenderit për sigurinë fizike në KEK, po akuzohen edhe ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj dhe katër të akuzuar tjerë.

Vendimi i tillë u mor nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, me arsyetimin se Hoxha nuk e ka respektuar autoritetin e gjykatës.

Gjykatësi Kalludra deklaroi se, pas dhënies së mbrojtjes, me rastin e ndërprerjes së seancës për një pauzë të shkurtër, i akuzuari Hoxha ka kërkuar nga trupi gjykues leje për të liruar sallën e gjykimit për pak minuta, për arsye personale, por i njëjti më pas nuk është kthyer.

Në këto rrethana, gjykatësi Kalludra mori aktvendim për përjashtimin e tij nga seanca e shqyrtimit të së hënës deri në fund të përfundimit të kësaj seance, siç u tha,  për shkak të mos respektimit të autoritetit të gjykatës.

Me këtë rast, gjykatësi ka kërkuar bashkëpunëtorit në gjykatë që t’i thuhet policisë që nuk i lejohet hyrja.

Për këtë ka reaguar mbrojtësi i Hoxhë-s,  avokati Sahit Bibaj, i cili deklaroi se klienti i tij nuk është mirë me shëndet.

“Ju lutem me shëndet nuk është mirë, ndoshta ka dal me pi ujë apo diçka e tillë”, ka thënë avokati Bibaj.

Ndryshe, gjykimi është duke vazhduar, ku i akuzuari Azem Duraku është duke dhënë mbrojtjen e tij.

“Betimi për Drejtësi” po vazhdon ta monitorojë seancën, për çka do të raportojë në vazhdimësi.

Ndryshe, sipas aktakuzës, në tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshihen tashmë ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar të tjerë.

Shtatë të pandehurit, akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut. Në këtë proces gjyqësor, Sami Lushtaku është i ngarkuar me veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha, akuzohen për “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku në bashkëkryerje akuzohen për “mashtrim” dhe “falsifikimit të dokumenteve’’, Driton Pruthi për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “lidhje e kontratës së dëmshme” dhe i pandehuri i fundit, Azem Duraku për veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”.

Prokuroria pretendon se sjellja e paligjshme e të pandehurve të lartcekur, ka rezultuar me dhënien e kontratës kompanisë së sigurimit “Security Code”, e cila ka ofertuar si pjesë e konsorciumit me kompaninë “ËDG”. Kontrata në fjalë ishte për periudhën dy vjeçare, në shumë prej 6, 182, 609.76 euro, shumë kjo për të cilën pretendohet se është dëmtuar KEK-u./Betimipërdrejtësi

Më Shumë

Dogana e Kosovës zbulon mall me origjinë të pasaktë në Vërmicë, nis procedura kundërvajtëse

Dogana e Kosovës ka identifikuar një rast të mosdeklarimit të saktë të origjinës së mallrave gjatë procedurave të importit në pikën doganore të Vërmicës. Gjatë...

Të shtëna me armë zjarri në Prizren

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar dje në Prizren. Policia bën të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore me ç’rast...

Lajmet e Fundit