Konkursi i Komunës së Prizrenit për mësimdhënësit, që ishte shpallur më 4 nëntor të këtij viti, është pezulluar nga Gjykata Themelore e Prizrenit.
Kjo gjykatë ka caktuar masën e përkohshme të sigurimit për këtë konkurs në bazë të propozimit të kandidatëve që janë përzgjedhur si më të suksesshëm në konkursin e ngjashëm të zhvilluar gjatë verës së këtij viti. Zyrtarët e Drejtorisë së Arsimit, të enjten, kanë deklaruar se ende nuk e kanë pranuar vendimin e gjyqësorit mbi pezullimin e konkursit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prizrenit, Afërdita Kicaj, ka konfirmuar për gazetën pezullimin e konkursit të datës 4 nëntor 2019, të shpallur nga Zyra e Personelit të Komunës së Prizrenit.
“Gjykata Themelore e Prizrenit ka aprovuar si të bazuar propozimin e propozuesve Arta Begaj-Thaqi, Ardita Dilji, etj. të cilat i përfaqëson avokati Muhamet Shala, ku caktohet masa e përkohshme e sigurimit me të cilën i urdhërohet të paditurës Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren, ashtu që pezullohet konkursi me nr.01-111-154376 i datës 04.11.2019, shpallur nga Zyra e Personelit të Komunës së Prizrenit deri në shterjen e mjeteve administrative apo deri në një vendim tjetër të gjykatës”, ka thënë Kicaj të enjten.
Gjykata ka obliguar propozuesin që në afat prej 30-ditësh të ngrejë padi dhe ta njoftojë gjykatën për këtë.
Lidhur me këtë çështje, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Xhemile Thaçi-Vezgishi, ka theksuar se ende nuk e kanë pranuar vendimin e Gjykatës.
Komuna e Prizrenit pak ditë më parë pati publikuar listën e kandidatëve adekuatë që të vazhdojnë procedurën në konkursin e datës 4 nëntor 2019.
Në anën tjetër, një javë më parë, grupi i mësimdhënësve që ishin përzgjedhur në bazë të konkursit të zhvilluar nga DKA-ja në verë të këtij viti përmes një letre të hapur kanë kërkuar që të fillojnë punën në ato vende ku kanë fituar me konkurs.