Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore(QRTK) në Prizren i është kundërpërgjigjur sërish kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka.
Sipas këtij institucioni, Haskuka ka dhënë deklarata të pavërteta.
Reagimi i plotë dhe pa ndërhyrje
Kryetari i Komunës së Prizrenit sërish paska deklaruar të pavërteta ndaj Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Prizren
Degradimi i Qendrës Historike të Prizrenit dhe objekteve të trashëgimisë, si në kohën e pushteteve të kaluara ashtu edhe në kohën e qeverisjes tënde po vazhdojnë Z. Kryetar i Komunës, nuk ka ndonjë përmirësim.
Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prizren sikur që ka reaguar për mos respektimin e ligjeve në të kaluarën, po vazhdon të reagoj edhe tash, por fatkeqësisht edhe përkundër reagimeve të QRTK-së, si në të kaluarën edhe sot po haset në vesh të shurdhër.
Arkiva e QRTK-së është në dispozicion për verifikimin e këtyre deklarimeve.
Kryetar i Komunës, nëse nuk ju kanë informuar, po ju informomë se këta ‘’mbrojtësit’’ e trashëgimisë janë persona profesionalisht kompetent, dhe të pa politizuar. Ofendimi i punonjësve të këtij institucioni nga ana juaj nuk i bën nder pozitës tënde, e për më tepër, një deklaratë e tillë pa dëshmi konkrete është manipulim dhe përbën shkelje ligjore.
Reagimet e QRTK-së kundër dëmtimeve të monumenteve nuk janë ndalur as në të kaluarën, sikurse nuk po ndalen sot, dhe nuk do të ndalen as në të ardhmen; por arroganca e pushtetit po vazhdon me të njëjtin avaz sikurse në të kaluarën. Nuk keni ndonjë dallim të madh në këtë pikë.
Para se të bëni deklarata publike është mirë të konsultoni ligjin, rregulloret, të kontaktoni drejtoritë përkatëse komunale dhe të informoheni më mirë rreth kompetencave e përgjegjësive dhe procedurave të çdo institucioni.
Për miq, shok, e formulime të këtilla të pakuptimta, gjithmonë mbi të gjithë ligji. E keni obligim kushtetues, zbatojeni.
Kryetar i Komunës, na duhet ta potencojmë që jeni të painformuar ose dëshironi të hidhni hi syve opinionit publik, ndërtesat e larta, me shumë kate janë jashtë Qendrës Historike dhe ne nuk e kemi në mandat. Nuk duhet të fshiheni pas QRTK-së e të thoni të pavërteta. Zbatimin e ligjit dhe planeve urbanistike e keni për obligim ju ta rregulloni edhe aty si në të gjitha rastet tjera.
Pohimi që ka pasur dëmtime në Prizren në të kaluarën është e vërtetë, sikurse qe është e vërtet që po vazhdojnë edhe në mandatin tënd.
Më shumë punë kryetar e më pak fjalë.
Sa i përket Teleferikut, këtu me përgjegjësi të plotë mund të deklarojmë se deklarata juaj është gënjeshtër. Dëshmi për këtë janë deklaratat e tua të dhëna për media. Me një kërkim të thjeshtë online për teleferikun mund ta verifikojmë.
Kryetar i Komunës, edhe për projektin e shtratit të Lumbardhit QRTK-ja nuk ka dhënë pëlqim për këtë mund të verifikoni në Drejtorinë e Urbanizmit.
Kryetar, në deklarimet tuaja po potenconi gjëra që janë jashtë kompetencave tona, kurse neve po na jep përgjegjësi që nuk na takojnë. Kurse me shifra po manipuloni, ose po e citoni Prizrenin e shekullit XIX e XX. Sërish jeni të painformuar ose të paditur në këtë fushë.
Kryetar i Komunës, nuk jemi ne Komuna, ne jemi QRTK-ja keni ngatërruar institucionin. Nëse është 250 metra afër komunës, atëherë është afër institucionit ku ju jeni udhëheqës, veproni.
Kurse çdo herë kur QRTK është sulmuar publikisht në media nga kushdo çoftë, ne kemi reaguar dhe kemi argumentuar se QRTK-ja nuk ka asnjë lidhje me çfarëdo shkatërrimi ose degradimi që është bërë në QHP, ndërsa ju si kryetar nëse keni ndonjë argument që QRTK-ja ka aprovuar ndonjë projekt që është në kundërshtim me ligjin urdhëroni na tregoni.
Kryetar, dhënia e lejeve për hyrje në Sheshin e Shatërvanit është kompetencë e drejtorisë suaj (Drejtoria e Shërbimeve Publike) dhe mirë do ishte të verifikoni se sa leje janë lëshuar nga kjo drejtori.
Fati i Prizrenit është që kemi Ligjin e Qendrës Historike të Prizrenit dhe Ligjin për Trashëgimi Kulturore, e gjithashtu edhe kemi institucione që zbatojnë këto ligje dhe thirren në to për ta mbrojtur Trashëgiminë Kulturore, përndryshe ju do të vazhdonit të luani rolin e vëzhguesit.
Kryetar i Komunës duhet të investoni në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Prizrenit, të zhvilloni programe e politika në të mirë të QHP-së e jo të fajësoni institucionin e vetëm që bën përpjekjen maksimale për të.